Kompania amerikane e inteligjencës artificiale, OpenAI, ka njoftuar se së shpejti do të lejojë përmbajtje më të gjerë në platformën ChatGPT, përfshirë edhe përmbajtje erotike, por vetëm për përdorues të verifikuar si të rritur. Sipas CEO-së Sam Altman, qëllimi është të “trajtohen të rriturit si të tillë”, duke ruajtur një qasje të kontrolluar dhe të sigurt. Altman shtoi se sistemi do të bëhet më “njerëzor” në ndërveprim, por përdoruesit do të kenë mundësinë të zgjedhin vetë këtë mënyrë komunikimi. Këto ndryshime pritet të hyjnë në fuqi nga dhjetori, me vendosjen e plotë të sistemit të verifikimit të moshës.
Ky vendim vjen në një kohë kur kompania përballet me presion publik dhe ligjor për mënyrën se si platformat e AI ndikojnë te fëmijët dhe të miturit.
Në fillim të vitit, OpenAI u padit nga prindërit e një 16-vjeçari që vrau veten, pas bisedave shqetësuese me ChatGPT, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve prindërore dhe mbrojtjen e përdoruesve të rinj. Ekspertë ligjorë dhe organizata për të drejtat e fëmijëve kanë kritikuar vendimin e OpenAI për lejimin e përmbajtjes erotike, duke paralajmëruar se rreziku i aksesimit të saj nga fëmijët mbetet i lartë dhe verifikimi i moshës nuk është ende i besueshëm. Ndërkohë, ligjvënës në SHBA po shqyrtojnë projektligje për ta klasifikuar chatbot-in si produkt të rregulluar me ligj, çka do të lejonte përdoruesit të ngrenë padi ndaj kompanive për dëme të shkaktuara nga AI.





