Mustafa reagoi ashpër ndaj prindërve dhe institucioneve arsimore duke thënë se nëse familja dhe shkolla dështon në edukimin e fëmijëve, atëherë ne do përballemi me një shoqëri të dështuar e cila problemet i zgjidh me dhunë, nevojat i plotëson me kërcime dhe dënimeve u ik me para
Anëmsha SHABANI
Shkup, 5 mars – Rebelimi në pubertet konsiderohet normal. Por psikologët thonë se ajo që është shqetësuese është se dhuna në adoleshencë është përhapur gjithnjë e më shumë në vitet e fundit, dhe ata që jetojnë me adoleshentë shqetësohen gjithnjë e më shumë. Nga një bisedë e gazetës KOHA me psikologët e vendit kuptuam që ekzistojnë shumë faktorë se pse te rinjtë në kohën e sotshme janë agresiv, bullizues dhe të dhunshëm. Ata thanë se thelbi kryesorë prej ku fillon te krijohet njeriu si personalitet është familja.
Psikologja Lindita Mustafa deklaroi për gazetën KOHA në lidhje me këtë fenomen, ku sipas saj kur prindi mungon në jetën emocionale dhe sociale të fëmijës së tij dhe nuk ka komunikim te shëndoshë, atëherë këto fëmijë do t’i edukoj rruga, “TikToku” dhe rrjetet sociale të ngjashme, ku si pasojë e atij edukimi ndodhin këto që po ndodhin.
“Duke e marrë parasysh jetën dinamike dhe kushtet ekonomike ne vendin tonë, prindërit sot janë të fokusuar në sigurimin e kushteve për familjen dhe fatkeqësisht duke vrapuar pas të mirave materiale, janë duke anashkaluar pjesën emocionale të fëmijëve. Sot ka rrallë prindër që ulen dhe bisedojnë me fëmijët e tyre, duke u interesuar si e kanë kaluar ditën në shkollë, ku ka shkuar pas shkolle dhe me cilin është shoqëruar. Fatkeqësisht sot përballemi me prindër që në jetën e fëmijëve janë vetëm figura ose plotësues së nevojave materiale”, tha Mustafa.
Nga ana tjetër, nxënësit e shkollës së mesme theksojnë se konflikti vjen nga asgjë, ku një shikim agresiv mjafton për të nisur një sherr. “Konflikti fillon vetëm se e shikojnë njëri tjetrin në sy, duke nisur nga ajo se përse më shikove. Megjithatë konflikte mes të rinjve ka pasur edhe gjatë shkollës fillore, madje edhe në kopsht. Mendoj që e gjithë kjo vjen si rezultat i familjes por edhe shoqërisë”, tha një nxënës i shkollës së mesme.
Nxënësit shtojnë se konfliktet në vend po ndodhin si shkak i joaftësisë së komunikimit, kur mendimet që nuk mund të shprehen me fjalë po veprohen me dhunë. Mustafa reagoi ashpër ndaj prindërve dhe institucioneve arsimore duke thënë se nëse familja dhe shkolla dështon në edukimin e fëmijëve, atëherë ne do përballemi me një shoqëri të dështuar e cila problemet i zgjidh me dhunë,nevojat i plotëson me kërcime dhe dënimeve u ik me para. “Nëse fëmija juaj në shtëpi është i ‘padukshëm’, atëherë nevojën për t’u treguar se ekziston është i fortë dhe i rëndësishëm e shfaq ne shkollë me bashkëmoshatarët kur ato i frikësohen në atë mënyrë dhe e plotëson egon e vet dhe për të treguar se ekziston dhe se është prezent, e për t’a arritur këtë, zakonisht fëmijët përdorin dhunën”, theksoi ajo.
Ndryshe, nga Komiteti i Helsinkit theksojnë se krimet e urrejtjes nuk ndodhin në një vakum, ato janë një manifestim i dhunshëm i paragjykimit që depërton më tej në komunitetin e gjerë. Prandaj, është e nevojshme të forcohen masat parandaluese, ndër të tjera, duke ndërmarrë hapa për të edukuar publikun në lidhje me vlerat e diversitetit kulturor dhe përfshirjes, me një fokus të veçantë tek fëmijët dhe të rinjtë. (koha.mk)



