E diel, 28 Shtator, 2025
16.8 C
Skopje

Në Modavi sot mbahen zgjedhjet parlamentare, qytetarët vendosin mes BE-së dhe Rusisë

Qytetarët e Moldavisë i drejtohen këtë të diel kutive të votimit. Votuesit do të vendosin nëse vendi do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, apo do të kthehet nën hijen e ndikimit rus, mes akuzave serioze për ndërhyrje nga Kremlini.

Presidentja pro-perëndimore Maia Sandu dhe partia në pushtet e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), e cila ka shumicën parlamentare, përballen me një sfidë të vështirë nga Blloku Zgjedhor Patriotik, një aleancë forcash pro-ruse nostalgjike për ish-Bashkimin Sovjetik të udhëhequr nga ish-Presidenti Igor Dodon, të cilin Sandu e mundi në vitin 2020.

“Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të përcaktojë të ardhmen e Moldavisë për dekadat e ardhshme,” deklaroi Igor Grosu, kreu i PAS dhe aleat i ngushtë i Sandusë, i cili pritet të emërohet kryeministër nëse partia ruan shumicën.

Sipas The Guardian, sondazhet tregojnë se PAS mbetet partia më e madhe, por mund të humbasë kontrollin e plotë në parlament. Blloku Patriotik ndodhet shumë pranë në sondazhe, ndërsa partitë e vogla pritet të kenë rol vendimtar në formimin e qeverisë.

Në mes të garës është edhe blloku “Alternativa”, i udhëhequr nga kryebashkiaku i Kishinaut Ion Ceban dhe ish-kandidati presidencial Alexandru Stoianoglou. Edhe pse deklarohet si pro-evropian, kritikët e akuzojnë se është një “Kali i Trojës për Kremlinin”.

Rusia akuzohet për ndërhyrje masive në zgjedhje

Autoritetet moldave dhe burime perëndimore kanë akuzuar Rusinë për një fushatë të gjerë ndërhyrjeje në zgjedhje. Javën e kaluar, 250 persona u arrestuan për përfshirje në një komplot për të shkaktuar trazira, financuar nga Moska.

Një investigim i agjencisë Reuters zbuloi se dhjetëra priftërinj janë paguar nga rrjete ruse për të ndikuar votuesit kundër qeverisë së Sandusë.

Ndërkohë, shërbimi sekret rus SVR ka akuzuar NATO-n se po përgatitet të pushtojë Moldavinë në rast të një “mashtrimi zgjedhor” — pretendime që nuk janë mbështetur me asnjë provë konkrete.

Një zyrtar perëndimor tha se Moldavia është kthyer në prioritet të politikës së jashtme ruse, menjëherë pas Ukrainës.

Evropa po e ndjek nga afër situatën në Moldavi. Përfaqësues nga Franca, Gjermania dhe Polonia vizituan së fundmi Kishinaun për të shprehur mbështetjen ndaj ambicieve evropiane të vendit. Edhe Presidenti Zelensky, nga foltorja e OKB-së, paralajmëroi:
“As Europa nuk mund ta humbasë Moldavinë.” (Panorama.al)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm