Kriza mori përmasa të reja pas arrestimit të drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” në Shkup”, Sabahudin Rustemi, dhe një zyrtari tjetër nga udhëheqja e ndërmarrjes. Nga Prokuroria njoftojnë se zyrtarët e policisë po ndërmarrin veprime për sigurimin e provave, lidhur me dyshimet për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 230 të Kodit Penal
Anëmsha SHABANI
Shkup, 28 tetor – Në vend që të pastrohet, Shkupi po mbulohet nga mbeturinat dhe nga fjalët politike që po grumbullohen mbi to. Kriza e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet ka dalë jashtë kontrolli dhe është kthyer në pasqyrë të përplasjes midis institucioneve, partive dhe interesave të ngushta që kanë kapur ndërmarrjet publike. Rrugët e Shkupit prej javësh janë mbuluar nga kontejnerë të tejmbushur dhe deponi të përkohshme, ndërsa reshjet e fundit kanë shtuar erërat e rënda dhe ndotjen. Por më e rënda është që, përtej aromës së keqe, po ndjehet qartë mungesa e përgjegjësisë. Ajo që duhej të ishte një problem teknik, u shndërrua në një betejë politike mes pushtetit qendror dhe administratës lokale.
Kriza mori përmasa të reja pas arrestimit të drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale – Shkup”, Sabahudin Rustemi, dhe një zyrtari tjetër nga udhëheqja e ndërmarrjes. Nga Prokuroria njoftojnë se zyrtarët e policisë po ndërmarrin veprime për sigurimin e provave, lidhur me dyshimet për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 230 të Kodit Penal.
Në vend të përgjegjësive të qarta institucionale, qeveria dhe pushteti lokal kanë hyrë në garë deklaratash. Kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar situatën, tha se “mbeturinat nuk do të jenë më lajm” sapo Orce Gjorgjievski të marrë detyrën si kryetar i Shkupit. “Do të ketë një rezultat interesant për problemin me mbeturinat në Shkup. Pas fitores së Orce Gjorgjievskit dhe pasi të dorëzohet posti i kryetarit të komunës, pritet që gjithçka të normalizohet. Në fakt, kemi edhe një premtim, për 72 orë mbeturinat do të pastrohen plotësisht dhe më pas mbledhja do të jetë një proces i vazhdueshëm, nuk do të jetë më lajm”, deklaroi Mickoski.
Ndërkohë, nga kjo shihet se kur pastrimi i qytetit kushtëzohet me “dorëzimin e pushtetit”, atëherë bëhet e qartë se edhe shërbimet më bazike janë kthyer në instrument të presionit politik. Kështu, Shkupi nuk ndotet vetëm nga mbeturinat, por edhe nga mënyra sesi trajtohet interesi publik, si mjet për kapital politik.
Nga ana tjetër, Izet Mexhiti, ka kërkuar që përgjegjësia për situatën të mos mbulohet me premtime afatshkurtra. “Qytetarët e Shkupit po paguajnë çmimin e marrëveshjeve të gabuara politike. Ndërmarrjet publike janë kthyer në mjete për ndarje pushteti, ndërsa qyteti po fundoset në kaos dhe papastërti”, deklaroi Mexhiti, duke kërkuar hetime të plota për mënyrën se si janë menaxhuar mjetet dhe burimet e “Higjienës Komunale”.
Në ndërkohë, LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë vazhduar akuzat e ndërsjella. Nga LSDM thonë se “kolapsi aktual është rezultat i qeverisjes së papërgjegjshme të mëparshme në nivel lokal”, ndërsa nga VMRO-DPMNE theksojnë se “ndryshimi i pushtetit në Qytetin e Shkupit do të shënojë edhe fundin e krizës artificiale”. Megjithatë, asnjëra palë nuk ka dhënë plan konkret për zgjidhjen e problemit afatgjatë të menaxhimit të mbeturinave.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) paralajmëron për pasoja serioze nëse situata nuk normalizohet. Nga atje apelojnë se gjendja në kryeqytet pason me rrezikun e infeksioneve te qytetarët. “Mbeturinat organike dhe joorganike të përziera prodhojnë gazra dhe lëngje që krijojnë terren për baktere e viruse. Zvarritja e pastrimit për ditë të tëra rrit rrezikun e infeksioneve, sidomos në zona urbane të dendura”, theksojnë nga ISHP-ja.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika (ESHS), vetëm në vitin 2024 janë grumbulluar mbi 637 mijë ton mbeturina komunale, prej të cilave rreth 30 për qind janë nga rajoni i Shkupit. Mbi 99 për qind e tyre përfundojnë në deponi, ndërsa riciklimi pothuajse nuk ekziston, tregues i një sistemi që nuk ka evoluar as në aspektin teknik e as në atë mjedisor. Ndër të tjera, për aq kohë sa pastrimi i qytetit do të mbetet i varur nga marrëveshjet e pushtetit, qytetarët do të vazhdojnë të jetojnë në një realitet ku asgjë nuk pastrohet përfundimisht, as mbeturinat, as politika. (koha.mk)




