Investitorët e huaj në vend “kërkuan” gjithashtu një ulje tjetër të normave doganore për materialet që importojnë për të prodhuar produktet e tyre, dhe nga ana tjetër, ata e kënaqën Qeverinë duke e informuar atë se 55 përqind e kompanive të anketuara me kapital të huaj në vend janë të gatshme të investojnë përsëri këtu
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 mars – Tema e rreziqeve globale, problemi me transportuesit dhe me lejet e punës, zbatimi i detyrimeve të investitorëve të huaj nga institucionet kompetente shtetërore. Këto ishin disa nga temat e diskutuara midis ekzekutivit dhe investitorëve të huaj. Në takim u hap tema e rreziqeve globale, veçanërisht pasojat e mundshme të konflikteve në Lindjen e Mesme mbi çmimet e transportit, energjisë dhe lëndëve të para. “Përveç çmimit të naftës, lufta do të reflektohet edhe në rritjen e çmimeve të transportit dhe lëndëve të para. Ngadalësimi i transportit, nga ana tjetër, do të reflektohet në kompanitë mëmë të kompanive që operojnë në vend. Gjithashtu , industria e automobilave në Evropë, e çila përbën pjesën më të madhe të investimeve në Maqedoni, do të pësojë dëmin më të madh”, tha kreu i Këshillit të Investitorëve të Huaj, Vikot Mizo.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se investitorët e huaj janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, njësoj si kompanitë vendase. Ai shprehu kënaqësi për rritjen e numrit të kompanive që janë të gatshme të investojnë përsëri dhe tha se Qeveria do t’i analizojë komentet e investitorëve. Sipas tij, çdo investim i ri kontribuon në një ekonomi më të fortë, të ardhura më të larta në buxhet dhe më shumë fonde për projekte kapitale, shëndetësi, arsim dhe rritje të pagave dhe pensioneve.
Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski thotë se investitorët e huaj janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, njësoj si investitorët vendas, sepse ekonomia është një nga prioritetet kryesore të funksionimit të kësaj Qeverie dhe të gjitha ato atribute që janë pjesë integrale e asaj lufte për një ekonomi më të mirë.
“Ne ndiejmë se po ecim ngadalë por me siguri drejt konsolidimit, dhe kjo përballë sfidave jashtëzakonisht të mëdha globale. Sigurisht, sfidat nuk do të ndalen, ato do të vazhdojnë, por ne po përpiqemi t’i parashikojmë ato dhe përmes parashikimit të gjejmë zgjidhje për ato sfida. Sa më i fortë shteti, aq më i vlefshëm biznesi, aq më i vlefshëm prona, sa më i fortë biznesi, aq më i fortë bëhet shteti, prandaj është shumë e rëndësishme të kemi një biznes likuid, një ekonomi, që ekonomi i përmbush detyrimet e saj ndaj shtetit dhe buxhetit në kohë”, tha Kryeministri Mickoski.
Për të, është një “rrugë me dy kahje”. Ai tha se do të analizojnë kritikat dhe argumentet që u paraqitën sot dhe se aty ku ato mund të përmirësohen, do të bëjnë përpjekje për t’i zbatuar ato.
Shumica, ose 55 përqind, e investitorëve të huaj janë të gatshëm të investojnë përsëri në vend, sipas anketës së fundit të kryer midis kompanive anëtare të Këshillit të Investitorëve të Huaj. Sipas rezultateve, më shumë se gjysma e kompanive të anketuara kanë ndërmend të zgjerohen ose të vazhdojnë të investojnë në vend, që është një rritje prej 13 pikësh përqindjeje krahasuar me anketën e kryer në vitin 2024.
Vlerësohet se qëndrimi pozitiv ndaj riinvestimit është një sinjal i rëndësishëm besimi në mjedisin e biznesit, por gjithashtu se investitorët vunë në dukje disa sfida – mungesat e fuqisë punëtore, normat doganore, paga minimale dhe lehtësimin e proçedurave të lejes së punës për menaxherët e huaj. “Diskutuam edhe për çështje të tjera të hapura, siç është ulja shtesë prej 50 përqind e normave doganore që do të zbatohet që nga 1 korriku i këtij viti, që do të thotë se do të kemi harmonizim të plotë dhe konkurrueshmëri më të madhe të prodhimit tonë këtu dhe në të njëjtin nivel me konkurrueshmërinë në vendet e BE-së”, tha Mizo.
Investitorët e huaj kanë kërkuar me ngulm një ulje tjetër të tarifave doganore për materialet që importojnë për të prodhuar produktet e tyre. Lidhur me çështjen e ndihmës shtetërore që u përshkallëzua vitin e kaluar, kur pagesa u vonua nga shteti, u diskutuan aktivitetet që ishin ndërmarrë në grupin e punës për të vendosur udhëzime për përcaktimin e kostove të justifikuara të investimit uniforme nga të gjithë investitorët, pavarësisht vendndodhjes ku investojnë në vend dhe kush janë ofruesit e ndihmës shtetërore. Mbledhja e radhës e Këshillit të Investitorëve të Huaj në Maqedoni dhe Qeverisë do të mbahet në mesin e qershorit 2026. (koha.mk)




