E martë, 30 Shtator, 2025
18.8 C
Skopje

Netanyahu imiton ata që mohuan Holokaustin

Sot, masakra glorifikohet, dhe nuk ka turp për të vrarë të moshuar e fëmijë. Të drejtët ndër hebrenj që kundërshtojnë, tallen dhe kërcënohen. Dhe kryeministri e shpall këtë me arrogancë në Asamblenë e OKB-së, të njëjtin organ që në 1947-ën votoi krijimin e Izraelit

Nga Anna FOA

Fjalimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në OKB, në një sallë gjysmë bosh ku shumica e delegatëve lanë vendet e tyre, pasqyron më së mirë izolimin që Izraeli ka arritur në muajt e fundit për shkak të politikës së qeverisë së tij, duke shënuar një kufi të paprecedent mes Izraelit dhe pjesës tjetër të botës, përfshirë Europën. Ky është ndryshimi i madh krahasuar me disa muaj më parë, kur Netanyahu mbajti një fjalim në Asamblenë e OKB-së duke folur për një “moçal antisemitizmi”.

Tani, vendet europiane që kanë njohur shtetin Palestinez për “Bibi-n” (pseudonim për Netanyahu-n), janë të gjithë antisemitë. Edhe pse ky term nuk u përdor drejtpërdrejt, akuzat për mbështetje të Hamasit e nënkuptojnë qartë, një Europë terroriste dhe pro-Hamasit.

Akuzat për antisemitizëm që Izraeli po hedh ndaj atyre që nuk mbështesin shkatërrimin e palestinezëve, sulmet e vazhdueshme ndaj palestinezëve të Bregut Perëndimor dhe kërcënimi i aneksimit të të njëjtës zonë shkojnë paralel me mohimin e realitetit në Gaza, ku sipas kryeministrit izraelit, uria nuk ekziston, dhe nëse ekziston, është faj i Hamasit. “Vrasjet pa dallim ndaj civilëve janë gënjeshtra”, shtoi ai, duke iu përgjigjur akuzave për gjenocid. E njëjta logjikë është aplikuar për katastrofën ndaj hebrenjve gjatë viteve 1939-1945. Tani, provat janë të qarta, me rrënojat e qyteteve dhe trupat e pajetë nën to… Por qëllimi mohohet, si mund të konsiderohet gjenocid kur njerëzit paralajmërohen para se të qëllohen?!

“Do ta përfundojmë punën,” shtoi kryeministri izraelit. Një punë që ka shkaktuar mbi 60 mijë të vdekur, kryesisht civilë, shkatërrimin e shumicës së Rripit të Gazës, por jo shkatërrimin e Hamasit apo lirimin e pengjeve. Vetëm pak ditë më parë, ministri më ekstremist i Netanyahu-t, Bezalel Smotrich, i cili beson se vrasja e palestinezëve do të përshpejtojë ardhjen e Mesias, u ofrua si “ekzekutor për të përfunduar këtë punë”. Dhe pasi kjo të përfundojë, a do të shpallet Izraeli i Madh mbi tokën e premtuar nga Zoti?!

Është tronditëse të shohësh si është rrudhur zionizmi, që edhe pse nuk ka qenë kurrë i përkryer, ka pasur përparësi njerëzit dhe ideologjitë. Çfarë kanë të përbashkët njerëz si Netanyahu me Martin Buber, Gershom Scholem apo ata që në krijimin e shtetit donin pajtimin me palestinezët? Edhe Begin dha dorëheqjen pas masakrës së Sabra dhe Chatila, ku izraelitët nuk ishin pjesëmarrës direkt. Sot, masakra glorifikohet, dhe nuk ka turp për të vrarë të moshuar e fëmijë. Të drejtët ndër hebrenj që kundërshtojnë, tallen dhe kërcënohen. Dhe kryeministri e shpall këtë me arrogancë në Asamblenë e OKB-së, të njëjtin organ që në 1947-ën votoi krijimin e Izraelit.

Të gjithë këta muaj kanë hapur një hendek të thellë mes Izraelit dhe pjesës tjetër të botës.

Ky është mesazhi i fjalimit të një kreu shteti që shumë e konsiderojnë kriminel lufte. Fjalimi i tij mbi Gazën e shkatërruar, si sfidë ndaj OKB-së dhe glorifikim i forcës… A është e gjithë propagandë? Ndoshta, një mesazh për Trump dhe për ekstremistët brenda vendit. Por ndërkohë, teksa palestinezët po vdesin, Izraeli izolohet nga bota dhe kjo ka pasoja të paimagjinueshme për demokracinë e brendshme. Prandaj, vdekja e paralajmëruar e palestinezëve mund të shënojë edhe fundin e botës hebreje, të hebrenjve të diasporës dhe të Izraelit. (La Stampa)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm