Përderisa ende bisedimet mes kryeministrit Hristijan Mickoski me eksponentët më të lartë të VLEN-it po vazhdojnë për sa i përket rikonstruimit të qeverisë, analistët vlerësojnë se VLEN, krahas marrjes së disa resoreve, duhet të fokusohet në demonstrimin e fuqisë politike për çështjet që i tangojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, siç është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe integrimi në Bashkimin Evropian
Ersan PAJAZITI
Shkup, 18 nëntor – Vendi i zv/kryeministrit të parë, ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe ai i zv/kryeministrit për Sistem Politik vazhdojnë të mbeten të zbrazëta, pasi Izet Mexhiti mori detyrën e kryetarit të Komunës së Çairit, ndërsa Ivan Stoilkoviqi mori mandatin e këshilltarit në Komunën e Kumanovës. Për dy resorët e parë, bisedimet vazhdojnë mes VLEN-it dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, ndërsa nuk përjashtohet që në periudhë të mëtejshme të ketë edhe rikonstruim më të gjerë qeveritar. Analistët vlerësojnë se VLEN, krahas marrjes së disa resoreve, duhet të fokusohet në demonstrimin e fuqisë politike për çështjet që i tangojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, siç është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe integrimi në Bashkimin Evropian.
VLEN TË OFROJË KUALITET, JO KUANTITET
Rikonstruimi i paralajmëruar i qeverisë është një kamuflazh apo tentim për të hedhur fajin te individë të caktuar për mosrealizimin e projekteve konkrete të kësaj qeverie, vlerëson analisti Faton Halili. Ai vlerësoi se qasja e VLEN-it në këtë aspekt nuk duhet të jetë vetëm marrja e disa resoreve, pa pasur plan konkret. “Në qoftë se merret kjo ministri apo ajo ministri, besoj se duhet të jenë të parapërgatitur, jo të futen në atë drejtim të caktuar të institucionit e pastaj të mendojnë. Kur të shohësh në fund të ditës, koha kalon e nuk kemi rezultate konkrete. Unë do të kisha dëshiruar që pasi të marrin disa pozicione kyçe, qoftë zv/kryeministrin e parë, ministrinë e arsimit apo diçka tjetër, të kenë plane konkrete se çfarë do t’u ofrojnë qytetarëve, jo vetëm të jenë figura, kukulla në qeveri, për ta zbutur sado pak imazhin se shqiptarët janë të përfaqësuar nëpër institucione”, vlerëson analisti Halili.
SHUMICA E BADENTERIT, PROBLEMI KRYESOR I QEVERISË
Ndërkohë shumë ligje të rëndësishme janë bllokuar sepse shumica aktuale qeverisëse nuk ka siguruar shumicë të Badenterit, ose numër të mjaftueshëm deputetësh nga komunitetet jo-shumicë. Për këtë arsye është aktualizuar tema nëse pushteti do të arrijë ta zgjerojë shumicën parlamentare. VMRO-DPMNE, me VLEN dhe ZNAM, ndoshta nuk do të kenë problem me shumicën prej dy të tretash, ose me mbështetjen e 80 deputetëve, por gur pengues mbetet shumica e Badenterit. Nga 120 deputetë, 39 i përkasin komuniteteve jo-shumicë dhe për të pasur Badenter duhet të sigurohet gjysma e deputetëve nga komunitetet jo-shumicë. VMRO-DPMNE dhe VLEN së bashku kanë 14 deputetë, që do të thotë se u mungojnë edhe 6 deputetë të tjerë. Eksponentë të VLEN-it kanë paralajmëruar se janë në bisedime me deputetë të opozitës shqiptare për të ndërruar anë.
Diskutimet për transfere të mundshme të deputetëve nga opozita në pozitë, Halili i vlerëson si të padobishme për shoqërinë. Në dobi të shqiptarëve nuk janë pazaret e ulëta politike, por balancimi i forcave politike, ku do të ketë një parti në pushtet të fortë, e cila përballë do të ketë një opozitë të fortë. “Jo të merren me pazare se prej brenda AKI-së ne tani do t’i marrim disa figura. Ne a po flasim për kualitet apo kuantitet? Për kuantitet, mos të ketë fare opozitë, të gjithë të hyjnë në qeveri dhe vazhdojmë si pakicë kombëtare. Neve na duhet një opozitë e konsoliduar, një opozitë e fortë kritikuese, e reformuar para së gjithash, që i ka munguar BDI-së, po ashtu edhe një VLEN, që për tema të mëdha duhet të bëhen bashkë”, vlerëson Halili.
Ai rikujtoi se një çështje tjetër që VLEN duhet ta ketë parasysh është të ofrojë zgjidhje për problemet që i tangojnë shqiptarët, siç është përfaqësimi i drejtë nëpër institucione, zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, por edhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese, që janë kusht për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit.
TË NGRITET ZËRI PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE
Edhe analisti Valon Bela vlerëson se zëri i VLEN-it duhet të jetë më i madh në politikat e kësaj qeverie dhe të demonstrojë fuqi politike edhe në punët me interes shtetëror, siç është procesi euro-integrues i vendit, që sipas tij është me interes jashtëzakonisht të madh për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Bela thotë se fitorja në dhjetë komuna i jep një lloj legjitimiteti VLEN-it që të bëjë presion deri te kryeministri dhe VMRO-DPMNE edhe për sa i përket miratimit të ndryshimeve kushtetuese, e jo të jenë vetëm spektatorë në këtë çështje. “Ata duhet të kenë një sjellje ndryshe ndaj kryeministrit në aspekt të realizimit apo zgjidhjes së dilemave që i kemi. Nuk duhet të harrojmë se procesi i integrimit është ndalur në vendnumëro, në zero. Kemi një kryeministër që vazhdimisht kërkon garanca nga BE, ndërsa harrojmë se ai në fushatë të zgjedhjeve parlamentare thoshte se do të rinegociojë kornizën negociuese dhe tani erdhi përgjigjja nga Komisioni Evropian se një gjë e tillë nuk është e mundur. Prandaj, unë pres prej VLEN-it që ta marrë më seriozisht këtë pjesën tjetër të detyrave që i kanë mbetur, dhe kjo edhe i takon”, vlerëson analisti Valon Bela.
SELA KA TRI KUSHTE PËR NEGOCIATA ME QEVERINË
Ndërkohë, kryetari i ASH-së, Ziadin Sela i është përgjigjur zërave nëse ai mund të bëhet pjesë e qeverisë. Ai në një emision ka lënë të hapur mundësinë për të qenë pjesë e qeverisë, por vetëm nëse plotësohen tre kushte kryesore. Ai tha se miratimi i ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht zhbllokimi i procesit të integrimit në BE, zëvendësimi i termit “20%” me “gjuha shqipe” në Kushtetutë, si dhe vendosja e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, janë kushtet pas së cilave Sela do ta shqyrtojë hyrjen në qeveri. “Fillimisht ndryshimet kushtetuese – zhbllokimi i rrugës për në BE, heqja e 20% – futjen e gjuhës shqipe më Kushtetutë dhe vendimet që sillen me parim Badenteri, të jetë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Këto do të ishin tre tema, në qoftë se do të realizoheshin fillimisht, atëherë do të mund të negociohet me Aleancën për Shqiptarët”, tha Sela kur u pyet nëse ekziston mundësia që ai të bëhet pjesë e Qeverisë.
Përndryshe, burime nga qeveria theksojnë se vendimet përfundimtare për plotësimin e resorëve do të varen nga harmonizimi mes partnerëve të koalicionit, veçanërisht pas kongresit të VMRO-DPMNE-së më 6 dhjetor. Qëllimi është të sigurohet një qeveri funksionale me kuadro të qëndrueshme, e cila do të mund t’i vazhdojë proceset reformuese dhe t’u përgjigjet rekomandimeve të Komisionit Evropian. Sipas burimeve partiake nga partitë në pushtet, në periudhën pas kongresit do të mendohet dhe do të diskutohet për ndryshime të caktuara në qeveri, dhe nuk përjashtohet as mundësia për lëvizje kadrovike, një pjesë e ministrave aktualë mund të vendosen në krye të resorëve të tjerë. (koha.mk)




