E mërkurë, 29 Tetor, 2025
18.8 C
Skopje

Në mesin e të dekoruarve edhe familja dibrane Ame

Në kuadër të projektit kombëtar “Kthim tek rrënjët  Kujtojmë dhe vlerësojmë”, Partia e Legalitetit e Shqipërisë në Shkodër organizoi një tubim mbarëkombëtar për të dekoruar familjet legaliste nga të gjitha trojet shqiptare. Në këtë event u dekorua edhe familja dibrane Ame, anëtarët e së cilës kanë mbajtur pozita të larta ushtarake në ushtrinë e mbretit shqiptar, Ahmet Zogu

Vjollca SADIKU

Dibër, 29 tetor – Në kuadër të projektit kombëtar “Kthim tek rrënjët – Kujtojmë dhe vlerësojmë”, Partia e Legalitetit e Shqipërisë në Shkodër organizoi një tubim mbarëkombëtar për të dekoruar familjet legaliste nga të gjitha trojet shqiptare. Në këtë event u dekorua edhe familja dibrane Ame, anëtarët e së cilës kanë mbajtur pozita të larta ushtarake në ushtrinë e mbretit shqiptar, Ahmet Zogu.

Në mesazhin e përfaqësuesve të udhëheqësisë zogiste, respektivisht të Partisë së Legalitetit, u theksua se qëllimi i këtij takimi është të nderohen familjet që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të madh për mbretërinë e Mbretit Ahmet Zogu, si dhe t’u jepet nderim i thellë bijve më të mirë të Shqipërisë, atyre legalistëve që u vranë, u burgosën dhe u persekutuan gjatë viteve të errëta të diktaturës komuniste. Ata që zgjodhën dinjitetin përpara frikës dhe atdheun përpara jetës së tyre.

Kryetari i Partisë së Legalitetit, Shpëtim Axhami, theksoi se kjo është një ditë nderimi dhe kujtese, kur historia jonë kombëtare “merr frymë me dinjitet dhe drejtësi”. “Sot, me këtë akt fisnik të Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe të Lartësisë së Tij, Princ Leka II, ne u rikthejmë vendin e merituar në histori burrave që nuk u përkulën para diktaturës, por mbetën të patundur në besimin e tyre ndaj Shqipërisë, lirisë dhe Mbretit. Legalistët antikomunistë ishin dhe mbeten bijtë më të ndershëm të këtij kombi, ata që zgjodhën rrugën më të vështirë, por më të drejtë; ata që nuk tradhtuan kurrë parimet mbi të cilat ngrihet një komb i vërtetë: nderi, besimi në Zot dhe dashuria për Atdheun”, u shpreh Axhami.

Dibranët, siç u theksua në fjalimet e pjesëmarrësve, kanë qenë përkrahës të mëdhenj të mbretërisë shqiptare.

Familja dibrane Ame u dekorua nga zogistët për kontributin e Memet Ames, i cili kishte qenë ushtarak i lartë në ushtrinë mbretërore. Duke marrë dekoratën, djali i tij, Zini Ame (93 vjeç), tha se ndihet krenar për rolin dhe vlerat që kishte babai i tij në mbretërinë e Zogut.
Në bisedën që zhvilluam në Dibër, Zini Ame tha për gazetën KOHA se në të gjitha lëvizjet kombëtare, Dibra ka dhënë një kontribut të madh. “Dibra, në të gjitha lëvizjet kombëtare, ka dhënë një kontribut të madh për kombin. Mbretëria shqiptare kishte një rol të madh për trojet shqiptare. Në atë kohë në Dibër kishte shumë përkrahës të legalitetit. Përveç familjes sonë, ka qenë edhe familja Cami, e cila kishte udhëheqës ushtarakë në mbretërinë e Zogut, por edhe familje të tjera”, u shpreh Zini Ame.

Në takimin e Shkodrës, me të drejtë u theksua se dinjiteti, liria dhe përkushtimi ndaj kombit janë sot po aq të gjalla sa në ditët e sakrificës, theksoi 93-vjeçari Ame. (koha.mk)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm