Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, u shpreh i lumtur për triumfin ndaj Shelbourne në Conference League, por theksoi se skuadra e tij ka ende shumë për të dhënë dhe se fitorja vlen jo vetëm për klubin, por për të gjithë futbollin e Maqedonisë, njofton Telegrafi.
Kampioni i Maqedonisë, Shkëndija, e zhvilloi ndeshjen e parë para publikut të vet në UEFA Conference League dhe para rreth 3.000 tifozëve në Arenën “Todor Proeski” arriti të mposhtë ekipin irlandez Shelbourne (1-0).
Pas ndeshjes, trajneri Jeton Bekiri nuk e fshehu kënaqësinë për fitoren në arenën evropiane, por megjithatë nuk ishte plotësisht i impresionuar nga paraqitja e ekipit të tij.
“Normalisht që jemi të kënaqur me fitoren. E nisëm me modesti, ashtu dua të vazhdojmë. Për mua është e rëndësishme loja e mirë dhe pikët në Evropë, sepse ato ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ligën e Maqedonisë dhe tek ekipet e tjera. Jam i lumtur për fitoren e parë në fazën e grupeve, por më e rëndësishme është që kjo Shkëndijë ende nuk është në maksimumin e vet. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme, si në shtëpi ashtu edhe jashtë, të jemi më cilësorë,” – tha Beqiri.
Ai shtoi se fitorja ishte e merituar, edhe pse skuadra pati edhe fatin në krah:
“Fati i ndjek të guximshmit, dhe po, mund të them se patëm edhe pak fat, por ne punojmë që ta meritojmë atë. Kjo Shkëndijë ka cilësi. Kur fiton edhe pa qenë 100%, kjo tregon se je skuadër e fortë. Unë isha i qetë në pankinë, edhe pse brenda vetes përjetoja shumë emocione. Gjithmonë besoj deri në fund të ndeshjeve, sepse këto fitore në fund janë më të ëmbla.”
Beqiri vlerësoi edhe kundërshtarin, duke kujtuar se në Evropë nuk ka më ekipe të dobëta:
“Luajtëm kundër një ekipi me respekt, që ka fituar ndaj Rijekës dhe Bakut. Në ndeshjen e parë në grup ata barazuan me Häcken. Në Evropë nuk ka më pikë të lehta. Këto përvoja janë të vlefshme për të gjithë ne që jemi pjesë e Shkëndijës. Vetëm më vjen keq që luajtëm në një terren jo të mirë për lojë.”
Kjo është fitorja e parë historike për Shkëndijën në garat e UEFA-s, ku tetovarët janë debutues, dhe njëherësh fitore e parë për Maqedoninë në fazën e grupeve. Ndeshjen e radhës Shkëndija do ta zhvillojë në nëntor ndaj Jagiellonia Białystok në Poloni.




