E shtunë, 1 Nëntor, 2025
5.8 C
Skopje

Taravari: Opozita shqiptare ka marrë mbi 25% më shumë vota se sa koalicioni qeverisës

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka komentuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se opozita shqiptare ka dalë dukshëm më e fortë se kampi qeverisës. “Pa dyshim se nëse i mbledhim votat e listave për këshilltarë komunalë, për ansambleistë komunalë, Aleanca Kombëtare për Integrim – AKI ka 25% më shumë vota sesa koalicioni qeverisës, VLEN.

Nëse analizohet edhe numri i votave që morën kandidatët për kryetarë komunash nga Aleanca Kombëtare, edhe aty jemi mbi 20% me më shumë vota se VLEN-i, edhe pse VLEN-i qeveritar në raundin e parë për kryetarë komunash ka marrë vota edhe nga partitë maqedonase që janë pjesë e qeverisë, sidomos nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM. Kështu që, pa dyshim, opozita shqiptare ka marrë mbi 25% më shumë vota sesa koalicioni qeverisës shqiptar. Edhe pse, realisht, pritshmëritë e Aleancës Kombëtare, por edhe sondazhet, tregonin që raporti do të ishte 1.8 me 1 dhe jo 1.25 me 1, madje disa anketa edhe 2 me 1.

Por ky është rezultati. Pasi kemi edhe një raund të dytë, do të bëhen analiza më të thella, por mendoj se ka pasur një inxhiniering të jashtëzakonshëm nga partitë qeveritare, qoftë maqedonase apo shqiptare.” Sipas Taravarit, rezultati i raundit të parë tregon qartë se forca opozitare shqiptare po fiton terren dhe besim te qytetarët, ndërsa pritet që raundi i dytë të konfirmojë këtë prirje.

Fitorja në Çashkë është historike – për herë të parë kryetar shqiptar në komunë me shumicë shqiptare 

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka komentuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar fitoren në komunën e Çashkës si një moment historik për shqiptarët. “Në raundin e parë është fituar një komunë që ishte me rëndësi për të gjithë shqiptarët – kjo është komuna e Çashkës. Për fat të mirë, aty zgjidhet për herë të parë kryetar komune një shqiptar, pasi që mbi 50% e popullatës atje janë shqiptarë.

Kandidati ishte i Aleancës Kombëtare, por pati përkrahje edhe prej të gjithë shqiptarëve, besoj edhe prej atyre që janë përkrahës të VLEN-it. Ka qenë kandidatura e vetme dhe për së pari herë fiton një kandidat shqiptar. Tash në raundin e dytë, do të shihen edhe rezultatet në Bervenicë dhe Kërçovë, ku shumica e banorëve janë shqiptarë, kurse në garë janë një kandidat shqiptar dhe një maqedonas. Komunat e tjera udhëhiqen prej shqiptarëve.” Sipas Taravarit, kjo fitore shënon një kapitull të ri në përfaqësimin e shqiptarëve në komunat me shumicë shqiptare, duke treguar se bashkimi për kauza të përbashkëta politike dhe kombëtare sjell rezultate konkrete.

Maqedonia po largohet nga rruga evropiane – raporti i BE-së është më i keqi në 15 vitet e fundit

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve lokale, por edhe për sfidat politike dhe nacionale me të cilat përballet vendi. Ai theksoi se, përveç temave lokale, fushata zgjedhore është dominuar nga shqetësimet për stagnimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Kandidatët tanë për kryetarë komunash kanë pasur programet e tyre zgjedhore dhe zotohen t’i realizojnë të gjitha premtimet e dhëna përpara qytetarëve, por ne si liderë politikë e kemi për obligim të trajtojmë edhe tema nacionale.

Zgjedhjet ishin administrative, por u diskutua edhe për tema nacionale. Ishte e pashmangshme të mos diskutohet humbja e rrugës së kësaj qeverie drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë gjithë fushatës, ky ka qenë edhe fjalori kryesor që e kam përdorur unë personalisht, por edhe partnerët e koalicionit në Aleancën Kombëtare.

Seriozisht jemi të brengosur, pasi që shohim se në të gjitha zhvillimet rajonale dhe strategjike, është e rëndësishme që Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut bashkërisht të përfundojnë bisedimet dhe të bëhen anëtare të plotfuqishme të BE-së deri në vitin 2030.

Në qoftë se e lexoni raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Maqedoninë, do ta shihni që raporti është zhgënjyes dhe është më i keqi që e kemi marrë në 15 vitet e fundit. Aty përmendet edhe ndikimi i ‘Botës Serbe’ në qeverisjen e Maqedonisë, dhe këtu nuk mendoj për partitë shqiptare, por për partitë maqedonase që udhëheqin me qeverinë – dhe kjo vërtetë është shumë, shumë shqetësuese.

Maqedonia nuk duhet ta humbasë hapin me Shqipërinë dhe Malin e Zi, por është e domosdoshme realizimi i ndryshimeve kushtetuese si kusht për fillimin e negociatave me BE-në. Për fat të keq, jo vetëm që nuk ka gatishmëri, por ne në fakt po largohemi nga rruga evropiane. Taravari theksoi se prioriteti strategjik i Aleancës Kombëtare mbetet rikthimi i fokusit të vendit në integrimin evropian, si proces që garanton stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe barazi të plotë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm