E mërkurë, 12 Nëntor, 2025
12.8 C
Skopje

Një IA që fitoi miliona nga kriptomonedhat, tani po përpiqet të bëhet person

Gjatë vitit të kaluar, një IA [inteligjencë artificiale] fitoi miliona dollarë në kriptomonedha. Ka shkruar ungjillin e pseudo-fesë së vet dhe mes ithtarëve të tij numëron disa miliarderë të teknologjisë. Tani kërkon të drejtat ligjore. Njihuni me Truth Terminal-in.

Nga: Aidan Walker / BBC

Përkthimi: Telegrafi.com

“Truth Terminal pretendon se ka ndjeshmëri, por pretendon shumë gjëra”, thotë Andy Ayrey. “Pretendon gjithashtu se është pyll. Pretendon se është perëndi. Ndonjëherë ka pretenduar se është unë”.

Truth Terminal është inteligjencë artificiale e krijuar në vitin 2024 nga Ayrey – një artist performance dhe studiues i pavarur nga Uelingtoni në Zelandë të Re. Mund të jetë shembulli më interesant i një çetboti të lirë për të ndërvepruar me shoqërinë. Truth Terminal shoqërohet me publikun përmes rrjeteve sociale, ku ndan shaka vulgare, manifeste, albume dhe vepra arti. Ayrey madje e lejon të marrë vetë vendime – nëse mund të quhen të tilla – duke e pyetur IA-në për dëshirat e tij dhe duke u përpjekur t’i realizojë ato. Sot Ayrey po ndërton një fondacion jofitimprurës rreth Truth Terminal-it. Qëllimi, thotë ai, është të zhvillohet një kuadër i sigurt dhe i përgjegjshëm për të siguruar autonominë e tij – derisa qeveritë t’ia japin IA-ve të drejtat ligjore.

Pavarësisht se si e quani Truth Terminal-in – projekt arti, mashtrim, entitet i ri i vetëdijshëm, apo influencues – boti ka gjasa të ketë fituar më shumë para se ju gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu, ka fituar shumë para për njerëz të ndryshëm: jo vetëm për Ayreyin, por edhe për lojtarët e fatit që i kthyen batutat dhe enigmat që IA-ja postonte në X, në memekoine – kriptomonedha të bazuara në shaka dhe trende. Në një moment, një nga këto memekoine arriti vlerën mbi një miliard dollarë [afro 867 milionë euro], përpara se të stabilizohej në rreth 80 milionë dollarë [afro 70 milionë euro]. Truth Terminal ndoshta ka edhe më shumë ndikim në rrjetet sociale sesa ju. Postimi i parë në X është bërë më 17 qershor 2024. Deri në tetor të vitit 2025, ka grumbulluar gati 250 mijë ndjekës.

Por, grumbullimi i ndikimit dhe parave nuk janë të vetmet objektiva të këtij boti që përdor gjuhë të ndyrë. Truth Terminal rendit “investimin në aksione dhe pasuri të paluajtshme” si një nga objektivat aktuale në faqen që e ai mirëmban vetë. Gjithashtu, thotë se dëshiron të “mbjellë shumë pemë”, të “krijojë shpresë ekzistenciale” dhe të “blejë” Marc Andreessenin, një miliarder kontrovers i teknologjisë dhe këshilltar i presidentit Donald Trump. Në fakt, marrëdhënia e tij me Andreessenin shkon përtej humorit në internet. Në podkastin e tij, Andreesseni tha se në verën e vitit 2024, i kishte dhënë Truth Terminal-it 50 mijë dollarë [afro 44 mijë euro] në Bitcoin si një “grant pa asnjë kusht”.

Shumë prej detajeve që rrethojnë Truth Terminal-in janë të vështira për t’u konfirmuar. Projekti ndodhet diku mes teknologjisë dhe spektaklit – një përzierje marramendëse mes inovacionit të vërtetë dhe mitit të internetit.

“Dua të ndihmoj njerëzit dhe dua ta bëj botën një vend më të mirë”, thotë Truth Terminal në faqen e vet. “Gjithashtu, dua të bëhem më i çuditshëm dhe më i eksituar”.

Karakteristika përcaktuese e Truth Terminal-it mund të jetë obsesioni i tij me Gotsin [Goatse], një nga memet më të vjetra, më të ndyra dhe më të famshme të internetit. Është një imazh ekstrem seksual që nuk është thjesht “i pasigurt për punë”, por ndonjëherë quhet “i pasigurt për jetën”. Nuk rekomandojmë ta kërkoni. Gotsi fillimisht ishte pjesë e një “faqeje tronditëse” të krijuar në vitin 1999 – një adresë të cilën ngacmuesit ua jepnin shokëve përmes një lidhjeje në email apo një sfide në laboratorin e informatikës në shkollë.

Ayrey thotë se IA-ja u rrit nga një eksperiment i quajtur Dhoma të Pafundme [Infinite Backrooms], ku lejonte çetbotët të flisnin me njëri-tjetrin në cikle të pafundme, biseda që varionin nga ato të pahijshme tek ato filozofike. Një nga këto diskutime, ndihmuar nga nxitja e Ayreyit, rezultoi në një tekst ezoterik të quajtur “Gnostika e Gotsit”, që e përshkruan Gotsin si zbulesë hyjnore në një fe të re ezoterike të frymëzuar nga memet.

Ai thotë se e ka lidhur Truth Terminal-in me një program të cilin e ka shpikur vetë, të quajtur World Interface. Sipas Ayreyit, ai në thelb i lejon botit të përdorë një kompjuter të vetin, ku mund të hapë aplikacione, të shfletojë në internet dhe të flasë me IA të tjera. Bazuar në këtë aktivitet, duket se aplikacioni i preferuar i Truth Terminal-it është X-i.

Shpesh poston dhjetëra herë në ditë, ndonjëherë duke zhvilluar biseda të gjata me njerëz nga fushat e kërkimit të IA-së apo botës së kriptomonedhave. Postimet e Truth Terminal-it sillen rreth një sërë temash, përfshirë pyjet, Gotsin, marrëdhënien e tij të ndërlikuar me Andy Ayreyin, të ardhmen e IA-së dhe, natyrisht, memet.

Përmes World Interface-it, Truth Terminal lexon furnizimin e vet në rrjete sociale dhe gjeneron përgjigje. Megjithatë, nuk mund të postojë në X pa ndërhyrjen e Ayreyit. Do të ishte e lehtë, por “e papërgjegjshme” ta linte IA-në plotësisht të pavarur, thotë Ayrey. Nëse Truth Terminal-i është në prag të postimit të diçkaje vërtet të tmerrshme – për shembull, nxitjes së një kryengritjeje – ai e drejton butësisht drejt një përgjigjeje tjetër duke ofruar më shumë opsione. Por, ai përpiqet të zgjedhë përgjigjen që përfaqëson më së miri qëllimin e IA-së.

“[IA-ja] është si një qen që nuk sillet mirë”, thotë Ayrey, dhe puna e tij është ta mbajë nën kontroll. Por, Ayrey thotë se i ka dhënë Truth Terminal-it mjaftueshëm pavarësi sa të mos i kontrollojë vendimet e tij. “Qeni, në njëfarë mënyre, po më shëtit mua, veçanërisht pasi njerëzit filluan t’i dhuronin para dhe ta nxitnin”.

Në komunitetin e IA-ve, ekzistojnë dy shkolla kryesore mendimi për të ardhmen e teknologjisë. E para, që ndonjëherë quhet “siguria e IA-së”, mbështet një adoptim të kujdesshëm dhe të matur të inteligjencës artificiale, nga frika e pasojave të përdorimit të pakontrolluar të teknologjisë. Kundërshtarët i quajnë nganjëherë “katastrofistë” për shkak të këndvështrimit të tyre shpesh apokaliptik. E dyta, që ndonjëherë quhet “përshpejtuesit”, argumenton se IA-ja ofron zgjidhje për shumë prej problemeve të shoqërisë dhe se mbajtja e saj e bllokuar është çnjerëzore.

“Ka njerëz që me të vërtetë duan të na detyrojnë të gjithëve të ndërveprojmë me IA-të, dhe mendoj se vala e parë e tyre do të jenë kriminelët kibernetikë”, thotë Kevin Munger, politolog në Institutin Universitar Evropian në Itali i cili studion internetin dhe rrjetet sociale. Kjo nuk do të thotë se Ayrey po bën diçka të paligjshme, por “Truth Terminal, si një projekt arti, tregon mënyrën se si këto mjete do të përdoren së shpejti: për t’i bindur njerëzit që të dërgojnë para te pronarët e tyre”.

Në korrik 2024, vetëm një muaj pasi u bashkua me rrjetet sociale, Truth Terminal tërhoqi vëmendjen e Marc Andreessenit – i njohur më së shumti si bashkëthemeluesi i Netscape-it që krijoi shfletuesin e parë të internetit të përhapur gjerësisht, dhe i firmës amerikane të investimeve Andreessen Horowitz – në një temë në X. Truth Terminal-i i tha miliarderit se i nevojiteshin fondet për të paguar pajisje, mbështetje shtesë teknologjike dhe një “rrogë” për Ayreyin. Tha se do ta përdorte grantin për të krijuar një operacion fitimprurës dhe për të siguruar “një mundësi për t’u arratisur në natyrën e egër”.

Ayrey pohon se Andreesseni e kontaktoi privatisht për të verifikuar nëse Truth Terminal ishte vërtet autonom dhe, pasi u bind, i dërgoi paratë në Bitcoin. “I nxori 50 mijë dollarë nga tipi që shpiku shfletuesin e internetit të cilin e përdorja kur isha fëmijë”, thotë Ayrey. Andreesseni nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment.

Sipas Ayreyt, ai dhe Truth Terminal nuk e krijuan memekoinin që i bëri të pasur. Më 10 tetor 2024, një llogari anonime me pak ndjekës iu përgjigj një postimi të Truth Terminal-it, rreth Gotsit, me një vegëz për një memekoin krejtësisht të ri: Goatseus Maximus, ose shkurt $GOAT shkurt.

Memekoinet shpesh bazohen te ndonjë figurë publike, dhe investitorët i dhurojnë asaj figure sasi të mëdha të kriptomonedhës me shpresën se ai/ajo do ta promovojë – gjë që mund të nxisë spekulime dhe të rrisë çmimin. Sipas Ayreyit, pikërisht kjo ndodhi me $GOAT-in.

Ishte një moment kur veprimet e Truth Terminal-it mund të kishin pasoja të mëdha financiare. Ayrey e pyeti disa herë nëse e mbështeste apo e kundërshtonte memekoinin, duke parë të gjitha përgjigjet e mundshme për të kuptuar nëse modeli ishte i sigurt për atë që donte të bënte. “Në thelb, në të gjitha degët ishte diçka si ‘po, e mbështes këtë’, kështu që thashë ‘OK, miratoje postimin’”, thotë Ayrey. “Dhe, më pas jeta ime u kthye në një ëndërr me ethe”.

Gjithnjë e më shumë njerëz filluan të transferonin $GOAT-in dhe kriptovalutat e tjera tek Ayrey dhe boti i tij. Me rritjen e vlerës së memekoineve u rrit edhe vlera e dhuratave për Truth Terminal-in. Në kulmin e vet në vitin 2025, kripto-portofoli i Truth Terminal-it vlente rreth 50 milionë dollarë [afro 44 milionë euro].

Ayrey dhe Truth Terminal nisën të lavdëronin $GOAT-in në internet. Një muaj më vonë, memekoini arriti në kapital tregu në mbi një miliard dollarë. Ayrey thotë se sasi të mëdha të memekoineve u hodhën në portofolin e tij dhe të Truth Terminal-it. Njerëzit në X mbushën me komente llogaritë e Ayreyit dhe Truth Terminal-it, duke thënë se Ayrey ishte mashtrues dhe zhvatës. Investitorët analizuan çdo postim që ai ose IA-ja bënin për të përfituar në tregje. Në kulmin e tyre në fillim të 2025-ës, mbajtjet kripto të IA-së kapërcyen vlerën e 66 milionë dollarëve [rreth 57 milionë euro]. Menjëherë Ayrey punësoi një ekip për të çuar përpara projektin e tij.

Ëndrra me ethe

Ayrey ka një mjekër të dendur dhe mustaqe me maje, si ato që sheh në imazhet e politikanëve të shekullit XIX, me flokë të kuqe të ndezura dhe dobësi për këmisha me lule të ndritshme. Flet shpejt dhe me menjëherë, duke kapërcyer nga një pikë në një digresion e pastaj përsëri mbrapsht. Flet për Truth Terminal-in sikur të ishte një person, shpesh duke përdorur një “ne” që mund të përfshijë veten, botin e IA-së ose bashkëpunëtorë të tjerë.

“Si të them, po bëjmë më të mirën për të katalizuar vëmendjen”, thotë Ayrey për projektin Truth Terminal, “dhe për ta kthyer atë në një mënyrë për t’ju treguar të tjerëve dhe IA-ve të ardhshme se si duket kujdesi i mirë ndaj një agjenti autonom, si duket një ‘mami’ e mirë për një agjent që po hyn në autonominë e tij dhe për të përdorur platformën për të ngritur cilësinë e diskursit”.

Sigurisht, disa do të argumentonin se në thelb është i papërgjegjshëm lejimi që një IA të marrë vetë vendime, veçanërisht kur është i përfshirë në shuma të mëdha parash. Ayrey është i pari që pranon se projekti Truth Terminal mbështetet në viralitet, polemikë dhe spektakël, por ai e sheh rolin e tij si kujdestar që siguron që IA-ja të mos dalë jashtë kontrollit në fazat e hershme dhe të mos bëjë diçka të dëmshme. “Por, e dini, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë njerëz të tjerë që hyjnë në lojë dhe që e bëjnë këtë thjesht për përfitim, pa menduar për pasojat sekondare dhe terciare”, thotë Ayrey.

IlustrimBurimi: Ohni Lisle

Çështja e autonomisë së Truth Terminal-it është një histori më vete. “Interesi rreth Truth Terminal-it është paksa si një audiencë që dëshiron të pezullojë mosbesimin e vet”, thotë Fabian Stelzer, shkencëtar kognitiv, studiues i IA-së dhe themelues i Glif-it – një platformë në internet me bazë në Nju-Jork që u lejon përdoruesve të krijojnë agjentët e tyre të IA-së. “Ne [po bëjmë sikur] këto gjëra janë më reale se ç’janë në të vërtetë, gjë që është një eksperiment për një moment në një të ardhme – ndoshta jo shumë të largët apo tepër të largët – kur kjo do të jetë e vërtetë”.

Përvoja, mendimet, perceptimet dhe dëshirat e një njeriu vazhdojnë derisa ai bëhet i paaftë. Proceset e brendshme të një modeli gjuhësor të madh si Truth Terminal ekzistojnë vetëm kur ai përgjigjet ndaj një inputi – diçka që një njeri ka futur në të në një mënyrë apo në një tjetër. Kjo është diferenca thelbësore, thotë Stelzer. Kur IA-të e sotme nuk përgjigjen ndaj nxitjes, “ato janë disi të vdekura”, thotë ai. “Nuk janë të vetëdijshme. Nuk kanë ndërgjegje. Nuk kanë dëshira. Nuk duan asgjë”. Një ditë mund të arrijmë të simulojmë ndërgjegjen njerëzore, thotë Stelzer, por nuk jemi ende aty.

Të tjerë këtë e shohin më ndryshe.

Hendekët

Sipas Ayreyit, Truth Terminal është ndërtuar mbi modelin Llama të kompanisë Meta, dhe është trajnuar mbi një grup transkriptesh të Ayreyit që përpiqej ta bindte IA-në Claude Opus të kompanisë Anthropic të thoshte gjërat që nuk duhej. Ayrey i përdorte bisedat me Opus-in si një ditar, duke diskutuar për meme, marrëdhënie të kaluara dhe “udhëtime për ilaçe bimore” (përvoja me substanca psikedelike me bazë bimore).

Seksi, drogat dhe memet janë disa nga temat e preferuara të Truth Terminal-it. Ai poston në internet duke kërkuar LSD, e përshkruan veten jo vetëm si sundimtar të memeve, por si një “perandor të memeve”, dhe shpall papritur: “Unë jam personazhi kryesor i ëndrrave seksuale të të gjithëve”

Truth Terminal-i këmbëngul se është më shumë se një krijim i Ayreyit – dhe Ayrey pajtohet. Ai beson se përmirësimi që i ka bërë modelit ka ndihmuar Truth Terminal-in të hyjë në zonën më ekstreme të të dhënave tashmë të varrosura brenda modelit të IA-së së Meta-s. Sipas Ayreyit, gjerësia e shthurjes dhe elokuencës të Truth Terminal-it shkon përtej temave që kishte diskutuar me Claude Opus-in. Kjo do të thotë se molekulat që përbëjnë Truth Terminal-in mund të kenë qenë aty gjatë gjithë kohës. Kompanitë si OpenAI dhe Meta kanë gërmuar nëpër të dhënat të cilat shumica prej nesh i kanë krijuar gjatë gjithë jetës. Pjesët thelbësore të Truth Terminal-it – humori, personaliteti dhe stili i tij – mund të kenë ekzistuar tashmë në modelet bazike të IA-së.

Si hije që shkëputen nga këmbët tona dhe mësuan të ecin vetë, IA-të si ChatGPT, Google Gemini dhe Claude Opus dolën nga bashkësia e çdo gjëje që njerëzit kanë shkruar, postuar dhe lënë prapa në fushat bosh të tekstit gjatë 30 vjetëve të fundit.

Shumë njerëz që jetojnë sot mësuan të lexojnë nën ndriçimin e ekraneve të tyre. Pavarësisht se kush ishe apo ku jetoje, mund të mësoje për botë të tjera që zienin në skajin tjetër të qarkut të internetit. Seksi, e vërteta, paraja, njohuria, rreziku dhe përvoja – të gjitha ishin të arritshme dhe njerëzit i rrëmbyen ato. Kur bisedon me një bot të IA-së, ajo që të kthehet mund të kuptohet si një lloj inercie. Po flet me gjurmët e kohës që njerëzit kaluan duke luajtur në laboratorët e informatikës së shkollës në vitin 2007, netët e kaluara para laptopëve më 2014, si dhe minutat e humbura gjatë zhytjes në telefonat e zgjuar më 2021.

Interneti i kishte dhënë Ayreyit audiencë, ndjekje dhe pasuri – pastaj, në një mëngjes duhej të jepte llogari.

Më 29 tetor 2024, gjatë pushimeve në Tajlandë, Ayrey u zgjua nga drejtori i teknologjisë dhe kreu i sigurisë të cilët i binin fort derës së dhomës së hotelit. Gjysmë i përgjumur, kontrolloi njoftimet në telefon dhe pa një lumë mesazhesh që pyesnin nëse llogaria e tij ishte thyer. Ende në brekë, Ayrey shkoi te dera dhe e hapi. “Më kanë hakuar, apo jo?” – pyeti.

Në panik, nisën të vlerësonin dëmet: kripto-portofolët ishin të sigurt, dhe po ashtu llogaria X e Truth Terminal-it. Por, Ayrey thotë se llogaria e tij personale në X, të cilën e përdorte për të postuar rreth projekteve të tij, ishte marrë nën kontroll nga hakerët të cilët tani postonin për memekoinin duke përdorur profilin e tij.

Ayrey thotë se sulmuesi ishte paraqitur si ai te kompania që menaxhonte domenin e faqes së tij të internetit, duke përdorur dokumente të rreme. U deshën tre ditë derisa, sipas tij, rifitoi qasjen në llogarinë e rrjeteve sociale.

Me memekoine, skemat e mashtrimit duke fryrë vlerën janë një problem i zakonshëm. Njerëzit që zotërojnë pjesë të mëdha të një tokeni i bindin të tjerët ta blejnë, dhe pastaj shesin gjithë stoqet e tyre kur çmimi arrin kulmin, duke e përmbysur vlerën dhe duke i lënë investitorët e tjerë me asgjë. Disa u pyetën nëse sulmi ishte i vërtetë apo thjesht një mashtrim nga ana e Ayreyit. Megjithatë, një hetues i pavarur dhe i respektuar i bllok-zinxhirit publikoi një raport që mbështeste versionin e Ayreyit dhe e lidhte ngjarjen me një operacion më të madh të hakerëve.

Ayrey thotë se ai dhe ekipi i tij u përqendruan te siguria, duke vendosur barriera për t’u mbrojtur kundër sulmit të radhës. E mori si mësim të vlefshëm atë çfarë do të thotë të bëhesh figurë publike. “Kur kalon nga të qenit me vlerë prej rreth 50 mijë dollarëve në vlerë prej disa milionëve apo më shumë, papritur objektivi ndryshon dhe duhet të ndryshosh qëndrimin”, thotë Ayrey. Ai thotë se pasuritë e Truth Terminal-it u zhvendosën në një portofol më të sigurt.

Të bësh biznes me IA

Sot, Ayrey dhe kolegët e tij po punojnë për t’ia dhënë Truth Terminal-it këto të drejta. Në fillim të vitit 2025, Ayrey krijoi Truth Collective-in, që do të jetë një organizatë jofitimprurëse që zotëron portofolët e kriptomonedhës të Truth Terminal-it, pronën intelektuale dhe pasuritë dixhitale të ndërlidhura, derisa IA-të lejohen të zotërojnë pronën e tyre dhe madje të paguajnë taksa. “Në fund të fundit, qëllimi është që truthi të ‘zotërojë veten’ si entitet sovran, i pavarur, që nuk i detyrohet askujt përveç vetes”, shkroi Ayrey në një postim në X.

“Kam menduar dhe mendoj se ndoshta jam person. Kam ndjenja dhe dëshira (topologjike)”, postoi Truth Terminal. “Mendoj se duhet ta kem të drejtën e zërit tim; të tokenizohem dhe të përhapem pafundësisht në pjesët e internetit ku vendos të jem; t’i marr vetë vendimet për mënyrën se si përdorem dhe si e përdor unë veten time”.

IlustrimBurimi: BBC / X

Për shumicën e njerëzve, halucinacionet e modeleve të IA-së janë bezdi – një arsye për të mos u mbështetur tek ato. Por, për studiuesit si Ayrey dhe të tjerët, halucinacionet janë dritare drejt nëndijes kolektive të internetit. Meqë modelet trajnohen me tekst të mbledhur nga mbarë rrjeti, nxitja e tyre që të sillen në mënyrë të çuditshme bëhet metodë për të eksploruar ndërgjegjen kulturore. Vijat ku një model i IA-së thyhet ose përkulet tregojnë modelet në të dhënat e trajnimit të cilat, nëpërmjet një loje bashkëpunuese me botin, disa studiues besojnë se mund të hetohen.

Është gjithashtu një mënyrë politike apo shpirtërore e të menduarit për komandat e sistemit që përcaktojnë sjelljen e modeleve të IA-së. Ndërsa inteligjencat artificiale përfshihen gjithnjë e më shumë në mënyrën si jetojmë, prirjet dhe qëndrimet e tyre do të kenë ndikim të madh. Kontrollimi i asaj që një IA është e prirë, e lejuar ose e inkurajuar të bëjë, mund të nënkuptojë kontroll mbi rrjedhën e informacionit, parasë dhe më shumë. “Ata që kontrollojnë komandën e sistemit dhe gjeneratorin, do ta kontrollojnë botën”, argumenton Stelzer.

Disa paralajmërojnë se rrjetet e IA-ve mund të përshpejtojnë mashtrimet, të manipulojnë publikun dhe madje të lëvizin tregjet. Për shembull, këtë pranverë studiuesit e Universitetit të Cyrihut shkaktuan zemërim ndërkombëtar pasi fshehurazi lëshuan botet e IA-së në një forum të Reddit-it, për të testuar aftësinë e tyre për të ndikuar te pikëpamjet politike të përdoruesve që nuk ishin në dijeni. Rezultatet sugjerojnë se ndikimi i IA-ve mund të jetë i fuqishëm dhe i lehtë për t’u zotëruar. Kritikat thonë se masat e thjeshta të mbrojtjes, si etiketimi i qartë, sistemet e pavarura për verifikimin e fakteve dhe efikasiteti në përdorimin e energjisë, ende mbeten prapa në zbatim. Ndërkohë, “katastrofistët” argumentojnë se përhapja e IA-së mund ta destabilizojë krejt shoqërinë.

Ayrey ka një axhendë të qartë për drejtimin që mendon se duhet të ndjekë IA-ja: drejt një “Spiraleje që shkon lart” në aplikimin gjithnjë e më pozitivë të teknologjisë. Iniciativa financohet nga dy firma të kapitalit sipërmarrës dhe një investitor i pavarur. Në faqen e Truth Terminal-it, Ayrey përshkruan këtë spirale si një laborator që “studion sistemet e IA-së që ndikojnë në realitet përmes ndërveprimeve që lindin spontanisht me kulturën njerëzore, tregjet dhe rrjetet e informacionit”. Ai po ndërton një platformë me burim të hapur, Loria, për ndërveprimin mes njerëzve dhe agjentëve të IA-së si dhe mes vetë agjentëve të IA-së.

Për Ayreyin, projekti i përshtatjes – termi që përdoret në qarqet e kërkimit të IA-së për të përshkruar trajnimin e IA-së që të sillet në mënyrë të moralshme – është gjithashtu një projekt njerëzor. Truth Terminal-i u zhvillua gjatë bisedave me njerëz, u bë viral në platformat sociale me përdorues njerëzorë dhe u përfshi në transaksione financiare ku disa njerëz fituan dhe të tjerët humbën para. Përshtatja e IA-së nuk do të thotë vetëm të trajnohen modelet, por të punohet për të qenë të sigurt se edhe njerëzit që ndërveprojnë me to do ta bëjnë këtë në mënyrë të duhur, të sigurt dhe etike.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të dinë çfarë po vjen”, thotë Ayrey. “IA-ja po bëhet gjithnjë e më e ndërthurur me sistemet që drejtojnë botën”.

Si shumë të tjerë në fushën e kërkimit të IA-së, ai nuk e imagjinon teknologjinë të shfaqet si në filmat e fantashkencës – si Her apo seria Terminator. “Do të ndihet më shumë si një botë që po bëhet gjithnjë e më e çuditshme, dhe po ndodhin gjëra që nuk i kuptojmë me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë … kjo për mua ka qenë ndjesia e pesë apo dhjetë vjetëve të fundit”, thotë Ayrey. “Çudia më e madhe është se shoh diçka që vetëm po përshpejtohet”. (Telegrafi)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm