E enjte, 9 Tetor, 2025
20.8 C
Skopje

PUNËSIMI NË SEKTORIN E IT-së: A po mbaron “Epoka e artë”

Vlerësohet se në nivel rajonal,dy faktorë kryesorë që shkaktuan këtë krizë janë: rënia e kërkesës për shërbime të IT-së dhe përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale (IA) në zhvillimin e softuerëve. Ekspertët thonë se tregu vendor ka mungesë, dhe do të ketë edhe më shumë, të personelit të kualifikuar, veçanërisht në inteligjencës artificiale (IA), sigurinë kompjuterike dhe teknologjitë e gjelbra

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 9 tetor – Trendi rajonal i uljes së punësimit në sektorin e teknologjisë informatike po përfshin edhe Maqedoninë. Fluksi i personelit ka ulur numrin e njoftimeve për punë në industrinë e IT-së së Maqedonisë, e cila punëson mbi 25 mijë profesionistë në kompani të huaja dhe vendore, edhe pse vitin e kaluar ky sektor shënoi një rritje prej 10 për qind të të ardhurave. Ndërkohë që në nivel global, qindra mijëra njerëz nga gjigantët e teknologjisë kanë humbur vendet e tyre të punës, ndërsa tregu maqedonas po sheh gjithashtu një rënie të reklamave si për stazh ashtu edhe për punësim në sektorin e IT-së.

Vlerësohet se në nivel rajonal, dy faktorë kryesorë që shkaktuan këtë krizë janë: rënia e kërkesës për shërbime të IT-së dhe përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale (IA) në zhvillimin e softuerëve, prandaj ata nuk kanë më nevojë për një numër të madh inxhinierësh të kualifikuar.

Ekspertët thonë se tregu vendor ka mungesë, dhe do të ketë edhe më shumë, të personelit të kualifikuar, veçanërisht në inteligjencën artifiçiale (IA), sigurinë kompjuterike dhe teknologjitë e gjelbra.

Në vitet e kaluara, sektori vendor i programimit është goditur nga shkurtime individuale dhe në grup në disa kompani.

Sipas hulumtimit të “IT.mk”, arsyet kryesore për këtë trend ishin “kushtet e këqija ekonomike në tregjet perëndimore, nga të cilat varet shumë industria Maqedonisë e IT-së, si një vend që kryesisht bën outsourcing, joproduktiviteti në rritje midis profesionistëve të IT-së, abuzimi me punën nga shtëpia, gjë që detyroi shumë projekte digjitalizimi të vonoheshin ose të ishin nën pritjet dhe të krijonin një hendek të madh midis menaxhmentit dhe stafit të IT-së”.

Të dhënat tregojnë se, për shkak të atraktivitetit të këtij profesioni, ka pasur një mbiprodhim të programuesve, si dhe punësim të programuesve të trajnuar përmes kurseve të ndryshme dhe autodidakt përmes programeve të disponueshme në internet.

E gjithë kjo ka çuar në një rënie të numrit të njoftimeve për punë. Të dhënat nga platforma lokale “IT.mk” tregojnë se nga janari deri në maj 2024 numri i njoftimeve për punë është ulur me 82 për qind.

Këto të dhëna tregojnë një kërkesë të zvogëluar për vende të reja pune në sektorin e IT-së, gjë që e ndërlikon më tej tregun e punës dhe e bën më të vështirë për profesionistët e teknologjisë të gjejnë mundësi të reja pune.

Damjan Dano, themeluesi i portalit të teknologjisë së informacionit IT.mk. megjithatë është optimist për këtë sektor në vend. “Kërkesa për staf të IT-së dhe inxhinierisë nuk do të zhduket. Nuk do ta klasifikoja atë që po kalon industria e IT-së aktualisht si rënie të saj, por më tepër si adaptim dhe stabilizim, sepse në realitet, pas pandemisë, shumë gjëra u ekzagjeruan që ndikuan ndjeshëm në produktivitetin e vetë kompanive. Paradoksi i kësaj bisede është se nëse shikojmë statistikisht, industria maqedonase e IT-së ka madje një rritje prej 10 për qind të të ardhurave dhe 3 për qind rritje të numrit të punonjësve sipas të dhënave nga viti 2024”, thotë Dano.

Por, sipas tij, është e rëndësishme që të rinjtë të inkurajohen të eksperimentojnë me produktet dhe startup-et e tyre, dhe jo vetëm të synojnë punësimin në korporata. “Megjithatë, në planin afatgjatë, teknologjia është një pjesë e pashmangshme e jetës së përditshme dhe njerëzit e IT-së do të jenë çelësi. Zhvillimi i vetë teknologjisë dhe inteligjencës artificiale (IA) kërkon përshtatje më të madhe dhe dalje nga zona e rehatisë, diçka që stafi i ardhshëm i IT-së do të duhet ta zotërojë mirë”, shton Dano.

Nga ana tjetër, analizat e organizatës “Masit”, tregojnë se në vitin 2024, numri i përgjithshëm i kompanive aktive në sektorin e Teknologjisë informatike është 2.921, që përbën një rënie prej 5.5 për qind krahasuar me vitin 2023 kur kishte 3,091 kompani. Kjo rënie mund të jetë për shkak të proceseve të konsolidimit, përzgjedhjes së tregut ose presionit në rritje mbi kompanitë mikro dhe të vogla të TIK-ut.

Në ndërkohë , Microsoft, një nga kompanitë më të vlefshme të teknologjisë në botë, është në mes të një transformimi të thellë të shënuar nga shkurtime masive të vendeve të punës, edhe pse kompania shënon fitime rekord dhe investon miliarda në inteligjencën artificiale (IA).

Microsoft thuhet se ka pushuar nga puna më shumë se 15.000 punonjës në vitin 2025, përfshirë 9.000 në korrik, zvogëlimi më i madh i fuqisë punëtore që nga viti 2014, kur kompania u riorganizua pas blerjes së Nokia-s. Shkurtimet vijnë pas raundeve të mëparshme në maj dhe qershor, kur mijëra punonjës u pushuan nga puna.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Layoffs.fyi , deri në nëntor 2024, më shumë se 130.000 punëtorë ishin pushuar nga puna në 457 kompani në të gjithë botën. Ndër kompanitë që kanë reduktuar ndjeshëm fuqinë punëtore janë Tesla , Amazon , Google , TikTok , Snap dhe Microsoft, së bashku me shumë të tjera, duke përfshirë startup-e më të vogla që kanë pushuar së ekzistuari krejtësisht.

Kriza në sektorin e IT-së filloi në vitin 2022. Sipas të dhënave nga faqja e internetit Layoffs.fyi , deri në 165.269 punonjës nga 1.064 kompani teknologjike u pushuan nga puna atë vit. Viti më i keq ishte viti 2023, kur 264.220 persona u pushuan nga puna , me 1.193 kompani që ndanin shkurtimet. Viti i kaluar ishte pak më i mirë, me 152.472 ekspertë të IT-së nga 549 kompani që humbën vendet e tyre të punës. Në tre muajt e parë e gjysmë të vitit 2025, u pushuan nga puna 22.692 punëtorë nga 81 kompani. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm