Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar 134 mijë euro për servisimin e automjeteve zyrtare që janë në pronësi të saj dhe të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar për një periudhë prej një viti, tregojnë të dhënat nga faqja e Byrosë së Prokurimeve Publike. Nga ministria sqarojnë se këto 134 mijë euro nuk janë domosdoshmërisht shpenzim i detyrueshëm, pasi servisimi i automjeteve do të bëhet vetëm sipas nevojës,
Bëhet fjalë për tre kontrata të nënshkruara me kompani të ndryshme: njëra për furnizim dhe montim të gomave, dhe dy të tjera për servisimin e markave të ndryshme të automjeteve.
Me kompaninë e parë është nënshkruar kontratë në vlerë prej 1.180.000 denarë, me të dytën në vlerë prej 3.068.000 denarë, ndërsa kontrata me kompaninë e tretë, e publikuar në faqen e Byrosë së Prokurimeve Publike, është me vlerë prej 3.540.000 denarë.
Me këto mjete parashikohet të kryhen shërbime të servisimit mekanik, që përfshijnë furnizim dhe zëvendësim të pjesëve rezervë, ndërrim të gomave, shërbime të mekanikut, riparim të sistemeve të klimatizimit, punë elektrike dhe karrocerie, transport të automjeteve të prishura, si dhe furnizim dhe ndërrim të akumulatorëve, gjithçka sipas nevojës së Ministrisë së Shëndetësisë.
Gazeta “Slloboden Peçat” kërkoi sqarim nga ministria për numrin e automjeteve që përfshihen në këto kontrata, për çfarë përdoren ato, dhe nëse përfshihen automjete të institucioneve shëndetësore publike.
Nga Ministria sqarojnë: “Objekt i servisimit sipas këtyre tre kontratave janë 55 automjete. Këto automjete përdoren për nevojat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar. Në këtë kategori nuk përfshihen automjetet e spitaleve apo të institucioneve publike shëndetësore.”
Megjithatë, shtojnë se ministria e Shëndetësisë ka njësi rajonale në kuadër të Inspektoratit, dhe automjetet e atyre njësive përfshihen në këtë program servisimi.
Sipas Ministrisë, pjesa më e madhe e automjeteve janë më të vjetra se 15 vjet.
Ndërkohë, lidhur me automjetet e destinuara për transportin e pacientëve, në shtator, drejtori i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski, deklaroi se Qeveria planifikon të blejë 100 autoambulanca të reja. Ai sqaroi se në mbledhjen e Qeverisë është marrë vendim që Ministria e Shëndetësisë t’i blejë këto automjete me pagesë të shtyrë për pesë vjet – 80 ambulanca do të blihen në vitin 2026, ndërsa 20 të tjera në vitin 2027.




