Javën e kaluar (29 shtator-4 tetor), në Teatrin Shqiptar në Shkup u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skupi Fest”, ku u dhanë 8 shfaqje nga Shqipëria, Italia, Turqia, Sllovenia, Kosova, Bullgaria dhe Serbia dhe në fund, shfaqja më e mirë u shpall “Medeja” nga Teatri Kombëtar “Ivan Vazov” i Sofjes. Gazeta KOHA ishte një nga sponsorët medialë të këtij manifestimi që u mbajt për të 19-tën herë dhe pas përfundimit të tij, zhvilluam një bisedë me drejtorin artistik të tij, Osman Ahmetin për risitë që solli, për vështirësitë organizative, impenjimin e stafit mbajtjen e nivelit të arritur, për publikun, rastisjen që në një termin të mbahen disa festivale, për planet e festivalit të 20-të jubilar vitin që vjen
Javën e kaluar (29 shtator-4 tetor), në Teatrin Shqiptar në Shkup u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skupi Fest”, ku u dhanë 8 shfaqje nga Shqipëria, Italia, Turqia, Sllovenia, Kosova, Bullgaria dhe Serbia dhe në fund, shfaqja më e mirë u shpall “Medeja” nga Teatri Kombëtar “Ivan Vazov” i Sofjes. Gazeta KOHA ishte një nga sponsorët medialë të këtij manifestimi që u mbajt për të 19-tën herë dhe pas përfundimit të tij, zhvilluam një bisedë me drejtorin artistik të tij, Osman Ahmetin për risitë që solli, për vështirësitë organizative, impenjimin e stafit mbajtjen e nivelit të arritur, për publikun, rastisjen që në një termin të mbahen disa festivale, për planet e festivalit të 20-të jubilar vitin që vjen.
KOHA: Përgëzime edhe për një edicion të suksesshëm të Skupi Festit që është bërë pjesë e pandarë e vjeshtës teatrore qe gati se 20 vjet…Besojmë se tash ju ka kaluar stresi si organizatorë dhe mund t’i përmblidhni përshtypjet: Si e vlerësoni festivalin e sivjetmë nga këndvështrimi juaj, a patët vështirësi për të mbledhur shfaqje nga pesë-gjashtë vende të ndryshme dhe a jeni të kënaqur me atë që i ofruat publikut?
AHMETI: Ju faleminderit për vlerësimet, Shpresoj se ja kemi arritur tashmë pothuajse në këto dy dekada të jemi një pikëtakim kulturor që pritet e përcillet në qytetin e Shkupit në stinën e vjeshtës. Stresi në një fare mënyre edhe ka kaluar, ndërsa lodhja do edhe pak kohë. Nga këndvështrimi ynë si organizatorë, mendojmë se kemi patur një edicion të suksesshëm, nga aspekti programor artistik, si dhe organizativ edhe nga interesimi i publikut.
Sa i përket vështirësive të një festivali teatrore me karakter ndërkombëtar janë të natyrave të ndryshme. nis hulumtimin e prodhimeve teatrore, përzgjedhja e tyre, tani në një farë mënyre është më e lehtë për ne, pas një përvojë gati dy dekadash pasi njihesh me rrjete të shumta teatrore, institucione kulturore, artistë e producentë të ndryshëm që ofrojnë informata por edhe japin ndonjë informacion për ndonjë produkt që mund të jetë në interes festivalit. Sa për ilustrim për këto 8 shfaqje që ishin në programin e këtij edicioni të 19-të, puna ka nisur qysh në mbarim të edicionit pararendës. Dhe pas përzgjedhjes së shfaqjes në programin e festivalit, pastaj nis kalvari pothuajse gjatë gjithë vitit, komunikimi i vazhdueshëm me përfaqësuesit e pjesëmarrësve për kërkesat e ndryshme teknike e administrative e logjistike e nga më të ndryshmet.
Sa nga njëherë bëhet aq shumë e lodhshme edhe në një fare mënyre e bezdisshme gjithë ajo dinamikë e komunikimit për çështje që për po t’ i përmendi këtu, një pjesë duket aq banale, po ja që janë punë e rëndësishme organizative dhe administrative. Por në fund besoj se ia vlen gjithë ky mund, kur vjen momenti i jetësimit të gjithë asaj pune një vjeçare, në ditët kur mbahet festivali dhe besojmë se publiku ishte kënaqur me përzgjedhjen që ofroi ky edicion.
KOHA: Si organizatorë, cilat kritere i ndoqët sivjet për të na i ofruar këto shfaqje që i pamë? Nga tragjeditë antike, përtej Shekpsirit e Molierit, te Jonesku, M.Selimoviq, Gambroviç e Gundarson dhe autorë të tjerë bashkëkohorë, gjithsesi, kishim çka të shohim. A janë konzistente këto kritere për çdo vjet, apo përcillni trendët që dominojnë për një kohë të caktuar?
AHMETI: Ky edicion vërtet kishte emra autorësh të mëdhenj, duke nisur që nga antikiteti e deri tek autorët bashkëkohorë. Por edhe regjisorësh siç ishte rasti me shfaqjen “Medea” të Euripidit, në regji të Deklan Donellan-it, një emër i njohur i botës së teatrit. Si festival është fat i madh, të kesh në program shfaqje që mbajnë vulën e regjisorëve të kalibrit të tij. Kur dihet se me çfarë buxheti operon “Skupi Festival”, shfaqje të tilla janë pothuajse të pamundura të sillen në festival. Dhe kjo është një shkathtësi se nuk është hera e parë, por ndodh pothuajse të kemi diçka të tillë pothuajse në çdo edicion. Gjithashtu mundohemi të përcjellim edhe trendet teatrore, me mundësitë edhe sa i kemi. S’ do mend se do ishte diçka e mrekullueshme të ishim një festivali zhanri, të përcjellin për çdo edicion nga një zhanër të ndryshëm por kjo njëherë për njëherë është e pamundur me buxhetin që kemi, të shpresojmë në të ardhmen.
KOHA: Festivali ka edhe karakter garues, dhe kjo ndoshta është pjesë më delikate, a mendoni se juria që sigurisht nuk e ka pasur lehtë, i çoi çmimet në duart e vërteta. Cilat ishin çmimet dhe fituesit?
AHMETI: Po, festivali ka karakter garues, pra ndahet çmimi për shfaqjen më të mirë, por ka disa vite që juria ndan edhe çmime speciale, të cilat zakonisht jepen për ndonjë vlerësim interpretues aktoresk apo element tjetër teatror. Sigurisht që puna e jurisë është pak e sikletshme, nuk është aspak e lehtë, sepse natyra e punës së tyre është për të vlerësuar diçka që është shumë e ndijshme, për pjesëmarrësit, intrepretuesit etj. Vendimi i jurisë edhe mund të mos pëlqehet ndonjëherë nga ndonjë pjesëmarrës, apo një pjese të publikut, edhe nga organizatorët, por mbetet prapë vendim në fuqi i jurisë.
Këtë vit fitues i çmimit “shfaqja më e mirë”, ishte “Medea” nga Euripidi, në regji të Deklan Donellan-it, prodhim i Teatrit Kombëtar ”Ivan Vazov” të Sofjes. Çmimi Special “Luran Ahmeti”, ju dha dyshes Yllka Mujo dhe Armela Demaj, nga shfaqja “Gjysmë jeta e Maria Kyrisë”, nga autorja Lauren Gunderson, në regji të Armela Demajt, prodhuar nga teatri “Metropol” i Tiranës.
Çmimi Special Inkurajues për aktorët e rinj, Ozkan Ozen dhe Best Ozen, të cilët u vlerësuan për lojën e tyre të sinqertë plot energji, në shfaqjen “Tërbim për dy persona ose me shumë” të autorit Ezhen Jonesko, në regji të Senem Xhehver-it nga teatri “Hera“ i Stambollit Turqisë. Këtë edicion “Skupi Festival” ndau çmimin për kreativitetin regjisorial, Vasil Vasilevit në shfaqjen “Don Zhuan” të autorit Moljer, produksion i Teatrit Kombëtar nga qyteti i Nishit, Serbi.
KOHA: Me gjithë shfaqjet e bukura, u vërejt mungesa e masivitetit të publikut, të paktën te disa shfaqje. Ku e shihni shkakun për këtë, te fushata parazgjedhore, apo edhe një situatë e re, që sivjet dy festivale në dy qendrat tona kulturore, në Shkup dhe Tetovë, u mbajtën në të njëjtën kohë dhe në një farë mënyre u nda publiku?
AHMETI: Në fakt, për të qenë më të saktë, në një interval kohor prej trembëdhjetë ditësh, kanë ndodhur katër festivale teatrore, që për organizatorë kanë shqiptarët. “Festivali Otello” në Gostivar, Festivali në Dibrës, Festivali i Teatrit të Tetovës dhe “Skupi Festivali”. Nuk e di pse ndodhi kështu, a ishte rastësi apo e qëllimshme. “Skupi Festival” këtë edicion për të mos ndodhur kjo përplasje e zhvendosi organizimin e tij në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit. Dhe ky përcaktim ka qenë qysh vitin e kaluar, në përfundim të edicionit të 18-të.
Nuk është mirë të ndodhë prapë, besoj se në vitet e ardhshme do të ketë pak koordinim mes festivaleve, sepse edhe pse organizohen në qytete të ndryshme, një pjesë të konsiderueshme të publikut e kemi të përbashkët dhe është mirë që këtij publiku t’ia mundësojmë përcjelljen e të gjitha këtyre ndodhive kulturore. Pastaj, sikur nuk mjaftojë kjo ndodhi në e njëjtën kohe kur nisi “Skupi Festivali”, nisi edhe zyrtarisht edhe fushata parazgjedhore me ato konventat partiake. E gjithë në një fare dore kishte ndikim në masivitetin e publikut, por megjithatë një pjesë e konsiderueshme e përcolli “Skupi Festivalin” dhe nga përshtypjen që kemi prej publikut, duket se mbeti i kënaqur.
KOHA: A mund të harmonizoheni në të ardhmen me organizatorët e festivaleve tjera rreth terminëve?
AHMETI: Po siç thashë më lart kjo nuk duhet të ndodhë më, në të ardhmen duhet të evitohet, si “Skupi Festivali” do të jemi të hapur mos të ndeshemi me terminët e festivaleve të tjera. Por kjo nuk varet shumë vetëm nga ne, sepse janë edhe pesë a gjashtë manifestime të tjera që edhe ato duhet ta mendojnë këtë dhe të jenë të hapura në këtë drejtim. Të shpresojmë që të kemi një bashkërendim në këtë drejtim, sepse në fund të fundit dëmtojmë tjetrin por dhe veten.
KOHA: Një ngjarje kulturore ndodh kur atë e shijon publiku dhe kur për të shkruhet në media? A jeni të kënaqur nga mbulimi mediatik, apo ka këtu një diskomunikim dhe faj të ndërsjellë midis organizatorëve dhe mediave që pak shkruhet për kulturën dhe ngjarje si ky festival?
AHMETI: Tani manifestimet, ngjarjet kulturore nuk është se kanë ndonjë rëndësi të veçantë, shikuar nga prizmi interesit të mediumeve, sidomos në këtë kohën e lajkimeve, kur siç duket LIKE është bërë “vlerë e shtuar”. Megjithatë, ne jemi munduar dhe kemi pasur një komunikim ditor me një pjesë të madhe të mediumeve për rrjedhjen dhe mbarëvajtjen e programit të “Skupi Festivalit”. Por gjithmonë ka vend për tu përmirësuar në këtë drejtim akoma, ndoshta duhet të jemi edhe më imponues dhe më kërkues nga mediumet për informimin e aktivitetit tonë.
KOHA: Gjithnjë kur ka manifestime ndërkombëtare problemi kryesor është buxheti? A janë të mjaftueshme mjetet e Ministrisë së Kulturës duke pasur parasysh shpenzimet specifike për ansamblet ose aktorët e ftuar, transporti i rekuizitave, akomodimi, çmimet…?
AHMETI: Aspak. Kam përmendur disa herë në këto dy vite, “Skupi Festivali” ka të njëjtin financim, madje pak më të vogël nga ana e Ministrisë së Kulturës që kishte para 19 të viteve kur është themeluar. Dhe kur kihet parasysh se ku ishin çmimet para dy dekadave e ku janë tani, mund të marrësh me mend sa ka devalvuar ky buxhet që rri si i “ngrirë” për njëzet vjet me radhë, si për manifestimet kulturore por edhe për prodhimet kulturore. Mendoj se duhet të hapet debat në lidhje me këtë problem, duhet të rishikohen të ndryshohen këto financime sidomos në veprimtarinë teatrore edhe ajo e botimeve edhe ajo muzikore kanë një status të ngrirë në aspektin financiar gati njëzet vjet.
Ndërkohë për t’u dukur edhe më zymtë puna e financimit, në këtë drejtim ishte përkujdesur Ministria e Kulturës, duke ndryshuar edhe kategorizimet për financimin e manifestimeve kulturore dhe të festivaleve të fushave të ndryshme. Kjo në një farë mënyre penalizon një numër të madh manifestimesh kulturore dhe festivalesh. Mos të flasim për qytetin e Shkupit që ka 4 vite që ka ndërpre konkursin për mbështetjen për aktivitetet kulturore. Kjo është e paprecedent në mënyrën si është bërë dhe si vazhdon ende. Por shpresojmë të ndryshojë.
KOHA: Kur lëshohet perdja e një festivali, organizatorët menjëherë mendojnë për vitin vijues. Çka mund të pritet në edicionin e ardhshëm jubilar?
AHMETI: Për ne siç e thash edhe më lartë, puna për edicionin e radhës nis pothuajse ditën që mbaron edicioni pararendës, duke kërkuar prodhimet teatrore që mund të jenë më adekuatet për edicionin e radhës. E gjithë kjo pastaj vazhdon tërë vitin përmes kontakteve komunikimet e ndryshme me gjithë atë rrjet teatror në rajon dhe më gjerë, për të sjellë shfaqjet sa më të mira të mundshme që edhe i përshtaten programit që do selektohet për edicion e radhës. Në vitin e ardhshëm ne kemi jubileun e njëzetë, shpresojmë zgjerohemi në aspektin programor, të përmirësojmë pikat, ku mund të kemi pasur ndonjë lëshim. Por shpresojmë në këtë jubile, të kemi një mbështetje më të madhe nga ministria e Kulturës si dhe nga Qyteti i Shkupit, por edhe nga institucione tjera dhe sponsorë të ndryshëm. Të shohim, të presim.