Këngëtarja me famë botërore, Beyonce, ka shfrytëzuar muret e jashtme të muzeut të famshëm “Gunggenheim” në SHBA, për të promovuar albumin e saj të ri, raporton Variety.
Por pasi drejtorët e muzeut panë postimin e Beyonces, reaguan duke thënë se këngëtarja nuk ka kërkuarautorizim për të përdorur muret e muzeut për një projektim të tillë.
“Muzeu Guggenheim nuk ishte informuar dhe nuk e ka autorizuar këtë lloj aktiviteti. Sidoqoftë, në e ftojmë publikun, duke përfshirë edhe Beyoncen dhe adhuruesit e saj të devotshëm, ta vizitojnë muzeun nga data 16 deri më 20 maj kur ta prezantojmë ekspozitën e artistes Jenny Holzer në ndërtesën tonë ikonike, në mënyrë që të festojmë hapjen e ekspozitës së saj të madhe”, ka thënë një përfaqësues i muzeut për Variety.
Disa adhurues kanë ndarë fotografi të objektit të muzeut në fjalë, ku nuk shihej projektori, duke thënë se aty nuk shihej asnjë lloj projektimi.
Të tjerë kanë thënë se projektimi i Beyonces është shfaqur vetëm për pak çaste. Ndërkohë që të tjerë kanë sugjeruar se imazhi që postoi Beyonce është ndonjë montazhë me programin “photoshop”.
Por çështja u ndërlikua edhe më shumë, pasi në llogarinë e muzeut në Instagram u postua një fotografi ku shihej piktura e artistit Franz Marc, vepër e vitit 1910, që quhet “Three Horses Drinking” (tre kuaj duke pirë) e nën postimin e kësaj pikture, në faqen e muzeut shkruhej “This ain’t Texas” ( ky nuk është Teksasi), fjali që i referohet këngës së Beyonces “Texas Holdem”, e cila është pjesë e këtij albumit të saj të ri, që po pritet të dalw në shitje.
Ndërkohë Beyonce, kur paralajmwroi në Instagram se albumi do të publikohet më 29 mars, ka shpjeguar se në këtë album ka qenë duke punuar që pesë vjet pasi kishte pasur një eksperiencë të pakëndshme diku ku nuk ishte ndjerë e mirëseardhur.
Kjo gjë pastaj ngjalli reagimin e mediave e adhuruesve, duke thënë se këngëtarja po i referohet një eksperience që ka ndodhur pesë vjet më parë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për muzikën e zhanrit “country”, ku ajo pati performuar këngën “Daddy Lessons” bashkë me grupin muzikor të njohur me emrin “Dixie Chicks”. Kjo ngjarje pati ngjallur reagimin e adhuruesve të zhanrit “country” të muzikës, duke kritikuar drejtuesit e spektaklit që i kanë kushtuar rëndësi kaq të madhe pop artistes në një ngjarje të muzikës ‘country’.
“Kritika me të cilën jam përballur kur për herë të parë hyra në këtë zhanër, më shtyu të kalojë përtej limiteve që mu vendosën. ‘Act II’ është rezultat i sfidimit që i bëra vetes duke marrë kohën që më duhej që t’i bashkoj zhanret në mënyrë që të krijoj këtë rezultat”, ka shkruar këngëtarja.