Mjekësia dhe gjimnazet, drejtimet më të kërkuara

Interesimi më i madh për regjistrim vazhdon të mbetet për Shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” dhe Gjimnazin “Kiril Pejçinoviç”

Urim HASIPI

Tetovë, 21 maj – Gjithsej 1890 nxënës të shkollave fillore pritet të regjistrohen në pesë shkolla të mesme komunale dhe dy shkolla të mesme shtetërore në Tetovë. Ky numër është përafërsisht i njëjtë me vitin e kaluar, ndërsa semimaturantët do të kenë mundësi të zgjedhin mes shkollës së mesme të mjekësisë, dy gjimnazeve, shkollës ekonomike, shkollës tekstile, shkollës së bujqësisë dhe shkollës së muzikës. Si çdo vit, edhe këtë vit shkollat e mesme kanë prezantuar ofertat e tyre për semimaturantët. Interesimi më i madh për regjistrim vazhdon të mbetet për Shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” dhe Gjimnazin “Kiril Pejçinoviç”.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thotë se kushtet në shkollat e mesme janë duke u përmirësuar dhe se drejtimet janë përshtatur me kërkesat e tregut të punës. “Sipas të dhënave nga shkollat fillore në Komunën e Tetovës, janë 1.890 nxënës që pritet të regjistrohen në 49 paralele në gjuhën shqipe, 9 paralele në gjuhën maqedonase dhe 1 paralele në gjuhën turke”, deklaroi Kasami.

Sa i përket infrastrukturës së shkollave të mesme, në Tetovë aktualisht janë në ndërtim objekti i ri i Shkollës së mesme tekstile dhe objekti i ri i Gjimnazit “7 Marsi”. Punimet kanë nisur vitin e kaluar dhe, sipas paralajmërimeve, pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm. Për shkak të rrënimit të objektit të vjetër të shkollës tekstile, nxënësit aktualisht vijojnë mësimin në Shkollën fillore “Besa” në Reçicë të Vogël.

Ndërkohë, derisa në Tetovë po ndërtohen objekte të reja për dy shkolla të mesme, në fshatin Sellcë ende nuk po shihet fundi i ndërtimit të objektit të ri të Shkollës fillore “Rilindja”, projekt që nisi në fillim të vitit 2024. Nxënësit në këtë fshat vazhdojnë të mësojnë në një objekt shumë të vjetër, ndërsa një tjetër objekt që kishte nisur të ndërtohej që në vitin 2000 nuk u përfundua për shkak të erozionit të dheut. Fillimi i ndërtimit të objektit të ri rriti shpresat se Sellca më në fund do të sigurojë kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor, por dy vite pas nisjes së punimeve ende nuk dihet se kur do të përfundojnë ato.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, deklaroi se institucionet presin që me ribalancin e buxhetit të sigurohen mjetet e nevojshme për përfundimin e projektit. “Mbetet të shihet me ribalancin e buxhetit nëse do të sigurohen mjetet, por ne jemi optimistë se kjo do të realizohet. Si ministri kemi kryer procedurat tona dhe tani mbetet të përfundojë procesi i ribalancit të buxhetit”, deklaroi Sulejmani. Problem shtesë mbetet edhe numri i ulët i nxënësve që regjistrohen në klasë të parë në shumë shkolla të zonave malore. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm