Parashikimet për vitin 2060 parasheh se mosha mesatare e popullsisë së Kosovës të jetë 49 vjeç ndërkaq sipas profileve komunale, Prishtina mbetet komuna me popullsinë më urbane, ndërsa Dragashi komuna me popullsinë më rurale, raporton KosovaPress.
Këto ishin të dhënat kryesore që u prezantuan nga Agjencia e Statistikave të Kosovës e cila të enjten ka publikuar për herë të parë raportin mbi projeksionet e popullsisë deri në vitin 2060 dhe profilet e komunave.
I pranishëm në këtë prezantim të raporteve ishte edhe Zëvëndësministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Agon Batusha i cili tha se të dhënat statistikore janë thelbësore për hartimin e politikave dhe vendimmarrjen në nivel qendror e lokal.
“Të gjithë e dimë që pa statistika, pa të dhëna, asnjë vendimmarrje nuk është e plotë dhe natyrisht që pa të dhëna, ne shumë lehtë mund të marrim vendime të cilat nuk do të kenë vlerë në dobi të qytetarëve, prandaj të dhënat e sakta, të detajuara janë esenciale për të marrë vendimet e duhura, jo vetëm ne si qeveri, ministri, por edhe, dhe sidomos, për komunat dhe agjencitë të cilat japin shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët.… 01:39… Prandaj, puna që e ka bërë Agjencia e Statistikave të Kosovës, do ta lehtësojë jashtëzakonisht punën e kryetarëve të komunave dhe vendimmarrjen tonë në nivelin lokal, që t’ju japim shërbime dhe të planifikohen shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës”, tha ai
Në realizimin e këtyre dy raporteve kanë ndihmuar edhe dy ekspertë të huaj. Njëri ndër ta është eksperti Eduardo Jongstra i cili tha se, analizat janë hartuar në mënyrë që të jenë të kuptueshme për vendimmarrësit lokalë, ndërsa ndryshimet në urbanizim dhe migrim kanë ndikuar në dallimet e evidentuara mes dy regjistrimeve.
“Për të arritur në një përgjigje, për të balancuar atë përzgjedhje të indikatorëve, ne kishim dy kriteret e mëposhtme: analiza duhet të jetë e thjeshtë, duhet të jetë e kuptueshme për njerëzit që nuk kanë asnjë përvojë në statistika apo demografi, sepse ajo është e destinuar për vendimmarrësit lokalë si rregull i përgjithshëm. Dhe kjo ishte në fakt pika e dytë, duhet të jetë relevante për të informuar administratorët lokalë dhe vendimmarrësit e politikave për zonat ku ata mundësisht mund të ndërmarrin veprime për të fuqizuar zhvillimin lokal….. Ajo që është më shqetësuese janë ndryshimet që ndodhin për shkak të lëvizjes së njerëzve. Dhe ka dy dimensione për këtë. Lëvizja lokale, urbanizimi, largimi nga zonat rurale drejt zonave urbane, por edhe lëvizja ndërkombëtare, migrimi ndërkombëtar. Dhe të gjithë ju e dini se Kosova është një vend migrues. Dua të thotë, njerëzit e zakonshëm të Kosovës gjatë gjithë kohës lëvizin jashtë vendit dhe kthehen”, tha ai.
Ndërkohë, eksperti Tomas Kucera theksoi se ndryshimet në fertilitet, mortalitet, migracion dhe në strukturën e popullsisë grumbullohen me kalimin e kohës, prandaj nevojitet një vizion realist për zhvillimin e ardhshëm të popullsisë.
Ai sqaroi se parashikimi kombëtar ishte i mundur falë të dhënave për lindjet, vdekjet, regjistrimin e popullsisë dhe migracionin ndërkombëtar, ndërsa në nivel komunal mungesa e statistikave të besueshme për migracionin e brendshëm dhe ndërkombëtar nuk lejoi hartimin e parashikimeve të plota.
Kështu, drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati prezantoi statistikat e viteve 2011 dhe 2024 si dhe paraqiti raportin e parashikimeve për vitin 2060 i cili do të jetë i qasshëm në formë online.
Ai tha se projeksionet e reja të popullsisë deri në vitin 2060 tregojnë një plakje graduale të popullsisë dhe rënie të shtimit natyror, por theksoi se ato duhet të shërbejnë si një udhërrëfyes për planifikim dhe jo si një parashikim i pandryshueshëm.
Gjatë prezantimit të raportit për projeksionet e popullsisë, Kastrati deklaroi se dokumenti është hartuar mbi bazën e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, statistikave të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit, duke ofruar tre skenarë të zhvillimit demografik.
“Është e rëndësishme të kuptohet se ky nuk është një parashikim absolut i të ardhmes. Janë faktorë të ndryshëm që mund të ndikojnë. Ky është një projeksion, nëse do ta bazojmë në të dhënat që i kemi në dispozicion. Ndryshimi i popullsisë vitale, raporti tregon drejtimin e mundshëm të zhvillimeve demografike, nëse trendet aktuale vazhdojnë. Nëse arrijmë të krijojmë një shoqëri më të edukuar, me një migrim të nxitur, me një diasporë dhe të përmirësojmë kushtet, a trendet e të dhënave të moshës demografike mund të jenë edhe pak më ndryshe se sa këto që janë paraqitur këtu? Prandaj, ky raport duhet parë si një kornizë strategjike për planifikim dhe jo si një parashikim i pandryshueshëm, por standard. Sidomos kur ju komuna, pra e keni, e keni, e ka e ka profesori Thomas, e keni edhe një parashikim, ka një, një projeksion apo një estimation për 15 vitet, sepse ka qenë sfiduese me marrë”, u shpreh ai
Ndërsa eksperti nga ASK-ja, Idriz Shala, prezantoi Profilet e Komunave, duke theksuar se ato ofrojnë një pasqyrë të detajuar statistikore për secilën komunë përmes 43 treguesve kryesorë, analizave sektoriale dhe hartave tematike, të cilat ndihmojnë në identifikimin e dallimeve zhvillimore dhe nevojave për investime.
Ai bëri të ditur se Prishtina mbetet komuna më e madhe në vend me rreth 227 mijë banorë, apo 13-14 për qind të popullsisë së Kosovës, ndërsa pas saj renditen Prizreni, Ferizaj, Gjilani, Peja dhe Gjakova. Në anën tjetër, komunat më të vogla janë Kllokoti, Ranillugu dhe Parteshi.
Sipas tij, ndryshimet demografike dhe migrimi kanë ndikuar edhe në strukturën e papunësisë, ndërsa Kosova vazhdon të ketë një shkallë të lartë të papunësisë së të rinjve në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian.
“Kjo tregon se kjo shpejtësi e rritjes më të madhe të migrimit ka ndikuar në ndryshimet e strukturës së papunësisë. Piramida e papunësisë së të rinjve pasqyron qartë këtë tranzicion, baza e saj po ngushtohet, ndërsa pjesa e sipërme po zgjerohet, duke reflektuar rritjen e numrit të të moshuarve. Në krahasim me Bashkimin Evropian, Kosova mbetet, një vend ku papunësia e të rinjve është relativisht e lartë. Sipas regjistrimit të vitit 2014, 23.8% e papunësisë në Kosovë ishte në moshën 15, ndërsa në Bashkimin Evropian ishte 14.8, 14.8% në 15.Kjo pasqyron qartë zhvillimin në nivelet arsimore, kjo gjatë periudhës 2012-2014, të dhënat tregojnë se ndryshimi i të papunëve me arsim të mesëm të lartë ose të lartë është rritur, ishte rreth 49.5% në vitin 2012 dhe 52.4% në vitin 2014. Kjo tregon një përmirësim të dukshëm në nivelin e arsimit në vend”, tha ai.
Shala theksoi se të dhënat tregojnë edhe përmirësime në nivelin e arsimit dhe në kushtet e banimit, duke përfshirë qasjen në infrastrukturën bazë, elemente që sipas tij duhet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave publike dhe planifikimin e zhvillimit në nivel lokal.





