Në Shqipëri, çdo familje shpenzon mesatarisht 93 mijë lekë në muaj, por 40% e kësaj shume shkon vetëm për ushqime, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT. Produkte bazë si buka, vaji, qumështi dhe perimet marrin pothuajse gjysmën e të ardhurave mujore, ndërsa çmimet e tyre janë rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit.
“Me borxhe jetojmë. Marrim ndihmë ekonomike, por ajo s’mjafton as për bukë. Merr borxh, jep borxh… kjo është Shqipëria”, shprehet një qytetar.
Një tjetër, emigrant që jeton mes Berlinit dhe Shqipërisë, tregon kontrastin e thellë: “Një qumësht fëmije në Gjermani kushton 1.40 euro, këtu e gjen 4 mijë lekë. Me këto paga, jeta është e pamundur”.
Ekspertët pohojnë se rritja e vogë e pagave nuk e ka kompensuar dot koston e jetesës, duke e kthyer shportën e ushqimeve në “armikun” më të madh të familjeve shqiptare.
Në Tiranë, shpenzimet mujore arrijnë mbi 108 mijë lekë, ndërsa zonat si Kukësi e Dibra mbeten me fuqi blerëse minimale. Sipas ekonomistëve, kjo tregon një ekonomi të brishtë dhe një hendek që po thellohet mes shtresave.
Ndërsa sociologët thotë se “shumica e popullsisë jeton vetëm për të përballuar ditën e sotme, pa mundësi për të kursyer apo për të menduar për nesër”.
Në një vend ku 4 nga 10 lekë shpenzohen për ushqime, pyetja që lind është e thjeshtë: A po punojnë shqiptarët për të jetuar apo vetëm për të ngrënë e për të dhj*rë?