Analiza “Compass”, e përgatitur nga një grup organizatash qytetare, tregon se nga 31 premtime të monitoruara në fushën e rinisë, vetëm katër janë realizuar, pesë janë në proces realizimi, ndërsa 22 nuk janë realizuar fare
Anëmsha SHABANI
Shkup, 26 qershor – Qendra rinore në çdo qytet, mijëra trajnime për aftësi digjitale, punë me kohë të pjesshme për studentët, zbritje për transport, kulturë dhe sport. Këto ishin vetëm një pjesë e premtimeve që partitë politike u ofruan të rinjve gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024. Megjithatë, në gjysmën e mandatit qeveritar, shumica e tyre vazhdojnë të mbeten të parealizuara.
Analiza “Compass”, e përgatitur nga një grup organizatash qytetare, tregon se nga 31 premtime të monitoruara në fushën e rinisë, vetëm katër janë realizuar, pesë janë në proces realizimi, ndërsa 22 nuk janë realizuar fare. Të dhënat tregojnë se politikat rinore mbeten ndër fushat me nivelin më të ulët të zbatimit të premtimeve qeveritare.
Ndër masat që konsiderohen të realizuara janë kuponët prej 250 eurosh për pajisje elektronike, projekti për mbështetjen e të rinjve në blerjen e banesës, themelimi i Ministrisë së Politikave Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe krijimi i Qendrës për Kërkime mbi Çështjet e të Rinjve. Megjithatë, pjesa dërrmuese e zotimeve të dhëna para zgjedhjeve mbeten ende larg realizimit.
Sipas analizës, një nga premtimet më ambicioze ishte krijimi i 70 mijë vendeve të reja të punës për të rinjtë, por që treguesit aktual tregojnë një realitet tjetër. “Premtimi i 70.000 vendeve të reja të punës për të rinjtë është në drejtim të kundërt me përmbushjen. Shkalla e punësimit të të rinjve (15-29 vjeç) ra në 34.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, pasi arriti në 36.1 për qind në vitin 2025. Pra, pas vitit të parë të mandatit kishte rreth 7.000, ndërsa tani kemi minus 9.600 të rinj të punësuar. Është edhe më shqetësuese që asnjë trajnim për aftësi digjitale nuk u zbatua në vitin 2025, pas 735 të rinjve të trajnuar në vitin 2024”, deklaroi Risto Saveski nga Forumi Arsimor Rinor.
Pikërisht punësimi dhe zhvillimi i aftësive digjitale ishin ndër shtyllat kryesore të programit për të rinjtë. Analiza evidenton se premtimi për 5.000 trajnime digjitale nuk ka shënuar progres, ndërsa të dhënat e tregut të punës nuk reflektojnë rritjen e paralajmëruar të punësimit rinor. Ndërkaq, në një periudhë kur emigrimi i të rinjve vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore të vendit, mungesa e rezultateve në këto fusha shihet si një nga dështimet më të dukshme të politikave rinore.
Po aq i ngadaltë ka qenë edhe realizimi i masave që lidhen me standardin studentor. Analiza tregon se nuk është zhvilluar i ashtuquajturi “Aplikacioni M”, i cili ishte paralajmëruar si mjet për zbritje në transportin publik, hekurudhor, institucionet kulturore dhe aktivitetet sportive. Gjithashtu, nuk është realizuar premtimi për internet falas në konviktet studentore, sallat e leximit dhe qendrat rinore. “Një aplikacion i tillë mungon dhe nuk ka asnjë punë për internet falas në konviktet studentore, sallat e leximit dhe qendrat rinore. Ne nuk i shohim këto premtime si luks, por si kushte që të rinjtë të kenë qasje më të mirë në arsim dhe shërbimet e institucioneve”, theksoi Saveski.
Në mesin e premtimeve që kanë mbetur larg realizimit është edhe hapja e 42 qendrave lokale rinore. Sipas të dhënave të analizës, deri në fund të vitit 2025 në vend funksiononin vetëm 14 qendra të tilla, ndërsa progresi në zgjerimin e rrjetit ka qenë minimal. “Jetojmë në një vend me ligje dhe strategji të mira, megjithatë ato mbeten në letër. Shembulli më i mirë i kësaj është premtimi për të hapur 42 qendra lokale rinore. Deri në fund të vitit 2025 kishte vetëm 14 qendra të tilla. Në disa rajone ato po hapen, në të tjera po mbyllen. Numri është në stanjacion. E njëjta gjë po ndodh edhe me këshilltarët e karrierës, të cilët mbeten vetëm në letër”, përfundoi ai.
Analiza evidenton gjithashtu se të rinjtë ende nuk kanë përfituar biblioteka elektronike në universitete, mundësi më të mëdha për punë me kohë të pjesshme, si dhe qasje më të gjerë në stazhe dhe programe vullnetarizmi në institucionet publike. Këto masa ishin prezantuar si hapa konkretë për përmirësimin e tranzicionit nga arsimi drejt tregut të punës, por deri më tani nuk kanë prodhuar rezultate të prekshme.
Ndryshe nga fusha e rinisë, arsimi paraqitet me rezultate më të mira. Sipas analizës “Compass”, nga premtimet e monitoruara në këtë sektor, 32 për qind janë realizuar, ndërsa 58 për qind janë në proces realizimi. Përparim është shënuar veçanërisht në arsimin dual, ku numri i kompanive të përfshira në trajnimin praktik të nxënësve është rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit.
Megjithatë, fotografia e përgjithshme mbetet larg pritjeve të krijuara para zgjedhjeve. Në gjysmën e mandatit, vetëm katër nga 31 premtime për të rinjtë janë realizuar, ndërsa shumica vazhdojnë të mbeten në fazën e zotimeve. Për një kategori që shpesh përmendet si prioritet nga politikanët, rezultatet tregojnë se premtimet e fushatës ende nuk janë shndërruar në politika konkrete me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e të rinjve. (koha.mk)




