Një nga problemet, të cilët vazhdojnë të jenë prezent tek dibranët e që shpeshherë paraqiten tek gjykata, është problemi i lëndëve që kanë të bëjnë me delikuentët minorenë, të cilët sipas Ligjit aktual, trajtohen në Gjykatën e Kërçovës. “Ulja e kompetencave të gjykatës në Dibër, me Ligjin aktual për gjykatat ka shkaktuar probleme”, thotë kryetari Mersim Marku
Vjollca SADIKU
Dibër, 21 shkurt – Me sistematizimin për punë të gjykatësve në Gjykatën Themelore në Dibër, nevojiten katër gjykatës, por disa vite me radhë, aktivitetet në këtë institucion realizohen me më pak gjykatës. Kjo situatë normalisht ndikon edhe në efikasitetin e gjykatës. Edhe pse nevojiten katër gjykatës, aktivitetet në fjalë i realizojnë dy gjykatës dhe kryetari i gjykatës, i cili përveç detyrave të tij, realizon edhe aktivitete të gjykatësit. Edhe pse cilësia e zgjidhjes së lëndëve ka qenë në nivel gjatë vitit 2024, ka patur probleme me efikasitetin, thonë në Gjykatën Themelore në Dibër. Gjatë vitit të kaluar, në këtë institucione gjyqësor janë pranuar gjithsej 8954 lëndë dhe së bashku me lëndët e pazgjidhura, 385 nga viti paraprak (nga viti 2023), gjithsej në punë kanë qenë 9333 lëndë. Këtë për gazetën KOHA e thekson kryetari i Gjykatës Themelore, Mersim Marku. Sipas tij, janë zgjidhur gjithsej 8888 lëndë dhe kanë mbetur pa u zgjidhur 445 lëndë.
“Gjykata Themelore në Dibër edhe pse ka patur mungesë të gjykatësve, ka dhënë maksimumin sa i takon cilësisë së lëndëve. Cilësia e lëndëve ka qenë në nivel si tek lëndët në sektorin civil ashtu edhe në sektorin penal. Shumë pak lëndë janë kthyer në rigjykim. Një vëmendje të veçantë iu kushtojmë lëndëve të vjetra. Në vitin 2024 në punë kanë qenë 261 lëndë, prej të cilëve 176 lëndë të harruara nga viti paraprak. Janë zgjidhur 78 lëndë të vjetra. Lënda më e vjetër është nga viti 2018”, thotë kryetari i gjykatës, Mersim Marku. Po sipas tij, gjykata disponon 15 porotë dhe bashkëpunimi me ata është shumë në nivel. Numri i porotëve është në përputhje me ligjin dhe kemi ndërmarrë të gjithë aktivitete të kemi porotë të rinj, ku dominojnë juristët e ri, me qëllim që ata të paraqesin edhe një kuadër për institucionin e gjykatës në Dibër në vitet e ardhshme.
Një vëmendje e veçantë në këtë gjykatë i kushtohet edhe marrëdhënieve me publikun dhe transparencës. Në veb faqen e institucionit vendosen të gjithë vendimet me përputhje me ligjin. Po ashtu, në përputhje me ligjin, gjykata organizon edhe vizita gjatë ditëve të hapura të institucionit dhe interesi është i madh veçmas nga të rinjtë. Një nga problemet, të cilët vazhdojnë të jenë prezent tek dibranët e që shpeshherë paraqiten tek gjykata, është problemi i lëndëve që kanë të bëjnë me delikuentët minorenë, të cilët sipas Ligjit aktual, trajtohen në Gjykatën e Kërçovës. “Ulja e kompetencave të gjykatës në Dibër, me Ligjin aktual për gjykatat ka shkaktuar probleme”, thotë kryetari Mersim Marku. Ai sqaron se duke marrë parasysh se kjo gjykatë mbulon Dibrën dhe Qendër Zhupën, ka nevojë që ti kthehen kompetencat që ka patur dikur kjo gjykatë.
“Kthimi i kompetencave do të ishte në interes të popullatës , por edhe në interes të institucionet”, thekson Marku dhe potencon se deri tani janë dërguar disa herë kërkesa në adresë të institucioneve kompetente. (koha.mk)