Ministri në detyrë thekson se Qeveria e Kosovës nuk ka as kompetencë dhe as autoritet ligjor të kontrollojë marrëdhëniet kontraktuale të shit-blerjes së aksioneve brenda një kompanie.
“Nuk është as në dorë të Ministrit e as të Ministrisë që të jetë në rrjedha të çdo transaksioni. Procesi i regjistrimit në ARBK kërkon përfaqësues të kompanisë, jo edhe të dhëna për nacionalitetin e aksionarëve”, thotë ai.
Sipas tij, përqendrimi i vëmendjes në përkatësinë etnike të njërit prej aksionarëve është i rrezikshëm dhe i padrejtë.
“Nëse aksionari quhej Muhamed Ragipi, shqiptar nga Lugina por shtetas i Serbisë, a do të kishte jehonë të tillë lajmi? Jo. Atëherë pse gjithë kjo zhurmë për një boshnjak/musliman nga Novi Pazari?”
Peci ka ftuar gazetarët investigativë që të hulumtojnë procedurat e dhënies me qira dhe funksionalizimit të fabrikës, por ka theksuar se nuk ka asnjë shkelje ligjore që mund të justifikojë akuzat që janë bërë.
“Të njëjtit le ta gjejnë bazën ligjore që mundëson eliminimin e konkurrencës për shkak të shtetësisë së një aksionari. Kjo do të përbënte shkelje të rëndë ligjore dhe qasje diskriminuese”, deklaroi ai.
Peci përfundon duke paralajmëruar se do të jetë i gatshëm për sqarime publike në çdo studio televizive që nga dita e nesërme.




