Një ditë e zakonshme nis shpesh herët dhe me një ndjenjë lodhjeje apo mungese dëshire, përballë një liste të gjatë detyrash që na presin. “Ah, sikur ta zhdukja këtë orar të ngarkuar!”, mund të mendojnë shumë prej nesh. Edhe pse kjo nuk është e mundur, psikologët thonë se ekziston një mënyrë e thjeshtë për ta përmirësuar menjëherë humorin dhe për ta nisur ditën me energji pozitive. Cila është ajo mënyrë? Gjithçka varet nga një fjalë e vetme, por me fuqi të madhe: Mundem!
Sipas specialistëve të shëndetit mendor, mënyra se si i flasim vetes ka ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen emocionale dhe në sjelljen tonë. I ashtuquajturi “dialog i brendshëm” formëson mënyrën se si e perceptojmë realitetin dhe ndikon në mënyrën se si përballemi me situatat. Fjalët që përdorim për veten kanë fuqi: mund të na forcojnë vetëbesimin, por edhe ta dobësojnë atë. Psikologu i njohur Albert Bandura, një ndër figurat më të rëndësishme të psikologjisë sociale, thekson rëndësinë e vetë-efikasitetit besimit në aftësinë tonë për të arritur qëllimet dhe për të përballuar vështirësitë. Sipas tij, ky besim nuk është thjesht optimizëm, por një proces i thellë psikologjik që ndikon në mënyrën se si menaxhojmë stresin dhe sfidat.
Bandura thekson se përsëritja e përditshme e fjalës “Mundem” ndihmon në ndërtimin e këtij vetëbesimi. Nuk bëhet fjalë për një motivim të përkohshëm, por për një mënyrë për ta trajnuar mendjen që të shohë vështirësitë si mundësi, e jo si pengesa. Për shembull, mund ta thuani me zë të lartë përpara pasqyrës në mëngjes, ta shkruani në një letër në frigorifer ose ta përsërisni në makinë gjatë rrugës për në punë. Psikologët nënvizojnë se kjo praktikë nuk nënkupton të injorosh problemet, por të zgjedhësh vetë si do t’i përballosh ato. Duke thënë “Mundem!” çdo mëngjes, nuk po përgatiteni thjesht për të përballuar ditën po përgatiteni për ta fituar atë.