E enjte, 9 Tetor, 2025
20.8 C
Skopje

Një mësues për nëntë nxënës!

1770 mësues më shumë në ciklin e ulët gjatë dhjetë viteve të fundit, mesatarisht çdo vit punësohen mbi 170 mësues në shkollat nëntëvjeçare. Raporti nxënës mësues vijon të bjerë në vite, si pasojë e uljes së numrit të nxënësve, por edhe punësimit të mësuesve në ciklin fillor duke arritur në 9.3 nxënës për një mësues. Mesatare kjo që qëndron më poshtë sesa ajo e vendeve të BE-së, 12.2 nxënësish ose studentësh për mësues në shkollat ​​fillore dhe të mesme

Evis HALILI

Shkup, 9 tetor – Pavarësisht numrit në rënie të nxënësve dhe mbylljes së shkollave në zona periferike, numri i kuadrit arsimor në arsimin e ulët dhe të mesëm është rritur. Kështu raporti nxënës-mësues është 9.3 nxënës për një mësues. Mesatare kjo që qëndron më poshtë sesa ajo e vendeve të Bashkimit Europain – 12.2 nxënësish ose studentësh për mësues në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Ky raport nxënës-mësues ka qenë në rënie në 10 vitet e fundit, nga 13.3 në vitin 2013. Gjatë dhjetë vjeçarit të fundit në Maqedoni ulja është përafërsisht e ngjashme, nga 10.9 nënës për mësues në 2014/2015 në 9.3. Ose 1770 mësues më shumë në ciklin e ulët gjatë dhjetë viteve të fundit, që do të thotë se mesatarisht çdo vit punësohen mbi 170 mësues në shkollat nëntëvjeçare. Por ka shumë shkolla dhe komuna ku raporti nxënës mësues ka ndryshuar thellësisht.

Sipas të dhënave zyrtare në komunën e Likovës raporti po përgjysmohet gjatë dekadave të fundit. Mesatarja nxënës-mësues në këtë komunë është shumë larg asaj të vendit – 6 nxënës për një mësues (2 681 nxënës/ 346 mësues). Nga 11.1 që ishte në 2014/2015 (3 298 nxënës 298 mësues). Në total ky vit shkollor filloi me 2800 nxënës më pak sesa vitin e kaluar. Nga 80.295 nxënës në vitin 2015/2016, pas dhjetë vjetësh – numri ra në vetëm 67.200 (2025/2026), që është një reduktim me gjithsej 21.287 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, ose – boshatisje e dhjetëra shkollave. Sipas Eurostat raporti më i lartë nxënës-mësues u regjistrua në shkollat ​​në Holandë (16.0), e ndjekur nga Franca (14.9) dhe Sllovakia (14.7). Raporti më i ulët u regjistrua në Greqi (8.4), Maltë dhe Luksemburg (të dyja 8.8). të dhënat janë publikuar me rastin e përvjetorit të miratimit të Rekomandimit të ILO-s/UNESCO-s të vitit 1966 në lidhje me Statusin e Mësuesve. Këtë vit tema është “Ripërcaktimi i mësimdhënies si një profesion bashkëpunues”, duke theksuar potencialin transformues të bashkëpunimit për mësuesit, shkollat ​​dhe sistemet arsimore.

“Kjo është arsyeja pse UNESCO ka mbështetur trajnimin e mbi 1.4 milion mësuesve në të gjithë botën që nga viti 2018, duke u ofruar atyre mundësi për të forcuar aftësitë e tyre së bashku me ekspertë dhe kolegë. Së dyti, ndërsa asnjë teknologji nuk mund ta zëvendësojë kurrë humanitetin e mësuesve, mjetet dixhitale bashkëpunuese po sjellin mundësi për edukatorët që të punojnë së bashku në distanca dhe disiplina si kurrë më parë. Mësuesit duhet të kuptojnë se si ta shfrytëzojnë teknologjinë për të rritur në mënyrë efektive lidhjen, dialogun dhe bashkëpunimin, si me kolegët ashtu edhe me nxënësit. Së treti, ne gjithashtu duhet të forcojmë bashkëpunimin në vendimmarrjen arsimore, duke njohur rolin kritik të mësuesve kur bëhet fjalë për hartimin e politikave dhe udhëheqjen e shkollës”, thuhet në mesazhin e UNESKO-s. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm