Drejtori i NP “Higjena komunale” Shkup, Sabahudin Rustemi ka dhënë dorëheqje nga funksioni për shkaqe morale.
Këtë e kumtoi avokati i tij Asmir Alispahiq, në deklaratë për media, pas marrjes në pyetje të Gjykatës penale, e cila Rustemit dhe udhëheqësit të sektorit për mbeturina, Aki Saiti, u shqiptoi paraburgim 30-ditor për shkak të “rrezikut nga ndikimi ndaj dëshmitarëve dhe mundësisë për përsëritjen e veprës”.
Alispahiq, thotë se dorëheqjen Rustemi nuk e jep se ndjehet përgjegjës për situatën me mbeturinat në Shkup, por të mos ndikojë ndaj hetimit.
“Dorëheqja e tij është pas këshillimit dhe koordinimit me ne si mbrojtës. Ky është akt që do të mundësojë udhëheqje të papenguar të hetimit, me qëllim që të dëshmojmë se i njëjti nuk ka kurrfarë lidhje, e në drejtim të asaj se as që mund të ndikojë, as nuk ka ndikuar në çfarëdo zhvillimi të hetimit”, deklaroi mbrëmë avokati Alispahiq.
Ai, po ashtu theksoi se ka numër të madh provash, me të cilat, siç theksoi, do të vërtetojnë se Rustemi ndërmori veprime për të siguruar mekanizimin e nevojshëm, kërkoi burime më të mëdha, si dhe punësime, por kjo nuk iu miratua nga bordi drejtues.
Drejtori Rustemi u emërua në këtë pozicion nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska në fillim të këtij viti.
Gjykata Themelore Penale në Shkup pranoi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike në Shkup dhe caktoi masë paraburgimi prej 30 ditësh për dy drejtues të NP “Higjiena Komunale” – Shkup, për shkak të dyshimit bazë për veprën penale “Rrezikimi i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina” sipas nenit 230, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Sipas prokurorisë, të dyshuarit vepruan në kundërshtim me Ligjin për menaxhim me mbeturina dhe obligimet e Programit operacional për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave komunale, gjë që rezultoi në krijimin e deponive të vogla në sipërfaqet publike dhe të trafikut në Shkup.
Inspektimet e jashtëzakonshme dhe mendimet e ekspertëve nga Instituti për shëndet publik konfirmuan se ky menaxhim i mbeturinave shkaktoi dëme në tokë, ajër dhe ujë, me rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve.




