Premtimi për mbylljen e kazinove u shndërrua në mashtrim

Shkup, 27 janar – Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega e Çairit ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë, mashtrimeve dhe premtimeve të pambajtura të kryetarit të Komunës së Çairit dhe njëherësh figurë qendrore e pushtetit aktual, Izet Mexhiti. Nga BDI rikujtojnë se qytetarët janë paralajmëruar edhe para zgjedhjeve të fundit se Mexhiti, sipas tyre, nuk ka qenë i sinqertë as në fjalë dhe as në besë. “Karriera e tij politike jashtë partisë që e afirmoi dhe i dha mundësi të etablohet, nisi me premtime bombastike, për të cilat ai vetë e dinte se nuk do t’i mbante kurrë. Këto premtime u përdorën vetëm për kapjen e pushtetit dhe ruajtjen e interesave personale, familjare dhe klanore”, thuhet në reagim.

Një nga premtimet kryesore që BDI-Çair e cilëson si pjesë të “Mashtrimit të Madh” është zotimi publik i Mexhitit për mbylljen e kazinove në Maqedoninë e Veriut. Sipas reagimit, lufta kundër kazinove ishte kryefjala e angazhimit të tij politik dhe një premtim që përsëritej vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore.

“Sot, kur Izet Mexhiti është pjesë e pushtetit qendror dhe lokal, ky premtim është harruar plotësisht. Kazinotë funksionojnë lirshëm, pa asnjë pengesë, dhe vazhdojnë të rrjepin xhepat e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Jo vetëm që nuk janë mbyllur, por ato po zgjerojnë aktivitetin edhe në Çair, komunën që udhëhiqet nga vetë Mexhiti”, thekson BDI–Çair. Reagimi përmend edhe akuza për nepotizëm, duke theksuar se një i afërm i Mexhitit është sistemuar në Lotarinë e Maqedonisë, si anëtar i bordit drejtues. Sipas BDI-së, kjo përbën tallje me qytetarët dhe me vetë anëtarësinë e partisë së tij, ndërsa konfirmon, siç thuhet, se postet ku menaxhohen paratë publike u ndahen familjarëve.

“Nuk ka asgjë të papritur, kur dihet se të gjitha pozitat e rëndësishme përfundojnë te rrethi i ngushtë familjar”, thuhet më tej në reagim. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega e Çairit theksojnë se do të vazhdojnë ta mbajnë Izet Mexhitin përgjegjës për çdo premtim të dhënë dhe për çdo mashtrim ndaj qytetarëve. “BDI është pranë qytetarëve dhe përballë mashtruesve të mëdhenj. Do t’ju mbajmë për fjalën e dhënë dhe do t’ju ekspozojmë publikisht për gënjeshtrat tuaja”, përfundon reagimi.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm