E enjte, 16 Tetor, 2025
9.8 C
Skopje

Miliarda mikrobe fshihen në dushin tuaj!

Studimet e kryera tregojnë se në sipërfaqet e brendshme të zorrës së dushit mund të grumbullohen miliona deri në qindra miliona qeliza bakteriale për çdo centimetër katror

Kur hapim ujin e dushit në mëngjes, zakonisht e lidhim këtë veprim me pastërtinë dhe freskinë. Por pak kush e di se momenti i parë kur uji bie nga koka e dushit shoqërohet me një shpërthim të imët aerosoli që përmban miliarda baktere të padukshme. Brendësia e zorrës dhe kokës së dushit është një habitat ideal për mikroorganizma që formojnë atë që shkenca e njeh si “biofilm” – koloni të vërteta mikrobesh që ngjiten në sipërfaqe të lagështa, raportoi BBC. Në pjesën e fundit të tubacionit të ujit, afërsisht një metër para daljes së ujit, uji që qëndron i ndenjur krijon kushtet e duhura për shumimin e baktereve dhe kërpudhave. Pasi bëjmë dush, zorra mbetet e lagur dhe e ngrohtë, një mjedis ideal për mikroorganizma. Gjatë natës, biofilmi trashohet dhe kur uji ndizet sërish në mëngjes, fragmentet e tij çlirohen dhe përhapen në ajër bashkë me spërkatjet e para të dushit.

Studimet e kryera në laboratorë dhe në banesa reale tregojnë se në sipërfaqet e brendshme të zorrës së dushit mund të grumbullohen miliona deri në qindra miliona qeliza bakteriale për çdo centimetër katror. Shumica e këtyre mikrobeve janë të padëmshme, por midis tyre mund të gjenden edhe mykobaktere, disa prej të cilave janë rezistente ndaj klorit dhe në raste të rralla mund të shkaktojnë infeksione pulmonare.

Në disa mostra janë gjetur edhe gjini kërpudhash si Exophiala, Fusarium dhe Malassezia, të njohura si shkaktare të infeksioneve të lëkurës apo të thonjve te persona me imunitet të dobët. Studime të tjera zbuluan praninë e bakterit Legionella pneumophila në shumë sisteme dushi pas vetëm katër javësh përdorim, një mikroorganizëm që mund të shkaktojë sëmundjen e legionerit – një formë serioze të pneumonisë. Megjithatë, ekspertët e theksojnë se rreziku për shumicën e njerëzve mbetet i ulët. Sipas Frederik Hammes, mikrobiolog i ujit të pijshëm në Institutin Federal të Shkencave të Ujit në Zvicër, rreziku është më i theksuar vetëm nëse dushi është i kontaminuar me Legionella ose me patogjenë oportunistë. “Personat me imunitet të komprometuar, të moshuarit dhe pacientët në spitale janë më të rrezikuarit, për çka institucionet shëndetësore aplikojnë masa të rrepta dezinfektimi dhe zëvendësimi të rregullt të kokave të dushit”.

Përbërja mikrobiale e dushit ndikohet edhe nga materiali i tubave. Një studim afatgjatë që krahasoi dy sisteme dushi me materiale të ndryshme – PVC-P dhe PE-Xc – zbuloi se zorra e bërë nga PVC-P kishte një ngarkesë bakteriale 100 herë më të lartë pas tetë muajsh përdorimi. Kjo lidhet me sasinë e karbonit që lëshohet nga ky material, i cili shërben si ushqim për bakteret.

Por ndikim të madh ka edhe mënyra si e përdorim dushin. Uji i ndenjur për disa ditë brenda zorrës rrit rrezikun e kontaminimit me Legionella. Uji i nxehtë prodhon më shumë aerosole të imta në minutat e para të funksionimit të dushit, duke rritur mundësinë e thithjes së mikrobeve.

Shkencëtarët sugjerojnë të mos qëndrojmë direkt nën dush menjëherë pasi e ndezim, por ta lëmë të rrjedhë për 60 deri në 90 sekonda para përdorimit, sidomos pas periudhave të gjata pushimi si udhëtimet. Temperatura e ujit në bojler rekomandohet të mbahet rreth 60°C, pasi Legionella shumëzohet në temperatura mes 20-45°C, por vdes në temperatura më të larta. Për të shmangur djegiet, ujit i ulet temperatura në dalje me valvul përzierëse termostatike. Gjithashtu, ventilimi i mirë i banjos pas dushit është i rëndësishëm, sepse grimcat bakteriale mund të qëndrojnë pezull në ajër deri në një orë.

Sa i përket produkteve “antibakteriale” për dush, studimet kanë treguar se shumica prej tyre kanë efekt minimal ose afatshkurtër. Filtrat e brendshëm janë efikasë vetëm kur mirëmbahen rregullisht dhe kur presioni i ujit është i lartë. Kokat e thjeshta metalike të dushit janë më higjienike se ato plastike me shumë kanale të brendshme. Zgjidhja, sipas ekspertëve, nuk është frika apo shmangia e dushit, por mirëmbajtja e rregullt. Pastrimi periodik i kokës së dushit me ujë të nxehtë ose uthull, shmangia e ujit të ndenjur për shumë ditë dhe zëvendësimi vjetor i zorrës mund të ulin ndjeshëm rrezikun. Në familjet ku banon dikush me imunitet të dobët, këto masa janë jetike.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm