E martë, 18 Nëntor, 2025
13.8 C
Skopje

PROBLEM I VJETËR PA ZGJIDHJE! Borxhe të mëdha të ndërmarrjeve komunale

Edhe pse ndihma të ndryshme po derdhen vazhdimisht në arkat e tyre në vitet e kaluara, megjithatë borxhet mbeten të larta, dhe problemi po thellohet

 

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 18 nëntor – Borxhe të mëdha tregojnë kompanitë e shërbimeve publike në vend. Deri në fund të muajit shtator sipas të dhënave zyrtare, borxhet e tyre kanë arritur në 130 milionë euro. Borxhet e ndërmarrjeve komunale nuk janë nga dje, por janë një problem i vjetër. Edhe pse ndihma të ndryshme po derdhen vazhdimisht në arkat e tyre në vitet e kaluara, megjithatë borxhet mbeten të larta, dhe problemi po thellohet. Të dhënat e BNJVL, apo organizatës që përfaqëson komunat në vend, tregojnë se janë disa lloje të borxheve të ndërmarrjeve në nivel komunash dhe atë kategoria e parë e borxheve është borxhi ndaj tatimorëve. Problemi i dytë është me energjinë elektrike. Kategoria e tretë e borxheve është ajo që kanë ndaj ndërmarrjeve shtetërore. E katërta janë pagat dhe e pesta janë borxhet ndaj furnizuesve.

Qeveria e mëparshme në vitin 2021 siguroi mbi 50 milionë euro për të rregulluar boshllëqet ku çdo komunë mori fonde të pakthyeshme për të mbuluar 51 për qind të borxheve të raportuara. Menjëherë pas marrjes së pushtetit, qeveria aktuale organizoi një kredi hungareze prej 250 milionë eurosh për projekte kapitale në komuna.

Kompanitë publike të shërbimeve publike me vite janë në një krizë të thellë. Ekonomistët thonë se problemet nisin nga çmimet e larta të energjisë elektrike që po i mbytin buxhetet e tyre, mbipunësimet, si dhe tarifat e ulëta për shërbimet e ujit, mungesa e stafit të ri profesional dhe pagat që vështirë mbulohen. Ndërsa institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, kompanitë vazhdojnë të grumbullojnë borxhe dhe qytetarët përballen gjithnjë e më shumë me shërbime me cilësi të dobët dhe jo të besueshme.

Të bllokuara midis borxheve dhe mungesës së stafit, shërbimet publike nuk janë në gjendje të investojnë ose modernizohen. Mbingarkesë pune, joefikasitet dhe mungesë kontrolli në menaxhim – kjo është mënyra se si funksionojnë ndërmarrjet publike, dhe një kornizë e fortë për kontroll, llogaridhënie dhe monitorim do ta zgjidhë pjesërisht problemin. Gjithashtu, shteti po ngec në procesin e decentralizimit të bashkive, i cili është thelbësor në mundësimin e një numri më të madh projektesh dhe pavarësisë financiare nga qeveria qendrore, thonë disa kryetarë bashkish.

Ekspertët thonë se në të ardhmen sfidë mbetet për të gjithë aktorët politikë gjetja e një modeli ku komunat do të mund të funksionojnë pa probleme më të mëdha financiare. Tani kryetarët e rinj të komunave së pari kur do të hyjnë në komunë do të përballen me situatën financiare ku disa nga faturat dhe kërkesat që nuk janë dorëzuar deri më tani do të vijnë për t’u paguar, do të përballen me staf të kufizuar për zbatimin e programeve, do të përballen me kufizime në realizimin e planeve duke filluar nga ekipet dhe planet urbanistike të munguara që pengojnë investimet. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm