Bukuresht, 19 nëntor 2025 (MIA)- Në Bibliotekën “Ion Creanga” në Bukuresht dje u mbajt promovimi i romanit “Librat e babait” të akademikut dhe shkrimtarit të shquar, Luan Starova.
Promovimu u organizua nga Shtëpia Botuese Asdreni nga Craiova dhe Shoqata Liga e Shqiptarëve në Rumani (ALAR), në partneritet me Bibliotekën “Ion Creanga”. Në promovim ishin të pranishëm deputeti Bogdan-Alin Stoica, dr. Radu-Cosmin Savulescu, kryetar i ALAR-it, dr. Luan Topciu, koordinator i Qendrës Kulturore të ALAR-it si edhe Radu Antohi, sekretar shteti në Ministrinë e Arsimit dhe Kërkimit të Rumanisë.
Romani është botuar në gjuhën rumune në përkthim të Catalina Francu. “Librat e babait” konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të prozës së Starovës me mbi 20 përkthime në mbarë botën, duke e pozicionuar autorin ndër shkrimtarët më të përkthyer të rajonit. Në promovim morën pjesë edhe prof. dr. Gëzime Starova, bashkëshortja e autorit dhe prof. dr. Dita Starova-Qerimi, vajza e autorit të cilat shprehën mirënjohje për vëmendjen dhe mbështetjen që vepra e Luan Starovës vazhdon të gëzojë në Rumani.
Ky promovim shënon një hap të mëtejshëm në rrugëtimin ndërkombëtar të krijimtarisë së Luan Starovës, duke dëshmuar rëndësinë e tij të veçantë në letërsinë bashkëkohore.




