Ëhtë ndarë sot nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo. Ai do të përcillet për në banesën e fundit këtë të mërkurë (11 qershor) në orën 16:00, dhe do të prehet në varrezat e Sharrës
Alba Bungo, e bija e artistit të ndjerë, zbuloi se shkak për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta ishte prekja nga “sëmundja më e rëndë e shekullit”.
“Sot më duhet të bëj gjënë më të rëndë të jetës time: të të them ty mirupafshim përjetësisht. E kujt? Atij që desha më shumë në dynja, atij që më mësoi çdo gjë, atij që më falte çdo gjë, atij që i besoja çdo gjë. I shtrenjti im, që jetove aq bukur, me aq dinjitet—kot nuk të thërrisja mbret. Luftove me sëmundjen më të rëndë të shekullit dhe humbe! U prehsh në paqe dhe faleminderit që ishe babai im. Krenare gjithmonë pafundësisht për ty, mirënjohëse përulësisht për çdo gjë që më mësoje dhe dhurove. Ishe dhe do jesh dashuria më e madhe në dynja. Njerëzit e mëdhenj jetojnë ashtu siç jetove ti! E deshe dhe e respektove jetën ashtu siç vetëm ti dije. Lamtumirë derisa të takohemi siç vetëm ne të dy dinim. Ah, sa të dua i vogli im! U prehsh në paqe bashkë me engjëjt, engjëlli im!” shkroi e bija e Bungos në rrjetet sociale.
Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Ai kreu shkollën e lartë për aktrim “Aleksandër Moisiu” dhe më vonë një specializim për regji në Institutin e Lartë të Arteve.
Karriera e tij përfshin punën si regjisor në teatrin “Bylis” në Fier dhe më pas në Estradën e Shtetit, ku realizoi shfaqje me tematikë sociale dhe elemente të theksuara satire. Pas viteve ’90, ai themeloi teatrin privat “Rubairat”, një nismë kulturore disavjeçare në hyrje të Teatrit Kombëtar.
Në vitin 2002, Bungo emigroi në SHBA, por vijoi të jetë aktiv në fushën e artit. Ai ka shkruar drama dhe skenarë filmash, si “Pabesia”, “Pas fasadës”, si dhe ka interpretuar në film, duke spikatur me rolin e Bardhylit në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).
Në vitin 1998, ai themeloi televizionin privat “Combi” dhe në vitin 2001 u emërua anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së. Në vitin 2016 realizoi serialin “Rrokulisja”, i cili i referohej ngjarjeve të vitit 1997. Për një periudhë 4-vjeçare, nga viti 2021 deri në shkurt të 2025-ës, Bungo mbajti postin e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Me ndarjen nga jeta të Leka Bungos, arti dhe kultura shqiptare humbin një personalitet të rëndësishëm të angazhuar ndër dekada.