E shtunë, 18 Tetor, 2025
12.8 C
Skopje

Që të mos kalben produktet bujqësore, shteti të orientojë prodhimin

Ekspertët e bujqësisë kërkojnë që fermerët më shumë të orientohen se cilat kultura bujqësore duhet ti kultivojnë, ndërsa shtrohet edhe nevoja më e madhe e planifikimit që të mbillen ato kultura që sjellin fitim

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 7 nëntor – Gati nuk ka vit në Maqedoni që fermerët nuk ballafaqohen me shitjen e sigurt të prodhimeve të tyre bujqësore. Sivjet u shënuan probleme me plasmanin e shalqirit, kumbullave, grurit, lakrës, qepët, pjeshkave etj. Bile, një sasi e caktuar e bostanit dhe pemë-perimeve të tjera, sivjet janë kalbur në ara apo nëpër qendrat grumbulluese si rrjedhojë e dështimit të shitjes në tregjet me shumicë apo me pakicë, shkruan gazeta KOHA.

Mungesa e prodhimit të planifikuar, pikave të eksporteve drejtpërdrejt mbi bazën e kontratave dhe kërkesave, por që garantojnë edhe cilësi dhe prodhime me standarde evropiane dhe sipas kërkesës së konsumatorëve në tregjet e huaja, mungesa e frigoriferëve në terren që do të ruajnë vetitë dhe kualitetin e frutave edhe për gjashtë muaj, janë vetëm disa nga problemet që mundojnë fermerët në Maqedoni në vitet e fundit.

Ekspertët e bujqësisë kërkojnë që fermerët më shumë të orientohen se cilat kultura bujqësore duhet ti kultivojnë, ndërsa shtrohet edhe nevoja më e madhe e planifikimit që të mbillen ato kultura që sjellin fitim.

Një nga problemet më të mëdha të bujqve në Maqedoni, krahas ndryshimeve klimatike, janë edhe çmimet grumbulluese dhe plasmani, thonë nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë.

“Çmimi me të cilin prodhohen prodhimet bujqësore është shumë më i lartë në raport me çmimin e shitjes së tyre. Zgjidhja e kësaj çështje që mundon bujqit kërkon gjetjen e tregjeve të reja, prodhimtari kontraktuese, dialog me grumbulluesit, por edhe bashkimin e bujqve në kooperativa bujqësore”, thotë për KOHA, kryetarja e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Vaska Mojsoska.

Në praktikë, fermerët akoma druajnë të bashkojnë punën e tyre për shkak të frikës dhe mungesës së informimit për punën e kooperativave bujqësore, përkundër benefiteve që sjell kooperativa, pasi siguron sasi më të mëdha me cilësi të standardizuar. Vlerësohet se në këtë mënyrë do të evitohen edhe problemet me plasmanin, si dhe do të sigurohen çmime më të larta të shitblerjes.

“Bujqit në Maqedoni duhet të kuptojnë se nëse veprojnë në mënyrë individuale e kanë shumë vështirë ti bëjnë ballë konkurrencës. Vetëm të bashkuar në kooperativa mund të zgjidhin çështjen e plasmanit”, thotë Mende Ivanovski, kryetar i Shoqatës së Kooperativave të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, agronomët thonë se bashkimi në kooperativa do të rrisë rendimentet dhe konkurrencën e bujqve vendor në tregjet evropiane. Njëherazi, kooperativat do të zgjidhin edhe problemin numër një të bujqësisë vendore, atë të copëzimit të truallit bujqësor dhe ekonomive bujqësore që në mesatare punojnë vetëm nga disa hektarë tokë.

Me këtë do të orientojnë bujqësinë ndaj prodhimtarisë së tregut dhe plotësimin e standardeve që kërkon prodhimtaria moderne e ushqimit. Me fjalë të tjera, një bashkim i tillë ekonomik i prodhimtarisë, por jo edhe i tokës, sjell edhe harxhime më të ulëta të prodhimtarisë, çmime më konkurruese në treg, fitim më të madh, si dhe çmime më të ulëta për blerjen e lëndëve të para.

Sipas profesorit universitar, Ordan Çukaliev, një problem i madh i bujqësisë në Maqedoni është edhe fakti se prodhojmë sasi të vogla, andaj edhe anashkalohemi nga shpërndarësit e prodhimeve bujqësore për tregjet e mëdha. Shpesh edhe nuk plotësojmë kërkesat lidhur me standardet e kërkuara në tregjet e jashtme.

“Si shtet nevojitet që më shumë të udhëzojmë bujqit se çka të kultivojnë, ndërkaq nevojitet të ndërpritet me praktikën që fermerët të mbjellin ato prodhime për të cilat mendojnë se duhet të mbillen. Nevojitet të ketë një planifikim e të mbillen ato kultura që sjellin fitim, si dhe të përmirësohen dobësitë që e karakterizojnë bujqësinë tonë me fitimin dhe rendimente të ulëta nga njëra anë dhe harxhime të larta nga ana tjetër”, shton më tej ai.

Ndryshe, ekspertët e bujqësisë këshillojnë që prodhimi bujqësor të mos jetë stihik, por i organizuar me mbikëqyrje profesionale dhe ndjekjen e këshillave me qëllim që të arrihet cilësi e mirë, e me këtë – edhe çmim më i lartë, raporton KOHA.

Sipas agronomëve, është me interes për bujqësinë e Maqedonisë të bëhet orientimi i prodhimit sipas predispozitave që kanë rajonet e caktuara për prodhimin e kulturave lavërtare, perimore, pemëtare, dhe blegtorisë. Kërkohet edhe prodhimi enkas për industrinë përpunuese, si dhe planifikimi i prodhimit sipas trendeve të zhvillimit të tregut për të mënjanuar mundësinë e paraqitjes së hiper-prodhimit të një kulture të caktuar bujqësore dhe deficitin e një kulture tjetër në treg, që si pasojë – sjell çrregullimin dhe disbalansin e çmimeve të atij produkti, ku një vit është i papërballueshëm për konsumatorin dhe vitin tjetër për prodhuesin. (koha.mk)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm