E enjte, 9 Tetor, 2025
20.8 C
Skopje

Osmani: Masa ekonomike për të rinjtë dhe gratë – subvencione, grante dhe shkollë për gratë sipërmarrëse

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot mbajti një konferencë për shtyp në rrugën e njohur si “Rruga e Plastikave”, ku së bashku me kandidatët për këshilltarë bisedoi me pronarët e dyqaneve dhe ua prezantoi programin në pjesën e masave ekonomike. Siç theksoi ai, fokusi është vendosur te të rinjtë dhe gratë si bartës të zhvillimit ekonomik lokal.

“Çairi është ndoshta komuna më e dendur në Evropë, me 80.000 banorë në vetëm 3,5 kilometra katrorë, prej të cilëve më shumë se 14% janë të rinj nën moshën 30 vjeç. Prandaj është shumë e rëndësishme të krijohet një perspektivë ekonomike për këtë gjeneratë, përmes angazhimit dhe mbështetjes së tyre ekonomike”, deklaroi Osmani. Ai njoftoi për formimin e Qendrës për Inovacione dhe Biznese, e cila do t’u mundësojë të rinjve sipërmarrës mbështetje këshilluese dhe teknike për zhvillimin e ideve dhe nismave të tyre start-up.

“Komuna do të krijojë një qendër ekspertësh për t’u ndihmuar të rinjve me idetë e tyre, me zhvillimin e nismave të tyre sipërmarrëse dhe bizneseve të vogla”, tha Osmani.

Në kuadër të programit janë paraparë subvencione për të rinjtë që do të nisin biznesin e tyre, si dhe grante për pagat e para të kompanive që do të punësojnë të rinj. Një pjesë e veçantë e programit ekonomik është dedikuar fuqizimit ekonomik të grave. Osmani njoftoi për krijimin e shkollës ose akademisë së parë për gratë në zejtarinë, ku pjesëmarrëset do të fitojnë certifikata për hapjen e bizneseve të tyre.

“Komuna do t’i subvencionojë këto biznese, sepse gratë duhet të kenë mundësi të bëhen pjesë aktive e ekonomisë lokale të Çairit”, theksoi Osmani. Ai gjithashtu njoftoi për formimin e një Këshilli Ekonomiko-Social, i cili një herë në muaj do t’i bashkojë komunën, komunitetin e biznesit dhe organizatat rinore, për të përcaktuar strategjinë e zhvillimit të mëtejshëm lokal.

“Kjo është pjesë e paketës që me siguri do ta realizojmë. Por për përparim të vërtetë ekonomik, duhet ta hapim rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe fondeve evropiane, të cilat janë çelësi i energjisë së re ekonomike në komunë”, theksoi Osmani. Ai shtoi se për të pasur zhvillim ekonomik lokal, duhet të ketë edhe zhvillim ekonomik kombëtar, gjë që aktualisht nuk po ndodh për shkak të udhëheqjes së dobët të politikës së jashtme dhe ekonomike nga ana e qeverisë.

“Por nuk mund të fillohet asnjë projekt pa folur për perspektivën e vetme që u jep shans të rinjve, që i jep shans shtetit. Dhe ajo është integrimi në Bashkimin Evropian. E dini që para pesë muajsh e lamë vendin me negociata të filluara me BE-në. Tani, ajo perspektivë është plotësisht e bllokuar. Ajo më nuk është pjesë e debatit publik. Askush më nuk flet për të ardhmen evropiane. Qindra miliona euro nga fondet e BE-së, të cilat sot i shfrytëzojnë Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet e tjera të rajonit, Maqedonia nuk i shfrytëzon. Vetë bllokada e rrugës drejt integrimeve ka bërë që investitorët e huaj të mos kenë më interes për këtë vend”, theksoi Osmani.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm