Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Forumin e tetë të Paqes në Paris, mbajti një fjalim në sesionin kushtuar të rinjve dhe perspektivës evropiane në Ballkan. Ajo theksoi rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit rajonal dhe bëri thirrje për mirëkuptim dhe dialog, duke theksuar se integrimi evropian nuk mund të jetë diktat, por është dialog.
“Bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua. Nuk mund të ikim rajonit, është fati ynë, kjo vlen jo vetëm për ne që ende presim të bëhemi kandidatë ose që disa shtete t’i përfundojnë negociatat me BE-në, por edhe për ato që janë tashmë në BE dhe i përkasin rajonit tonë”, deklaroi Siljanovska-Davkova pas përfundimit të sesionit, i cili u moderua nga Mishel Diklo nga “Instituti Montejn”.
Në sesion presidentja foli edhe për situatën e sigurisë në Evropë, për shkak të së cilës, siç tha, nuk duhet të lihemi në një vakum gjeopolitik dhe riafirmoi qëndrimin se zgjerimi i Unionit është një çështje sigurie, e jo vetëm një çështje zgjerimi.




