Danimarka është në gjendje alarmi pas aktiviteteve të paligjshme me dronë mbi aeroporte të ndryshme, që ndodhën mbrëmjen e së mërkurës dhe në mëngjesin e së enjtes. Situata shqetëson autoritetet, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e kërkesës për konsultime nën nenin 4 të NATO-s, siç kanë bërë edhe Polonia e Estonia kohët e fundit. Ministri i Mbrojtjes së Danimarkës, Troels Lund Poulsen, tha se vendi nuk ka marrë ende vendim për këtë hap, por konfirmoi bashkëpunimin aktiv me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Në prag të një samiti të liderëve të BE-së në Kopenhagë javën e ardhshme, autoritetet po përgatitin masa të forta sigurie, që do të jenë “shumë, shumë të mëdha,” sipas tyre.
Ministri i Drejtësisë dhe ai i Mbrojtjes së Danimarkës, së bashku me përfaqësues të ushtrisë dhe policisë, e cilësuan ngjarjen si një sulm sistematik hibrid ndaj vendit. Ata paralajmërojnë se kërcënimi nga sulmet hibride do të vazhdojë në ditët dhe javët në vijim, me qëllim krijimin e frikës dhe përçarjes në shoqëri. Policia raportoi edhe incidente në zona ushtarake.
Qeveria synon të forcojë kapacitetet për të përballuar kërcënimin dhe po punon për ndryshime ligjore që do t’i lejojnë pronarët e infrastrukturave të rrëzojnë më lehtë dronët. Megjithatë, autoritetet pranojnë se nuk do të jetë gjithmonë e mundur të neutralizohen dronët, sidomos në zona të populluara. Ministri i Mbrojtjes pohoi se nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Danimarkës. Për momentin nuk ka prova që sulmet të jenë të lidhura me Rusinë, megjithëse autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që sulmet të jenë përpjekje për të minuar mbështetjen e Danimarkës për Ukrainën.
Aeroporti i Aalborgut, një prej më të mëdhenjve në Danimarkë, u mbyll për rreth 3 orë për shkak të pranisë së dronëve. Aeroportet e tjera mbetën të hapura. Policia po monitoron situatën, por nuk ka saktësuar numrin e dronëve apo qëllimin e tyre. Ata thonë se do të rrëzojnë dronët nëse do të kenë mundësi.
Kryeministrja Mette Frederiksen e cilësoi sulmin si “më të rëndin ndaj infrastrukturës së Danimarkës deri tani”. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se dronët janë pjesë e një modeli konfliktual në kufijtë evropianë. Ambasadori rus në Danimarkë mohoi çdo përfshirje të vendit të tij, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit i quajti akuzat “të pabaza”. Autoritetet e Norvegjisë dhe Danimarkës bashkëpunojnë në hetim, por ende nuk kanë gjetur lidhje mes sulmeve në Kopenhagë dhe Oslo. Dronët komercialë nuk lejohen të fluturojnë afër aeroporteve, pasi ato janë zonë e ndaluar për fluturim në sistemet e tyre GPS.