Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët deklaroi se programi i tij është rezultat i një procesi të kujdesshëm të identifikimit të problemeve reale me të cilat përballen qytetarët, dhe jo i improvizimeve parazgjedhore.
“Ne kemi një program, të cilit, kur nisa ta hartoj, fillimisht iu qasa si baba, si prind, pastaj si mjek, e vetëm më pas si politikan. Zakonisht, kur hartohen programet zgjedhore, përgatiten projektet dhe mënyrat për realizimin e prezantimin e tyre. Por unë fillova ndryshe. Thashë: së pari t’i identifikojmë problemet, e pastaj për ato probleme të gjejmë zgjidhje,” deklaroi Osmani.
Ai theksoi se asnjë projekt në programin e tij nuk është zgjedhur rastësisht, por buron nga nevojat reale të qytetarëve.
“Projekti që po e prezantoj nuk është një ide që më ka lindur nga hiçi, por një problem që ne e kemi identifikuar, sepse po e mbyt Çairin, dhe për të kemi gjetur zgjidhje. Për çdo problem, ne kemi ofruar zgjidhje,” nënvizoi Osmani.
Ai shtoi se kjo qasje buron nga takimet e drejtpërdrejta me grupe të ndryshme qytetarësh, ndër ta pensionistët, çiftet e reja dhe banorët e ndërtesave me fasada të vjetra dhe ashensorë jofunksionalë.
“Dje dola me pensionistët dhe iu drejtova atyre, jo sepse dua të fitoj përkrahjen e tyre – natyrisht që e dua dhe ajo ka rëndësi për mua – por kryesisht sepse në procesin e identifikimit të problemeve kemi evidentuar edhe vështirësitë e tyre,” tha Osmani.