Çdo ndryshim në konsensusin evropian do t’i japë të drejtë Bullgarisë të vendosë veto ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, deklaroi eurodeputeti bullgar Ilija Llazarov, duke komentuar përpjekjet për rishikimin e kushteve evropiane për Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, raportuesi në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, vepron në kontakt të ngushtë me udhëheqjen në Maqedoninë e Veriut
Ersan PAJAZITI
Shkup, 9 prill – Eurodeputeti bullgar Ilija Llazarov, anëtar i GERB dhe partisë simotër të VMRO-DPMNE-së në Partinë Popullore Evropiane, deklaroi se çdo ndryshim në konsensusin evropian në lidhje me Marrëveshjen me Bullgarinë, do t’i japë Sofjes të drejtën të vendosë veto ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Llazarov e kritikoi ashpër raportuesin në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, duke vlerësuar se ai vepron nën diktatin e liderëve të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski dhe Timço Muçunski. “Vajc shtiret si i pavarur, por në fakt po zbaton vullnetin e Shkupit për të krijuar zhurmë propagandistike”, deklaroi Llazarov, raporton gazeta KOHA.
Shkak për reagimin e tij është iniciativa e Vajcit për të amenduar protokollin e dytë të Marrëveshjes me Bullgarinë, pjesë e kornizës negociuese të BE-së. Llazarov thekson se “propozimi francez” është miratuar nga të 27 shtetet anëtare, është ratifikuar nga qeveria e atëhershme e Maqedonisë dhe nuk është objekt rishikimi. “Çdo ndryshim i konsensusit evropian automatikisht do t’i japë Bullgarisë të drejtën të vendosë veto. Qëndrimi ynë është i qartë dhe i koordinuar – presidenti, Këshilli i Ministrave, Ministria e Punëve të Jashtme, partitë parlamentare dhe të gjithë 17 eurodeputetët janë në një linjë”, shtoi Llazarov.
Ai e krahasoi iniciativën maqedonase me sjellje të papranueshme në një klub: “Nuk mund të hyni, të thyeni dritaret dhe të godisni tavolinat e karriget, e njëkohësisht të përpiqeni të impononi vullnetin tuaj”. Llazarov shprehu gjithashtu dyshime serioze ndaj eurokomisioneres për zgjerim Marta Kos dhe për ndikim të mundshëm të shërbimeve të mëparshme jugosllave.
Llazarov paralajmëroi se protokolli i jep Sofjes një fuqi strukturore afatgjatë dhe se iniciativat e Vajcit mund të krijojnë precedent për rishikimin e kushteve të anëtarësimit për vendet kandidate. Sipas tij, Maqedonia rrezikon të humbasë ritmin aktual në negociatat me BE-në nëse nuk i përmbush obligimet nga protokolli dhe nuk e finalizon “Udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve demokratike”.
Megjithëse kritik ndaj rolit të Vajcit, ai theksoi se e mbështet perspektivën evropiane të vendit: “Dua që ky vend të bëhet anëtar i BE-së, sepse kjo do të sjellë diçka të mirë”.
Ndërkohë, përkundër heshtjes së deritanishme të paprecedentë të partive bullgare lidhur me kontestin me Maqedoninë, edhe pse janë vetëm dhjetë ditë para zgjedhjeve – kohë kur zakonisht kjo çështje keqpërdorej, mediat i janë kthyer kësaj teme nga kënde të ndryshme: me raportime për protestën për përdorimin e gjuhës shqipe, për “Balancuesin”, për pasaportat bullgare, madje edhe për analiza të ADN-së që tregojnë se maqedonasit kanë rrënjë më të afërta me bullgarët, duke pritur vetëm që bullgarët të futen në Kushtetutë për të filluar të ndërhyjnë politikisht në shtet përmes të drejtave të pakicës bullgare. Paralelisht kërkohen edhe argumente të tjera për të problematizuar negociatat me Maqedoninë, në një kohë kur protokolli ka shkaktuar kontestime në Bruksel.
Në një nga mediat bullgare analizohet përpjekja reformuese e vendit, me vlerësimin se Maqedonia “po ngatërrohet gjithnjë e më shumë në vonesat e veta në rrugën drejt Bashkimit Evropian”. “Përveç se nuk po i avancon ndryshimet kyçe kushtetuese, vendi po mbetet pas edhe në përmbushjen e detyrimeve të marra në procesin e negociatave, përfshirë përgatitjen e njërit prej udhërrëfyesve më të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve demokratike – dokument që duhet të garantojë stabilitetin institucional dhe standardet demokratike. Edhe pse përgatitja e tij zgjat gati dy vjet, ai ende nuk është miratuar”, thuhet në analizë. Përndryshe asnjë parti në Bullgari nuk është deklaruar se do të lëshojë pe, në lidhje me kontestin me Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)




