Në kuadër të aktiviteteve për “Tetorin Rozë”, muajin ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Sarajit, Blerant Ramadani, u takua me Forumin e Gruas të AKI-së në një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese, të mbushur me shpresë, dinjitet dhe forcë.
“Në çdo grua të Sarajit ne shohim frymën e Mbretëreshës Teuta dhe zemrën e Nënë Terezës,” – tha Ramadani, duke vlerësuar rolin e gruas si shtyllë e shoqërisë dhe motor i ndryshimit.
Sipas tij, Teuta simbolizon mençurinë dhe vendosmërinë, ndërsa Nënë Tereza mishëron dashurinë dhe mëshirën – dy vlera që, kur bashkohen, e bëjnë gruan shqiptare të pathyeshme në familje, në shoqëri dhe në jetën publike.
Ramadani theksoi se Tetori Rozë nuk është vetëm një muaj simbolik, por një thirrje për kujdes, për dashuri ndaj vetes dhe për solidaritet mes grave.
“Një shoqëri që respekton dhe fuqizon gratë, është një shoqëri që ecën drejt zhvillimit dhe drejtësisë,” u shpreh ai.
Në përmbyllje të takimit, kandidati i AKI-së nënvizoi se 19 tetori – dita e zgjedhjeve lokale – është më shumë se një datë në kalendar:
“Është dita e besimit, e bashkimit dhe e fitores! Sepse pa zërin, forcën dhe urtësinë e grave, nuk ka fitore të plotë.”
Sipas Ramadanit, gratë e Sarajit janë zemra e ndryshimit, dhe bashkë me to, Aleanca Kombëtare për Integrim do të ndërtojë një Saraj më të drejtë, më të barabartë dhe më human.