Pas disa vitesh, së shpejti qyteti me tualet publik

Ndërmarrja Publike “Standardi” ka ndërmarrë aktivitete konkrete për ta rikthyer në funksion tualetin nëntokësor, i cili prej vitesh nuk përdorej. Objekti është pastruar plotësisht, ndërsa pritet vlerësimi i institucioneve lokale për të parë nëse ekzistojnë kushte për riaktivizimin e tij. Në rast se kjo nuk është e mundur, autoritetet paralajmërojnë ndërtimin e një tualeti të ri publik

Vjollca SADIKU

Dibër, 24 dhjetor – Pas disa vitesh pa asnjë tualet publik funksional, qyteti i Dibrës pritet së shpejti të zgjidhë një problem serioz që ka shqetësuar si qytetarët, ashtu edhe vizitorët. Mungesa e tualetit publik ka qenë veçanërisht problematike për vizitorët ditorë që vijnë nga vendbanimet rurale të Dibrës, Qendra Zhupë, fshatrat e Komunës Mavrovë-Rostush, si dhe nga Shqipëria.

Pavarësisht reagimeve të shumta ndër vite, Dibra deri më tani nuk ka pasur WC publike në funksion. Drejtoria e Ndërmarrjes Komunale Publike “Standardi” ka ndërmarrë aktivitete konkrete për ta rikthyer në funksion tualetin nëntokësor, i cili prej vitesh nuk përdorej. Objekti është pastruar plotësisht, ndërsa pritet vlerësimi i institucioneve lokale për të parë nëse ekzistojnë kushte për riaktivizimin e tij. Në rast se kjo nuk është e mundur, autoritetet paralajmërojnë ndërtimin e një tualeti të ri publik.

Drejtori i NPK “Standardi”, Nertil Osmani, për gazetën KOHA tha se mungesa e tualetit publik është një problem serioz që kërkon zgjidhje urgjente. “Është e pakuptimtë që një qytet si Dibra të mos ketë tualet publik. Për disa vite, qyteti ka mbetur pa një shërbim bazik, edhe pse dikur ekzistonte një tualet i ndërtuar para rreth tri dekadash. Ai nuk ka funksionuar vazhdimisht për shkak të pozicionit nëntokësor”, thekson Osmani. Sipas tij, aktualisht është kryer pastrimi i objektit ekzistues dhe institucionet kompetente do të vlerësojnë nëse ai mund të vihet sërish në funksion. “Nëse nuk ka kushte teknike për riaktivizimin e tij, atëherë për një kohë të shkurtër do të ndërtohet një tualet i ri publik”, shton Osmani, duke theksuar se pushteti vendor është i vendosur ta zgjidhë këtë çështje.

Reagime dhe kritika për mungesën e tualetit publik ka pasur vazhdimisht edhe nga qytetarët. Fadil M., banor i Dibrës prej viteve ’80, thotë se në të kaluarën qyteti kishte tualet publik, si edhe qytetet e tjera të vendit. “Objekti ku ishte tualeti publik u adaptua për nevojat e ndërmarrjes publike dhe më pas u ndërtua një tualet nëntokësor, i cili pothuajse kurrë nuk u vu në funksion për shkak të problemeve me kanalizimin. Nuk ka logjikë që qyteti të mbetet pa tualet publik”, shprehet ai.

Problemi ka qenë më i theksuar për vizitorët, të cilët, në mungesë të tualetit publik, janë detyruar të shfrytëzojnë tualetet e restoranteve dhe kafiterive në qytet. Pronarët e këtyre objekteve thonë se përballen me vështirësi për shkak të fluksit të vizitorëve që hyjnë vetëm për këtë nevojë. Po ashtu, shpesh është shfrytëzuar edhe tualeti i xhamisë së re në Dibër. Çështja e mungesës së tualetit publik është diskutuar disa herë edhe në seancat e Këshillit Komunal, si dhe në takime të shoqatave qytetare. Sipas paralajmërimeve, Dibra pritet që gjatë vitit 2026 të ketë sërish një tualet publik funksional, duke i dhënë fund një problemi shumëvjeçar që ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme dhe imazhin e qytetit. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm