Parti me dy kryetarë!

Të shtunën (17.02) në Kongresin e partisë, Ziadin Sela u zgjodh kryetar i Aleancës së Shqiptarëve, vetëm një ditë pasi tabori i Arben Taravarit i dhanë mbështetje këtij të fundit dhe e rizgjodhën kryetar të partisë. Po kush është në realitet kryetari legal i partisë?

 

Zenel MIFTARI

Shkup, 19 shkurt – Beteja për pozitën e liderit në Aleancën për Shqiptarët dhe ndarja në dy kampe po merr vrull në prag të zgjedhjeve të pranverës. Të shtunën (17.02) në kongresin e partisë, Ziadin Sela u zgjodh kryetar i Aleancës së Shqiptarëve, vetëm një ditë pasi tabori i Arben Taravarit i dhanë mbështetje këtij të fundit dhe e rizgjodhën kryetar të partisë. Po kush është kryetari legal i partisë? Dilemat vazhdojnë për këtë çështje, pasi në kongresin e jashtëzakonshëm të Kuvendit Qendror të kësaj fundjave u miratua iniciativa për shkarkimin e Taravarit, ku votuan 591 delegatë nga 837 që ka partia. “I siguroj qytetarët dhe anëtarët e Aleancës për Shqiptarët se do të bëhemi edhe më të fortë dhe më konkurrues që të dalim dhe të përballemi me qytetarët në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i fitojmë ato zgjedhje”, tha Sela.

I pyetur se kush është tani kryetar legali partisë, Sela u përgjigj se është kryetari që zgjidhet siç është shkruar në Statutin e partisë dhe shtoi se të drejtën për t’u zgjedhur apo shkarkuar e ka anëtarësia e partisë dhe organeve të partisë, jo Taravari ose Sela. Ai akuzoi Taravarin për një sërë shkeljesh duke filluar nga kodi i etikës së partisë dhe duke përfunduar me statutin, i cili është shkelur në disa nene.

 

KUSH KË E SHKARKOI

“Sot nuk kam shkarkuar askënd, por kam qenë vetëm një nga ata që kanë votuar”. Kryetar legal është ai që zgjidhet aty ku përgjegjësia jepet nga kryetari i partisë dhe nga kushdo tjetër i zgjedhur nga zyrtarët e Aleancës për Shqiptarët. “Javën e kaluar kemi pasur një Kuvend Qendror ku kryetari i partisë ka vendosur që të mos vijë dhe të ikë nga përgjegjësia”, tha Sela duke shtuar se muajt e fundit Aleanca për Shqiptarët ka qenë e vendosur në pazar për partitë e tjera politike, ndërkaq i bëri thirrje Taravarit që të respektojë vendimin.

Ndërkaq, njohësit e proceseve politike thonë se ngjarjet e fundit në ASH se cili do e merr timonin e kësaj partie, më tepër ka të bëjë me egon e ish-kryetarit Ziadin Sela dhe njerëzve për rreth tij të cilët nuk mund të pajtohen me faktin që kjo parti është drejtuar nga Arben Taravari.

“Nëse i analizojmë zhvillimet politike në këtë parti dhe në përgjithësi në vend, mendoj se përçarja që ndodhi më shumë ka të bëjë me karrierën politike të një grupi se sa me ndarjen në nivel shtetëror apo siç e pohojnë tani ‘për Evropë’  në kohën kur të gjithë shqiptarët janë për integrimin në Bashkimin Evropian.  Mbështetjen më të madhe në te votuesit unë mendoj se e ka Arben Taravari për shumë arsye dhe një ndër ato është zona ku ai ka fituar dy herë pra në Gostivar dhe rajonin e Pollogut. Kjo i jep një avantazh atij shumë më të lartë karshi krahut të  Selës i cili nuk arriti të fitojë në Strugë, kurse në Tetovë pësoi një disfatë  në zgjedhjet e fundit lokale”, deklaroi Azizi.

 

PASOJAT JURIDIKE

Por edhe mbështetësit e Taravarit po kërkojnë të njëjtën gjë. Përmes një kumtese me shkrim, ata thanë se statuti i Aleancës për Shqiptarët, në nenin 51, parashikon se Komisioni Statutor do të udhëheq punimet e kongresit të jashtëzakonshëm në të cilin vendoset shkarkimi i kryetarit të partisë. “Përveç manipulimeve dhe falsifikimeve që i paraprinë këtij Kongresi farsë, ne si anëtarë legjitimë të komisionit statutor të partisë, i kujtojmë ish-kryetarit të Kuvendit, Ziadin Sela, se Kuvendi i partisë më 21 janar 2023 zgjodhi Komisionin Statutar me Përbërja vijuese: Ardian Limani (kryetar), Kujtim Neziri, Bashkim Bakiu, Syria Rashidi dhe Atnan Neziri (anëtarë)”, thanë ata.

Krahu i Taravarit akuzon për falsifikim, me të cilin Sela ka emëruar anëtarët e vet të Komisionit Statutar dhe bën të ditur se “falsifikime të tilla do të kenë pasoja juridike”. Ndryshe, ndarja në parti filloi pasi Taravari deklaroi se do të mbështesë opozitën shqiptare në zgjedhje dhe Sela tha se partia nuk është konsultuar dhe se do të shkojnë në zgjedhje të pavarur. Taravari dhe liderët e partive opozitare të shqiptarëve, nga ana tjetër, këto ditë konfirmuan zyrtarisht koalicionin dhe nënshkruan deklaratën për bashkim në zgjedhjet e ardhshme. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm