E enjte, 9 Tetor, 2025
20.8 C
Skopje

Parku “Mali Sharr” ndihmohet me 10 milionë denarë

Krahas kësaj, mjetet e ndara pritet të kenë ndikim edhe në zhvillimin e eko-turizmit dhe të përmirësojë mbrojtjen e trashëgimisë natyrore Në ndërkohë, Parku Kombëtar “Mali Sharr” vazhdon me aktivitete të ndryshme në aspektin e rregullimit të infrastrukturës për vizitorët në Malin Sharr

Urim HASIPI

Tetovë, 9 tetor – Ndarja e mjeteve për Parkun Kombëtar “Mali Sharr” nga ana e Qeverisë është mirëpritur nga ky institucion. Ndarja e mjeteve në vlerë prej 10 milionë denarë vjen në një kohë institucioni që drejton me Parkun Kombëtar “Mali Sharr”, ballafaqohet me probleme financiare dhe jo vetëm. “Qëllimi i ndarjes së mjeteve ka të bëj me përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre zonave të mbrojtura, ndërsa bazuar në kërkesat e dorëzuara nga të dy institucionet, Qeveria vendosi që me ribalancin e buxhetit për vitin 2025 të ndan 10 milionë denarë për Ndërmarrjen Publike ‘Malin Sharr’ dhe 12.6 milionë denarë për Ndërmarrjen publike ‘Pelister’, në formë subvencionesh kapitale për ndërmarrjet publike”, thonë nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Mjetet e ndara do të përdoren për pagesën e borxheve që ka ky institucion por edhe për destinime tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga rreziqet e ndryshme. “Këto fonde do të përdoren për mbështetje të obligimeve të papaguara ndaj të punësuarve dhe realizuesve të projekteve në këto dy parqe, sigurim të pajisjeve moderne për prognozë të përkohshme dhe monitorim të rreziqeve nga zjarret pyjore dhe përmbytjet si dhe implementimin e teknikave inovative për mbrojtjen dhe gatishmërinë e qytetarëve në kuadër të projektit PREVENT nga programi IPA 2”, theksuan nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Krahas kësaj, mjetet e ndara pritet të kenë ndikim edhe në zhvillimin e eko-turizmit dhe të përmirësojë mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.

“Me këtë mbështetje financiare, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor synon të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm të parqeve nacionale, të nxisë zhvillimin e eko-turizmit dhe të përmirësojë mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe biodiversitetit në këto zona me rëndësi të veçantë kombëtare.Parqet kombëtare kanë rëndësi të veçantë për shtetin, pasi ato zhvillojnë aktivitete për mbrojtjen e natyrës, menaxhimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin e ekoturizmit, ndërsa janë destinacionet më të rëndësishme turistike, ku realizohen projekte për përmirësimin e infrastrukturës, edukimin mjedisor dhe promovimin e trashëgimisë natyrore”, njoftuan nga dikasteri i Ekologjisë. Në ndërkohë, Parku Kombëtar Mali Sharr vazhdon me aktivitete të ndryshme në aspektin e rregullimit të infrastrukturës për vizitorët në Malin Sharr.

“Janë vendosur 6 strehimore në lokacione kyçe edhe atë në Leshnica e Poshtme, rruga drejt shtëpisë malore Luboten, nën Majën e Titos, rruga drejt Tre Ujërave, tek Guri i Rrafshët dhe Lokva e Poshtme. Këto objekte ofrojnë strehim nga moti i keq dhe kontribuojnë në një përvojë më të sigurt dhe më të këndshme për të gjithë dashamirët e natyrës”, njoftuan nga institucioni Parku Kombëtar “Mali Sharr”. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm