Për herë të parë, shkencëtarët në SHBA kanë krijuar embrione njerëzore duke përdorur ADN nga qeliza të lëkurës dhe më pas duke i fekonduar me spermë. Kjo teknikë premtuese mund të sjellë revolucion në trajtimin e infertilitetit, veçanërisht për ata që nuk mund të prodhojnë vezë apo spermë, si dhe për çiftet e së njëjtës gjini që dëshirojnë fëmijë biologjikë. Procesi është zhvilluar nga studiuesit në Universitetin Shkencor dhe Shëndetësor të Oregonit.
Ata morën bërthamën, pjesën që përmban materialin gjenetik, nga një qelizë lëkure dhe e vendosën në një vezë dhuruese nga e cila ishte hequr ADN-ja origjinale.Kjo metodë ngjan me teknologjinë që u përdor për krijimin e deles Dolly, kloni i parë i një gjitari.
Më pas, vezës së re iu kërkua të “heqë dorë” nga gjysma e kromozomeve, për t’u përgatitur për fekondim, një proces që zakonisht ndodh natyrshëm tek vezët e një gruaje. Disa nga vezët e krijuara u fekonduan me sukses dhe arritën të zhvillohen deri në ditën e gjashtë si embrione.
Edhe pse teknika është ende larg përdorimit klinik dhe ka sfida për t’u zgjidhur, si përzgjedhja e saktë e kromozomeve dhe rritja e suksesit, shkencëtarët besojnë se brenda një dekade mund të jetë gati për përdorim në klinikat e fertilitetit. Ky zbulim hap diskutime të rëndësishme etike dhe shoqërore, ndaj studiuesit kërkojnë që publiku të përfshihet në debat mbi atë që shkenca po mundëson sot.