Rikonstruimi i Qeverisë dhe pazaret e fundit për ministra!

Rikonstruimi i Qeverisë hyn në fazën finale. Mickoski ka pranuar propozimet e partnerëve të koalicionit, ndërsa brenda VLEN-it vazhdojnë përplasjet për ndarjen e resorëve. Opozita e cilëson procesin “kozmetik”, ndërsa pushteti premton reforma më të shpejta

Ersan PAJAZITI

Shkup, 1 korrik – Rikonstruimi i Qeverisë ka hyrë në fazën e fundit pasi kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se i ka pranuar emrat e ministrave të propozuar edhe nga partnerët e koalicionit, VLEN dhe ZNAM. Sipas tij, emrat janë të pranueshëm për të, por publikimin e tyre do ta bëjnë vetë partnerët e koalicionit. Mickoski konfirmoi gjithashtu se nga VLEN ka marrë edhe emrin e kandidatit për ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. “Po, i kam propozimet edhe për ministrat e rinj nga VLEN-i dhe nga partia ZNAM, por do t’i lë ata vetë t’i shpallin, nuk do t’i them unë. Për mua ato propozime janë krejtësisht në rregull dhe pres të kemi një punë edhe më të suksesshme në përbërjen e re të Qeverisë”, theksoi Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetareske gjatë vizitës në Komunën e Kisella Vodës.

Megjithatë, burime të gazetës KOHA thonë se brenda VLEN-it debati rreth këtij emri ende nuk është mbyllur dhe po zhvillohet me tone të larta. Si emër i propozuar për këtë dikaster përmendet Agon Ferati. Por, postin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive e kërkon edhe Latif Arifi, i cili pretendon se ka përkrahje brenda partisë, konkretisht brenda strukturave të ASH që ka mbetur në VLEN.

Përndryshe, sipas burimeve të gazetës KOHA, për ministrinë e Kulturës dhe Turizmit pritet të emërohet Sedat Sulejmani, i cili aktualisht ushtron detyrën e zëvendësministrit në këtë dikaster dhe do të zëvendësojë Zoran Ljutkovin. Në krye të Ministrisë së Drejtësisë pritet të emërohet Jeton Shasivari, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore, i cili do të zëvendësojë ministrin aktual nga radhët e ZNAM, Igor Filkov.

Me rikonstruimin e Qeverisë, VLEN do të mbetet me vetëm një post zëvendëskryeministri. Bekim Sali do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Çështje Evropiane, ndërsa posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, të cilin deri tani e mbante Arben Fetai, do të shfuqizohet. Kompetencat e kësaj fushe do të kalojnë nën kabinetin e kryeministrit. Nga ana tjetër, Mickoski ka bërë të ditur se VMRO-DPMNE, si partia kryesore e koalicionit qeverisës, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Për ministër të Shëndetësisë propozohet drejtori aktual i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, ndërsa për ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë është propozuar zëvendësministri aktual, Gjoko Velkovski.

LSDM: RIKONSTRUIMI I MICKOSKIT – KOZMETIKË E STRUKTURËS KRIMINALE

Ndërkohë, nga LSDM kanë akuzuar Mickoskin për emrat e rinj të ministrave, të cilët ai i prezantoi mbrëmë. Nga LSDM thonë se kur nuk ka rezultate, ka teatër me rikonstruim.

“Kjo nuk është një reformë e Qeverisë, por një ndryshim kozmetik i së njëjtës strukturë kriminale. Disa ministra po zhvendosen, disa emra të rinj po dalin në skenë, dhe njerëzit dhe departamentet kryesore mbeten të njëjta. Punët e brendshme, mbrojtja, financat, punët e jashtme, arsimi – gjithçka në të njëjtat duar. Ata thjesht po i kthejnë karriget për të krijuar përshtypjen se diçka po ndryshon, Kjo është taktika e Mickoskit: kur ekonomia është në kolaps, kur buxheti është bosh, kur nuk ka para as për pensione, kur rruga evropiane është e bllokuar – atëherë po bëhet një ‘rikonstruim’ për të shpërqendruar vëmendjen. Nuk është bërë asnjë reformë serioze. Nuk është zgjidhur asnjë problem i madh që shqetëson qytetarët. Vetëm karriget ministrore po rishpërndahen midis të njëjtëve njerëz dhe satelitëve të tyre. Mickoski thjesht po e rilyen të njëjtin sistem kriminal, në mënyrë që ta mbajë atë në pushtet për një kohë më të gjatë. Kjo nuk është aspak ndryshim. Ky është një pranim se qeveria aktuale ka dështuar, por në vend që të pranojë përgjegjësinë, po luhet një tjetër teatër. Qytetarët nuk duan emra të vjetër e të rinj në pozicione të vjetra e të reja. Ata duan rezultate. Dhe nuk ka rezultate, as nuk do të ketë, ndërsa i njëjti grup i organizuar kriminal është në krye të shtetit”, thonë nga LSDM.

VMRO: RIKONSTRUIMI SYNON REFORMA MË TË SHPEJTA

Kundërpërgjigjen nga VMRO-DPMNE. Sipas partisë në pushtet, përbërja e re qeveritare do të vazhdojë me ritëm të përshpejtuar realizimin e projekteve të nisura dhe proceseve reformuese, me fokus në rezultate konkrete, llogaridhënie dhe përmbushjen e premtimeve. Opozitarja LSDM, duke komentuar ndryshimet në kabinetin qeveritar të komunikuara mbrëmë nga kryeministri Hristijan Mickoski, vlerësoi se rikonstruimi i Qeverisë paraqet “teatër pa rezultate dhe pa reformë thelbësore”.

Nga VMRO DPMNE njoftojnë se rikonstruimi i Qeverisë konfirmon përcaktimin për qeverisje të përgjegjshme, efikase dhe transparente, duke theksuar se ndryshimet janë rezultat i analizës së deritanishme të punës dhe i pritjeve të qytetarëve për reforma më të shpejta dhe institucione më funksionale. Prioritetet e Qeverisë, sipas partisë, mbeten përmirësimi i standardit të jetesës, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve. “Përbërja e re qeveritare do të vazhdojë me ritëm të përforcuar realizimin e projekteve të nisura dhe proceseve reformuese, me fokus në rezultate konkrete, llogaridhënie dhe përmbushjen e premtimeve”, thuhet në komunikatën e partisë.

Sipas VMRO DPMNE së, Qeveria do të punojë për përmbushjen e pritjeve të qytetarëve përmes qeverisjes së përgjegjshme, rezultateve të prekshme dhe politikave të orientuara drejt standardit më të mirë të jetesës, stabilitetit dhe një të ardhmeje të sigurt. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm