E shtunë, 15 Nëntor, 2025
-0.2 C
Skopje

Mijëra qytetarë vaksinohen, shumë prej tyre për herë të parë

Nga Qendra e Shëndetit Publik vlerësojnë se rritja e numrit të personave që marrin vaksinën për herë të parë tregon rritje të vetëdijes qytetare, sidomos tek të moshuarit, për rëndësinë e mbrojtjes nga gripi sezonal. Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore kërkojnë që në vitet e ardhshme Ministria e Shëndetësisë të sigurojë më shumë doza vaksinash, për të përmbushur kërkesën në rritje të qytetarëve

Urim HASIPI

Tetovë, 14 nëntor – Në Tetovë është rritur ndjeshëm numri i qytetarëve që këtë vit kanë marrë vaksinën kundër gripit sezonal, veçanërisht personat që vaksinohen për herë të parë. Interesimi i madh ka bërë që pothuajse të gjitha dozat e planifikuara për Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë të shpenzohen. Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë vaksinuar 4050 persona, nga gjithsej 4200 doza të dërguara nga Ministria e Shëndetësisë. “Ka pasur interesim të madh nga qytetarët, më i larti ndër vite. Veçanërisht këtë vit, shumë persona janë vaksinuar për herë të parë, çka ka ndikuar në rritjen e përgjithshme të numrit të të vaksinuarve”, tha epidemiologu Naim Skenderi. Ai sqaroi se 50 doza janë shpërndarë në Shtëpinë e Shëndetit, ndërsa pjesa tjetër është administruar në Qendrën e Shëndetit Publik.

Skenderi theksoi se nëse mbeten doza të papërdorura në komunat e tjera, Ministria e Shëndetësisë pritet të ndajë sasi shtesë për Tetovën. Përveç vaksinimit falas për kategoritë e rrezikuara, është shfaqur interes edhe për vaksinat komerciale. “Prej ditës së martë ka filluar vaksinimi me pagesë – çmimi është 700 denarë, dhe për momentin kemi siguruar 200 doza. Deri më tani janë dhënë 20, por pritet që ky numër të rritet”, shtoi Skenderi.

Ndërkohë, interesi i prindërve për vaksinimin e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç mbetet i ulët. “Te fëmijët nuk ka shumë kërkesë, ndoshta sepse rastet e gripit janë më të lehta ose për shkak të moshës. Megjithatë, disa prindër që kanë fëmijë me imunitet të dobët apo sëmundje kronike zgjedhin vaksinimin”, tha ai. Nga Qendra e Shëndetit Publik vlerësojnë se rritja e numrit të personave që marrin vaksinën për herë të parë tregon rritje të vetëdijes qytetare, sidomos tek të moshuarit, për rëndësinë e mbrojtjes nga gripi sezonal. Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore kërkojnë që në vitet e ardhshme Ministria e Shëndetësisë të sigurojë më shumë doza vaksinash, për të përmbushur kërkesën në rritje të qytetarëve. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm