Gazetari dhe analisti politik Arben Ratkoceri ka reaguar ashpër ndaj hezitimit të koalicionit VLEN për të mbështetur kandidatin shqiptar në Komunën e Butelit, duke e cilësuar këtë si një pengesë për momentumin historik që shqiptarët të marrin drejtimin e një tjetër komune urbane në Shkup.
Në statusin e tij, Ratkoceri thekson se debati politik mes dy blloqeve shqiptare po e lë në hije një çështje më të madhe.
“Beteja politike e AKI dhe VLEN, duket sikur ka lënë nën hije një betejë tjetër përtej këtyre dy formacioneve politike. Komuna urbane e Butelit të Shkupit në azhurimin e listës zgjedhore rezulton me mbi 50 për qind votues shqiptarë, ndërsa më pak se gjysma tjetër – janë të etnive tjera.”
Ai kujton se në garë janë dy kandidatë nga partitë maqedonase dhe vetëm një kandidat shqiptar, i mbështetur nga koalicioni AKI.
“VLEN po punon për VMRO-në”
Ratkoceri nuk lë vend për dykuptime kur flet për rolin e VLEN-it në këtë garë.
“Trishtuese është që VLEN heziton e të mos themi – pengon kandidatin shqiptar duke punuar për atë të VMRO-së, pa fije përgjegjësi për momentumin historik e politik që shqiptarët të drejtojnë edhe një komunë urbane në Shkup”.
Sipas tij, mbështetja për kandidatin shqiptar do të krijonte një “kanal ventilimi” për komunën e Çairit, e cila ka mbi 60 mijë banorë në vetëm 3.4 km².
Buteli – komunë me peshë strategjike
Ratkoceri e përshkruan Butelin si shumë më tepër se një komunë periferike:
“Buteli për nga pozita gjeografike, shtrirja territoriale, rëndësia ekonomike e politike, ka peshën shumë më të madhe se krejt komunat tjera rurale po edhe disa urbane”.
Kjo, sipas tij, e bën të domosdoshme që drejtimi i saj të shihet si prioritet strategjik i forcave politike shqiptare.
Prof. Isamedin Azizi – kandidatura që dallon
Në shkrimin e tij, Ratkoceri vlerëson edhe profilin e kandidatit të AKI-së.
“Edhe kandidatura e prof. dr. Isamedin Azizi, në këtë komunë dallon nga gjithë garuesit e tjerë, sepse vjen nga bota akademike e jo nga rrethet e ngushta të strukturave partiake. I dëshmuar profesionalisht me trashëgimi nga familjet më të mira e intelektuale të Butelit, Pina siç e njohin shumica nga fëmijëria, nëse nuk ‘minohet’ nga VLEN, gjasat reale i ka për të bërë historinë në këtë komunë!”.