Ndahet nga jeta veterani i gazetarisë shqiptare, Nijazi Muhamedi

Është ndarë nga jeta sot veterani i gazetarisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Nijazi Muhamedi, një nga figurat më të shquara të medias shqiptare, i cili me punën dhe përkushtimin e tij la gjurmë të thella në gazetari dhe publicistikë.

Për dekada me radhë, Muhamedi ishte i angazhuar në media të ndryshme në gjuhën shqipe, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në informimin profesional të publikut. Për një periudhë të gjatë ai ishte pjesë e Radio Televizionit të Maqedonisë, ku ushtroi me përgjegjësi detyrat e gazetarit, redaktorit dhe drejtuesit, duke kontribuar në zhvillimin e gazetarisë profesionale në gjuhën shqipe dhe në afirmimin e standardeve të larta të profesionit.

Krahas veprimtarisë së tij në media, Nijazi Muhamedi ishte edhe publicist dhe autor i disa veprave, në të cilat trajtoi tema politike, historike dhe shoqërore që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Për shumë vite ai dha kontribut të vyer edhe si kolumnist i gazetës KOHA, ku me analizat dhe shkrimet e tij ofroi këndvështrime të argumentuara mbi zhvillimet politike dhe shoqërore.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë familjarët, kolegët, miqtë dhe opinionin publik. Ai do të kujtohet si një gazetar me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj fjalës së lirë dhe interesit publik.

Gazeta KOHA shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Muhamedi, miqve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve për këtë humbje të madhe. Vepra dhe trashëgimia profesionale që la pas Nijazi Muhamedi do të mbeten një pjesë e çmuar e historisë së gazetarisë dhe medias shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm