Në shkurt 2022, kur Putini pushtoi Ukrainën, Trump e quajti “gjenial”. Por ndoshta duhet shtuar edhe një shpjegim letrar. Putini di të presë, mbetet besnik ndaj fjalës së Kutuzovit te “Lufta dhe Paqja”, që i konsideronte “kohën dhe durimin” si armët më të mira të luftës. Trump, nuk shquhet për durim, është hiperaktiv, do gjithçka menjëherë. Por duke vepruar kështu, nuk kupton se ndër kartat e pakta në dorë të Putinit, ai vetë është njëra prej tyre
Nga Paolo VALENTINO
Si dikur lajmet për vdekjen e Mark Twain, edhe ato për samitin mes Trump dhe Putin në Budapest janë ekzagjeruar rëndë. “Nuk dua një samit të panevojshëm, nuk dua të humbas kohë derisa të shoh çfarë ndodh”, tha presidenti amerikan, duke bërë edhe një herë një ndryshim në marrëdhëniet e tij me liderin rus. Në nëntë muajt e fundit, Trump ka provuar gjithçka dhe të kundërtën. Ka kërcënuar (por asnjëherë nuk e ka zbatuar) vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Moskës dhe dhënien e armëve më të rrezikshme për Kievin, pastaj ka tërhequr të gjitha në këmbim të asgjëje pas një “telefonate produktive” me Putin.
Nga ana tjetër, ka poshtëruar publikisht dhe privatisht presidentin Zelensky, ka ndaluar furnizimet me ndihma ushtarake për Ukrainën, por më pas ka pranuar t’i shesë ato tek evropianët që të kalojnë te Kievi.
Por, pavarësisht përpjekjeve, ky mbetet konflikti i vetëm në Evropën Lindore, që Trump nuk ka arritur ta ndalë, ndërsa pretendon se ka mbyllur tetë të tjerë: Izraelin dhe Iranin, Ruandën dhe Kongon, Tajlandën dhe Kamboxhian, Armeninë dhe Azerbajxhanin, Egjiptin dhe Etiopinë, Serbinë dhe Kosovën, Indinë dhe Pakistanin. Sa i përket konfliktit më të fundit dhe më të komplikuar, ai mes Izraelit dhe Hamasit, nuk ka dyshim se Trump ka arritur një gjysmë mrekullie në Gaza, edhe pse e brishtë dhe që duhet verifikuar në praktikë. Rrethana të jashtëzakonshme dhe të pazakonshme e kanë ndihmuar.
Sulmi i Izraelit ndaj Katarit, që i zemëroi aleatët e Gjirit, i dha Trumpit një “dorë”, për të detyruar Netanyahu-n të pranojë marrëveshjen. Por, nga ana e tij kishte mbështetjen e pakufizuar që gjithmonë i ka dhënë liderit izraelit në çdo rast dhe për çdo zgjedhje: nga njohja e Jerusalem-it si kryeqytet, deri tek legaliteti i vendbanimeve në Bregun Perëndimor, dhe së fundmi fushatën ushtarake kundër Teheranit.
Marrëdhëniet e forta politike dhe ekonomike me vendet arabe në Lindjen e Mesme i dhanë në fund forcën diplomatike për të imponuar marrëveshjen. Edhe në Ukrainë, si në Gaza, Trump sheh fundin e luftës kryesisht si një mundësi biznesi, fitime për familjen dhe miqtë e tij, si dhe një hap të rëndësishëm drejt një Çmimi Nobel për Paqen, që është bërë një obsesion i vërtetë. Por në këtë rast, ndryshe nga Lindja e Mesme, pala amerikane ka shumë më pak ndikim dhe forcë presioni. Për dy arsye të ndryshme dhe pothuajse të kundërta. E para është që nuk është e vërtetë që Zelensky nuk ka karta në dorë. Fillimisht mbështetja në rritje e aleatëve evropianë, koalicioni shumë i përbuzur i “vullnetarëve”, që tani po afrohet pranë vendimit për të përdorur një pjesë të fondeve ruse të ngrira nga sanksionet, për të dhënë një hua prej 140 miliardë eurosh Ukrainës, me të cilën do të financojë blerjen e armëve.
Kjo do t’i lejonte Kievit të vazhdojë përpjekjet ushtarake për një kohë të gjatë. Në kartat e Zelenskyt janë gjithashtu edhe aftësia në rritje e Kievit për të goditur me dronë rafineritë dhe fabrikat e armëve në Rusi, dhe problemet me rekrutimin e Moskës, që vetëm në 2025 ka humbur 100 mijë ushtarë, sipas të dhënave të “Economist”, që është gjashtë herë më shumë se totali i të rënëve të Bashkimit Sovjetik në dhjetë vitet e luftës në Afganistan.
Arsyeja e dytë na çon në një terren më të ndërlikuar, misterin e marrëdhënieve të errëta mes Trump dhe Putin. Çfarë e bën presidentin amerikan kaq të sigurt që autokrati rus po fiton? Dhe pse Putini gjithmonë gjen fjalët e duhura për ta bërë atë të ndryshojë mendim, edhe pse përkohësisht? Një tezë e vjetër, që nuk është vërtetuar kurrë, thotë se i pari i Kremlinit ka prova për dyshime për abuzime seksuale të Trump dhe e ‘shantazhon’ atë.
Një tjetër sugjeron teorinë e “ndjekjes së parave” dhe kujton se që nga viti 2000, fonde private ruse kanë hyrë në pasuritë dhe bizneset e grupit “Trump”. Pastaj ka edhe shpjegimin psikologjik, Trump adhuron dhe ndoshta ka zili udhëheqësit e fortë, liderët autoritarë, grabitqarët pa kufij. Në shkurt 2022, kur Putini pushtoi Ukrainën, Trump e quajti “gjenial”. Por ndoshta duhet shtuar edhe një shpjegim letrar. Putini di të presë, mbetet besnik ndaj fjalës së Kutuzovit te “Lufta dhe Paqja”, që i konsideronte “kohën dhe durimin” si armët më të mira të luftës. Trump, nuk shquhet për durim, është hiperaktiv, do gjithçka menjëherë. Por duke vepruar kështu, nuk kupton se ndër kartat e pakta në dorë të Putinit, ai vetë është njëra prej tyre. (Corriere Della Sera)




