Derisa ministrja bullgare fliste për një “takim të parë të mirë”, ministri Mucunski u kundërpërgjigj se nuk bëhej fjalë për një takim zyrtar, por për një shkëmbim të shkurtër fjalësh në margjinat e ngjarjes
Ersan PAJAZITI
Shkup, 12 maj – Takimi i parë mes ministres së re të Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova, dhe atij të Maqedonisë së Veriut Timço Mucunski, në vend që të sillte sinjale për ulje të tensioneve dhe hapje të hapësirës për dialog, solli theksim edhe më të thellë të dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes. Që në fillim, të dyja palët treguan se mbeten të ngulitura fort në pozicionet e tyre, pa ndonjë gatishmëri të dukshme për afrim minimal apo për ndërtim të kujdesshëm të besimit.
SOFJA: PA NDRYSHIME KUSHTETUESE S’KA BE
Petrova-Çamova pas kontaktit deklaroi se “patëm një takim të mirë të parë me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë (Timço Mucunski). Bullgaria ka një qëndrim të shprehur qartë, i cili që nga viti 2022 nuk është më çështje bilaterale, por çështje diskutimi mes Bashkimit Evropian dhe një vendi kandidat. Kjo dritare për zgjerim mund të hapet në vitet e ardhshme dhe nëse nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi, në fakt mund të humbasin”. Me këtë, Sofja edhe një herë dërgoi mesazh se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga korniza e vendosur me propozimin francez dhe obligimet që burojnë prej tij, para së gjithash ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën maqedonase. Për më tepër, ministrja bullgare theksoi se pas kësaj politike ekziston një konsensus i gjerë në Bullgari.
“Më vjen mirë që kemi një konsensus shumë të gjerë politik për këtë në Bullgari. Këtë ua thashë edhe partnerëve tanë verimaqedonas. Presim veprime nga ana e tyre që do të tregojnë se kanë gatishmëri të plotë politike për të vazhduar përpara në rrugën e tyre evropiane”, deklaroi Petrova-Çamova.
Ajo dërgoi edhe një paralajmërim se Shkupi mund ta humbasë mundësinë aktuale gjeopolitike për integrim në Bashkimin Evropian. “Ata kanë një mundësi unike. Shohim se vende si Mali i Zi dhe Shqipëria po arrijnë përparim serioz. Kjo dritare për zgjerim mund të hapet në vitet e ardhshme dhe nëse nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi, në fakt mund të humbasin. T’i përmbahen marrëveshjes së arritur në vitin 2022 dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm politikë. Ta hapin rrugën e tyre evropiane”.]
MUCUNSKI KUNDËR SOFJES: “MAQEDONASIT JANË MAQEDONAS”
Por, në vend të sinjalit se ka hapësirë për komunikim më fleksibil, nga pala maqedonase erdhi një përgjigje e ashpër dhe defensive. Mucunski reagoi fillimisht ndaj përdorimit të termit “partnerë verioro-maqedonas”, i cili prej kohësh në Shkup perceptohet si mohim i identitetit kombëtar maqedonas. “Përdorimi i termit ‘verioro-maqedonas’ për të përcaktuar popullin maqedonas është i pasaktë dhe i papërshtatshëm. Maqedonasit janë maqedonas. Kjo nuk është çështje politike, por e respektit bazë ndaj identitetit”, thuhet në reagimin e Mucunskit, ndërsa tha se takimi nuk ka qenë në nivelin e takimit zyrtar. “Dëshiroj të sqaroj se sot nuk patëm takim zyrtar bilateral. Patëm një shkëmbim të shkurtër fjalësh në margjinat e një ngjarjeje, në prani të disa kolegëve. Nëse një bisedë njëminutëshe quhet ‘takim’, atëherë sot vërtet patëm shumë ‘takime’”.
FILIPÇE KËRKON NDRYSHIME KUSHTETUESE, VMRO KUNDËRPËRGJIGJET
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ndërkohë reagoi duke thënë se Mucunski nuk e ka thënë të vërtetën për takimin. “Ka pasur ose nuk ka pasur takim, formal apo joformal, mesazhi nga Bullgaria është i qartë”, shkroi Filipçe. Ai theksoi se pa ndryshime kushtetuese dhe përfshirjen e pakicave, që ai e definon si çështje evropiane e jo bullgare, Maqedonia nuk do të mund të përparojë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Reagojnë nga VMRO-DPMNE. Nga partia në pushtet i kërkonë kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, të përgjigjet se me çfarë është i shantazhuar nga një grup politikanësh bullgarë për të udhëhequr, siç tha ai, “politikë antimaqedonase”. Kjo ishte pyetja që Manasievski ia drejtoi Filipçes në konferencën e sotme për media. Sipas Manasievskit, për të gjithë është e qartë se Filipçe është një politikan i korruptuar, i mbushur me krime, afera dhe skandale. “Në mungesë totale idesh për veprim politik, LSDM-ja dhe Filipçe mbrojnë interesat bullgare në vend të atyre maqedonase. I vetmi, por edhe më i zëshmi në shtet që kërkon zbatimin e kërkesave bullgare është pikërisht Venko Filipçe. Këtë e bën vetëm një politikan i shantazhuar”, tha Manasievski.
Ai shtoi se Filipçe është vetëm vazhdim i politikave të paraardhësit të tij, Zoran Zaev. Sipas tij, rejtingu i liderit të opozitës është vetëm tre për qind dhe më i ulët se ai i vetë partisë. “Dhe ai i njëjti guxon të flasë për procesin eurointegrues të shtetit, por qytetarët më nuk habiten nga deklaratat e tij, sepse prej tij as nuk priten ndonjëfarë rezultatesh”, shtoi Manasievski. Sipas Manasievskit, Filipçe menjëherë është vënë “në dispozicion” të presidentit bullgar Rumen Radev dhe ka deklaruar drejtpërdrejt se “nëse ai vjen në pushtet, çdo kërkesë të Bullgarisë, për hir të pushtetit, sigurisht që do ta përmbushë”.
Nga partia në pushtet vlerësojnë se qëndrime të tilla të LSDM-së mund të çojnë në zhdukjen e saj nga skena politike në vend. (koha.mk)




