E mërkurë, 29 Tetor, 2025
7.8 C
Skopje

Rubin: Shpallja fajtorë e luftëtarëve për liri do të ishte një tragjedi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë një video të deklaratës së ish-diplomatit amerikan James Rubin lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë.

Në deklaratë, Rubin thekson se “Shpallja fajtorë e luftëtarëve për liri do të ishte një tragjedi.”

Rubin gjatë dëshmisë në Hagë në shtator, përmendi shumë gjëra që pasqyronin realitetin e luftës së pastër të UÇK-së.

Po ashtu, ditë më parë është konfirmuar se gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, do të dëshmojë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Mbrojtja e Thaçit njoftoi se Clark ka marrë autorizimin nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në mbrojtjen e Thaçit, i cili së bashku me tre ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po gjykohen në qytetin holandez për krime lufte.

Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.

Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Ajo pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.(Telegrafi)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm