Stojanov: Procesi i negociatave për Maqedoninë mund të zgjasë 120 vjet

Shkup, 27 shkurt – Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, dje shprehu shpresë se autoritetet në Shkup nuk do ta humbasin mundësinë për të arritur përparim në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Waitz prezantoi një përmbledhje të draft-raportit të tij për raportin vjetor të PE për Maqedoninë e Veriut, i cili filloi të diskutohet në Komitetin parlamentar për punë të jashtme.

Në debat u përfshinë edhe eurodeputetë bullgarë. Stanislav Stojanov nga partia “Rilindja” theksoi se qytetarët e Maqedonisë kanë pritur mjaftueshëm, por elita politike nuk duket e lodhur dhe refuzon të përmbushë obligimet e marra. “Me këtë ritëm, e them me keqardhje, procesi i negociatave mund të zgjasë jo 20, por 120 vjet”, tha Stojanov. Sipas tij, obligimet kryesore që lidhen me ndryshimet kushtetuese mbeten të paplotësuara, ndërsa mungon vullneti politik për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

Nga ana tjetër, eurodeputeti Ivajlo Valçev nga grupi “Ka një popull të tillë” deklaroi se populli në Maqedoni është i lodhur, por autoritetet në Shkup vazhdojnë politikën e kërkimit të një armiku të jashtëm për të shmangur problemet e brendshme politike. “Veçanërisht shqetësuese janë deklaratat publike të kryeministrit Mickoski, të cilat shpesh intensifikojnë retorikën konfrontuese, si ndaj opozitës dhe mediave kritike ndaj tij, ashtu edhe ndaj vendeve fqinje dhe BE-së”, shtoi Valçev. “Një retorikë e tillë e minon frymën themelore të fqinjësisë së mirë”, përfundoi ai. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm