Në përballjen e parë parazgjedhore për Çairin në televizionin Telma, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, goditi politikisht kundërshtarin e tij, Izet Mexhitin.
“Ka raportime mediatike që ngrohtorja është privatizuar dhe se në strukturën pronësore figurojnë bashkëpunëtorët më të afërt të kundërshtarit tim. Prandaj them: në Çair duhet prerë rrënja e problemit – përparësia që i jepet interesit komercial dhe korrupsionit”, tha Osmani.
Ai përshkroi mënyrën se si është drejtuar komuna si një sistem klientelist e privatizues që ka shkelur interesin publik në Çair.
“Çairi mund të rregullohet – ka burime të mjaftueshme. Por ato me vite kanë përfunduar aty ku nuk duhet. Unë hyj me ndershmëri, disiplinë dhe përkushtim, ashtu si në çdo institucion që kam udhëhequr, dhe dal pa asnjë njollë”, theksoi Osmani.
Me një ton të ashpër politik, Osmani hapi disa pyetje që, sipas tij, kërkojnë përgjigje urgjente.
“Kush dhe pse e privatizoi ngrohtoren? Kush përfiton ndërkohë që qytetarët paguajnë fatura të larta dhe thithin ajër të ndotur? A është Çairi peng i rretheve oligarkike të afërta me Mexhitin?”, pyeti Osmani.
Ai paralajmëroi tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe theksoi domosdoshmërinë e përgjegjësisë publike.
“Premtoj publikisht: nëse për 100 ditë korrupsioni nuk ulet në zero në Çair, unë nuk vazhdoj më tutje. Le të gjykojë publiku. Emri im nuk është monedhë për pazare nën tavolinë”, deklaroi Osmani.
Në pjesën që lidhej me energjetikën, Osmani e lidhte këtë temë me fotografinë më të gjerë politike të institucioneve të kapura.
“Gazifikimi – po. Sisteme moderne dhe transparente ngrohjeje – po. Por së pari duhet ta kthejmë kontrollin tek qytetarët”, tha ai.
Osmani theksoi se nga këto zgjedhje nuk kërkon asgjë për vete, por që Çairi të rifitojë paratë, rrugët dhe dinjitetin e vet.
“Kjo nuk është vetëm një fushatë, kjo është një betejë kundër mafies urbane dhe klientelizmit. Do t’i hapim të gjitha librat, do t’i ndërpresim shantazhet dhe do t’ia kthejmë komunën qytetarëve. Çairi meriton ajër, rregull dhe drejtësi – jo monopole private dhe arka partiake”, përfundoi Osmani.