E shtunë, 1 Nëntor, 2025
19.8 C
Skopje

PËRPLASJE MIDIS KRYEMINISTRIT DHE FAMILJARËVE: Mickoski ngacmon plagët për Koçanin

“Vendosni vetë çmim për fëmijët tuaj!” – kjo fjali, që sipas prindërve të viktimave u është thënë nga kryeministri Hristijan Mickoski në një takim në Qeveri, ka hapur një plagë të re në dhimbjen e tyre. Takimi që duhej të sillte ngushëllim dhe mbështetje, u kthye në përplasje të hidhur dhe në akuzë publike për fyerje të dinjitetit. Qeveria mohon gjithçka dhe thotë se dhimbja nuk duhet të shndërrohet në senzacion

Ersan PAJAZITI

Shkup, 18 korrik – Prindërit e viktimave nga tragjedia në diskotekën “Pulse” në Koçan e akuzojnë kryeministrin Hristijan Mickoski për fyerje të rëndë gjatë një takimi në Qeveri më 7 korrik, ku kërkuan ndihmë përballë dhimbjes dhe padrejtësisë që po përjetojnë.

Përmes një reagimi publik të publikuar në faqen në Facebook të shoqatës “16 Mars 2025 Koçani”, ata tregojnë se në takimin me kryeministrin, kur ai lexoi pikën ku kërkohej ndihmë e njëhershme financiare për dëm jo-material dhe dhimbje shpirtërore, Mickoski u kishte thënë: “Kjo kërkesë është si ajo e LSDM-së, vetëm se ju nuk keni vënë çmim. Vendosni vetë çmim për fëmijët tuaj. Fjalë që do të na jehojnë përjetë, si një vdekje tjetër, vdekja e dinjitetit tonë”, shkruajnë ata.

Në letrën drejtuar opinionit, prindërit shpjegojnë se më 1 korrik u kanë dërguar kërkesë kryeministrit, presidentes Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryetarit të Parlamentit Afrim Gashi. Kanë marrë përgjigje vetëm nga kabineti i kryeministrit, ku iu caktua takim për më 7 korrik, por vetëm në Shkup, pasi u thanë se takimi në Koçan nuk mund të mbahej për “arsye sigurie”.

Takimi, ku morën pjesë rreth 60 familjarë të viktimave, siç bëjnë të ditur në postimin në facebook, filloi me një moment tronditës: Mickoski u tha se po e lexonte për herë të parë kërkesën.

“Ne reaguam, sepse më 3 korrik na thanë se kërkesa është pranuar dhe shqyrtuar. U përpoq të na sqarojë zëdhënësja e tij, Marija Miteva, me arsyetimin se ka procedura të brendshme”, thuhet më tej në reagimin e prindërve.

Ata theksojnë se nuk kanë qëllime politike dhe se kërkesa e tyre është vetëm për drejtësi dhe mbështetje minimale nga shteti. Në të njëjtën kohë, shprehin zhgënjim të thellë nga sistemi gjyqësor, pasi edhe katër muaj pas tragjedisë, procesi ende nuk ka filluar, ndërsa shumica e të dyshuarve janë në liri.

“Mjaft me manipulime. Mjaft me përbuzje ndaj dhimbjes sonë. Ne nuk ndalemi. Nuk kemi frikë. Kërkojmë vetëm drejtësi për 62 jetët që u shuan padrejtësisht”, thuhet në letrën e shoqatës.

 Kërkesat e Shoqatës “16 Mars 2025 – Koçan”

Nga kjo shoqatë e prindërve të viktimave të tragjedisë së Koçan, bënë publike edhe pesë kërkesat e tyre, të cilat ia kanë dorëzuar kryeministrit Hristijan Mickoski gjatë takimit në qeveri:

“-Ndihmë e njëhershme financiare për çdo familje të viktimave për dhimbje shpirtërore dhe dëm jomaterial; Pension invaliditeti apo pensionim i parakohshëm për prindërit; Mbrojtje në vendin e punës apo të drejtë pushimi për ata që kanë humbur fëmijë; Mbështetje për fëmijët që kanë humbur një prind; Mbështetje për vëllezërit dhe motrat e viktimave”, bëjnë të ditur prindërit e viktimave.

Qeveria: Nuk është e vërtetë që kryeministri i ka fyer prindërit

Pas reagimit publik të prindërve të viktimave nga diskoteka “Pulse” në Koçan, Qeveria përmes një deklarate zyrtare ka hedhur poshtë pretendimet se kryeministri Hristijan Mickoski i ka fyer apo nënçmuar familjet në takimin e mbajtur më 7 korrik.

“Nuk janë të sakta pretendimet që po qarkullojnë në disa media për takimin me familjarët e viktimave të tragjedisë në Koçan. Aktualisht po bëhet një devijim dashakeq dhe keqpërdorim i një fatkeqësie të rëndë”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Institucioni thekson se takimi ishte i dyti me radhë dhe kishte për qëllim shprehjen e mbështetjes dhe ngushëllimit, ndërsa kryeministri është përshëndetur dhe ka folur personalisht me të gjithë të pranishmit.

]“Reduktimi i bisedës në ‘sa kushtojnë fëmijët’ nuk reflekton realisht as bisedën, as qëllimin e saj. Një interpretim i tillë është fyes dhe jep një pasqyrë krejtësisht të gabuar të qëllimeve dhe veprimeve të Qeverisë”, thuhet më tej në reagim.

Qeveria shpreh keqardhje nëse dikush ka marrë përshtypje të gabuar nga takimi, por thekson se një tragjedi e tillë është dhimbje për gjithë shtetin dhe se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë familjeve me mbështetje të vazhdueshme.

“Ne nuk i matim e krahasojmë dhimbjet. Ato i dëshmojmë me vepra konkrete, që i kemi bërë dhe planifikojmë t’i bëjmë. Apelojmë që tragjedia të mos keqpërdoret për sensacion, dhe të mos gjykohet në bazë të zemërimit apo tendencave”, thuhet në fund të reagimit tëQeverisë.

 Procesi penal po zvarritet

Në zjarrin që shpërtheu në diskotekën “Pulse” më 16 mars humbën jetën 62 persona, mes tyre edhe gjashtë fëmijë, ndërsa u plagosën 200 të tjerë. Prokurori i Shtetit, Ljupço Kocevski, në një konferencë për shtyp më 13 qershor tha se është dorëzuar aktakuzë për zjarrin në Koçan, e cila përfshin 34 persona fizikë dhe tre persona juridikë.

Ata akuzohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Ndër të akuzuarit janë pronarë lokalesh, menaxherë, inspektorë, kryetarë komunash, anëtarë të sigurimit dhe nëpunës shtetërorë. Për shkak të mungesës së provave, procedura është ndërprerë për gjithsej 11 persona, përfshirë dy ish-ministra. Një nga të dyshuarit ka ndërruar jetë ndërkohë, ndërsa për një tjetër procedura është pezulluar për arsye shëndetësore. Po ashtu, po zhvillohet hetim edhe ndaj 13 policëve të përfshirë në rast. Fillimisht, hetimet përfshinë 47 persona fizikë dhe 3 juridikë. Sipas Kocevskit, nëse në të ardhmen sigurohen prova të reja, procedura mund të rinisë për ata që aktualisht  janë jashtë procesit, dhe nuk përjashtohet mundësia që hetimi të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm